Trashëgimi

Çifti Luarasi - Nga Mevlan Shanaj

Mevlan Shanaj

Në korrik të vitit 1965 ecja nëpër korridoret dhe oborrin e Teatrit Popullor. Aty ishte edhe Shkolla e Lartë 4 vjeçare e Aktorëve “Aleksandër Moisiu”. Administrata e shkollës ndodhej në katin e dytë të së njëjtës godinë, bashkë me Drejtorinë e Teatrit. Xhemal Broja, anëtar i komisionit ku ne do të konkuronim, ishte drejtor i Teatrit. Komisioni drejtohej nga Andrea Malo, drejtor i Shkollës. Në komision bënte pjesë edhe Naim Frashëri, të cilin e kisha parë përveçse te filmi “Skënderbeu”, te “Hamleti” dhe “Intrigë e dashuri”. Gjithashtu edhe Lazer Filipi, “Lenini i Orëve të Kremlinit”, vepër të cilën shumë më vonë e kam xhiruar për Televizionin Shqiptar. Një grua e vetme që do merrte kursin tonë si pedagoge udhëheqëse, binte në sy në atë tavolinë të stërzgjatur, ndërsa më i heshturi qe regjisori tradicional Pandi Stillu. Kisha parë “Karnavalet e Korçës” si edhe “Toka jonë” nga ai regjisor.

Para se të futeshim në konkurs duhet të na dëgjonte dhe orientonte një pedagog dhe ky ishte regjisori Mihal Luarasi, i pari në jetën time që më ka dëgjuar. Mes materialeve të përgatitura për konkurs ishte edhe “E kuqja dhe e zeza” e Stendal. Frymëzuar nga Gerard Philipe (Zherar Filip) apo edhe imituar atë deri diku. Në monolog thuhej: Zonja De Renal, ka qenë për mua si një nënë… Profesori Mihal Luarasi më tha: Aty në komision është një grua flokë kuqe, shiko atë në sy dhe drejtoja asaj monologun… Kuptohet unë si majmuni atë bëra. Iu drejtova aktores Drita Agolli, të cilën e kisha parë në skenë si te “Hamleti” e “Mbi gërmadha” dhe më ishte dukur shumë e bukur nga salla.

Konkursin e fitova. Në shkollë nuk më jepte mësim Mihal Luarasi, të cilin e komentonin si të ardhur nga Hungaria me një përgatitje shumë të mirë dhe i ndryshëm nga shkolla ruse, nga kishin ardhur Andrea Malo, Kujtim Spahivogli, Drita Agolli, Piro Mani, Esat Oktrova dhe Misto Zoto. Gjatë viteve shkollore Mihal Luarasi ishte pedagog me shumë autoritet dhe regjisor ndër kryesorët në Teatrin Popullor. Ishte koha e shkëlqimit absolut me “Dhelpra dhe rrushtë” të Ezopit e pas suksesit me “Intrigë e dashuri”. Ishte koha e artë e repertorit të Teatrit Popullor. Vetëm të hënën kishte pushim. Vepra të mëdha të dramaturgjisë botërore ngjiteshin në skenë gati çdo muaj.

Në ato vite, partnerja e Mihal Luarasit, Edi Luarasi, kishte një shkëlqim, si femër e çliruar me një ajër modernizmi dhe si aktore krejtësisht e veçantë. Ajo kish realizuar role kryesore sa në teatër edhe në kinematografi (“Vitet e para” dhe “Ngadhnjim mbi vdekjen”). Me sukses po shfaqej “Shtëpia në bulevard”, ku Edi Luarasi kishte suksesin e radhës.

Pas katër vitesh të shkollës, rastisi të isha në Korçë, me filmin “I teti në bronx”. Është koha kur edhe Mihal Luarasin e lëvizën nga Tirana në Korçë. Ardhja e tij koinçidoi me dënimin e Orgockës, sepse i burgosën të vëllain, inxhinier, i martuar me polake. Dhimitër Orgockën e çuan punëtor për riedukim. Për të zëvëndësuar Orgockën, Mihali më kërkon mua për Teatrin e Korçës meqë ndodhesha nëpër këmbë me xhirimet e filmit. Për këtë qëllim nisi në Ministri Leonidha Shkodranin, drejtorin e Teatrit.

Para Pallatit të Kulturës u bë përcjellja e Nidha Shkodranit dhe ia dhamë dorën njëri tjetrit. Kur ma dha dorën Mihallaqi, që kish zakon ta fuste gishtin e mesit në shputë, gjatë shtërngimit të dorës e bëri këtë xhest edhe me mua. Më pas e mora vesh që xhesti e kishte kuptimin “e hëngre”. Leonidha Shkodrani po nisej me mision për të më tërhequr në Teatrin e Korçës. Kishte kërkuar nga Ministria dërgimin tim në Korçë me argumentin se Mevlani na duhet për në skenë se na iku Orgocka, na duhet aktori hero (argument kishte rolin e diplomës sime Pedro tek “Pushkët e Nënës Karrar” dhe në ato momente Ibrahim Kovaçi, tek “I teti në bronx”).

Leonidha Shkodranit nuk i ndezi për mua, pasi në atë vit ishte shumë i rëndësishëm Televizioni Shqiptar që më kishte emëruar regjisor. Po fillonte një ndryshim i madh. Shqipëria do kishte television. Më vonë jeta e solli që regjisori i shquar Mihal Luarasi të dënohej për agjitacion propagandë. Moda e shtërnguar ishte që familjet shkatërroheshin, internoheshin, divorcoheshin, burgoseshin. Aktorja e bukur dhe e famshme Edi Luarasi, nuk bëri asnjë nga këto çmënduri. Zgjodhi të ikte nga Teatri Popullor dhe të punonte punëtore në rrobaqepësinë (NPV) që ndodhej në fund të rrugës “M. Shyri”.

Një ditë po kaloja në atë rrugë se diku pranë kisha shtëpinë. Rastisa Edi Luarasin, biseduam dhe e pyeta: Me çfarë merresh? -Punoj si rrobaqepëse dhe konkretisht jam duke qepur benevreket e ushtarëve - m’u përgjigj. Filmat e saj ishin bllokuar. Edi nuk zgjodhi divorcin. Zgjodhi familjen!

Pas viteve të burgut, regjisorin e madh Mihal Luarasin e takova në Pallatin e Pionierit, hipur në një shkallë Bojaxhiu, me kapele gazete nga ato që sajonin bojaxhinjtë. U përshëndetëm, por këtë herë nuk e përdori “humorin e tij”, që në ndarje të përdorte gishtin në shputë të dorës…

Pas disa vitesh, filmi “Fletë të bardha” me skenar të Natashës dhe regjinë time, solli shqetësime në administratën e kohës. Pati reagime, kërcënime dhe në këtë kohë më erdhi një letër nën dorë përmes djalit që ishte në shkollën Fan Noli. Një nxënës i panjohur i kishte dhënë një letër me shkrim nga Mihal Luarasi. Letra ishte si një ilaç, ku na përgëzonte për filmin, na jepte kurajo duke theksuar se na ndodhej pranë, pasi e kishte provuar atë gjëndje të tmerrshme pas dramës “Njollat e murme” që u bë shkas për burgosjen e tij. Kjo letër inkurajuese për ne ato ditë ishte mbështetja me madhe dhe mbetet si një ndër xhestet më fisnike.

Mendoni, një i dënuar, “një bojaxhi”, na jepte zemër me një kurajo të jashtëzakonshme për kohën. Ishte qershori i 1990. Për fatin e gjithë shqiptarëve koha ndryshoi dhe në fillim fare të 1991 ia japim letrën mikes sonë Elsa Ballauri që punonte në gazetën “Zëri i Rinisë” për ta botuar. Letra humbi diku në redaksi pa u botuar. Nuk kishte fotokopje dhe ne dorëzuam origjinalin. Vite më vonë, Mihal Luarasi i stërvitur, e kishte ruajtur kopjen e letrës dhe e botoi në librin e tij.

Kur po xhiroja dokumentarin për Vangjush Furxhiun, e mora çiftin Luarasi në Korçë, për të rikujtuar “Njollat e murme” që u hëngri kokën të treve. Kujtoj se risollën kujtime të dy me aq natyrshmëri duke plotësuar njëri tjetrin gati si një monedhë e njëjtë në të dy anët.

Më 2021 u ndodha në Presidencë ku u dekorua Edi Luarasi me titullin “Nderi i Kombit”. Ajo nuk mundej të ishte e pranishme pasi shëndeti ishte i rënduar. Mora fjalën në Presidencë për ta uruar Edi Luarasin, duke thënë se edhe asgjë të mos kishte bërë ky emër i shquar, mjafton vetëm për xhestin e madh kur i burgosën Mihal Luarasin, e meritonte këtë vlerësim.

Të dy kanë ikur, por janë ikje që mbeten model.

I lumtur që ndava me ju, njerëzoren e artistëve “LUARASI”.

©Mevlan Shanaj