Trashëgimi

Heroi Indrit Cara - Nga Dritan Goxhaj

Dritan Goxhaj

Ҫdokush atdheun mund ta shohë në shumë mënyra. Ka nga ata që e shohin Atdheun si gjithçka nga e cila mund të marrin sa të duan e si të duan, e mund të bëjnë më të çfarë të duan. Por ka nga ata që Atdheun e shohin si gjithçka rreth së cilës e për të cilën mund të japësh gjithçka.

E këta të fundit janë ata të cilët ne të gjallët i quajmë heronj ose dëshmorë.

Dhe shpesh herë rrëmojmë për të mësuar jetën e tyre duke kërkuar nëpër libra, dhe aty nuk e gjejmë dot, pasi aty gjejmë vetëm jehonën e tyre.

Dhe pasi nuk gjejmë aty, pyesim për jetën e tyre, dhe në të njëjtën kohë e bëjmë këtë duke jetuar robërinë tonë.

Mundohemi të dimë për dëshmorët e heronjtë, por njëri prej tyre ka shkruar:

Nëse…

Ҫdo gjë që ju intereson të dini për dëshmorët,

Ecni në rrugën e tyre

Aty do të gjeni gjeninë e tyre.

Dhe si sot në këtë datë në vitin e largët 1999, altarit të dëshmorëve të kombit iu shtua edhe një tjetër dëshmor. Ai ra dëshmor duke luftuar në rradhët e UҪK-së, në luftime të cilat kishin më se një javë që po zhvillonte zona e Pashtrikut, luftime të ashpra me ushtrinë serbe. Sulme e kundërsulme të përditshme.

Armiku çdo ditë e më shumë po sillte përforcime si në forca, ashtu edhe në mjete zjarri. Komandanti i Zonës së Pashtrikut, kishte organizuar zbatimin e vendimit për mbrojtje aktive dhe të mos e lëshonte zonën e Pagarushës, sikundër ishte urdhri nga Shtabi i Përgjithshëm, për mbrojtjen e popullatës së grumbulluar në atë zonë, ku ishin me dhjetëra mijëra gra, pleq e fëmijë.

Në drejtim të Samadrazhës armiku mundi të depërtonte me tanke, përgjatë luginës. Nevojiteshin përforcime për të dhenë kundërsulm. Nuk kishte më forca rezervë. U vendos që në ndihmë të zonës të sillej një togë nga kompania e Shtabit të Përgjithshëm.

Pas 30 minutash mbërrijnë përforcimet, me në krye Indrit Carën.

Indritit iu dha detyrë, që me togën e tij të rimerrte dhe të  mbante majën e malit të Gallushës, me qëllim që të goditej armiku nga shpina, për t’u tërhequr prej luginës. Bora ishte e madhe. Të ftohtit ishte i jashtëzakonshëm.

Detyra u realizua. Armiku kundërsulmoi përsëri, pas një përgatitje të gjatë me zjarr artilerie, por nuk mundi ta rimerrte majën e Gallushës. Sulmi i tij u thye me zjarr.

Toga e udhëhequr nga Indriti pasi e mori me sulm, qëndronte e patundur në majën e Gallushës.

Nga të dy anët kish humbje.

Nga ana jonë më datë 31 Mars 1999, ra heroikisht për t’u bërë i pavdekshëm në altarin e lirisë së kombit, Komandanti i togës së Kompanisë Autonome të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës Indrit Cara.

I cili erdhi nga Londra e largët për të dhënë atë çka kishte më të shtrenjtë për Atdheun, jetën.

Dhe ashtu si thotë edhe një poet:

Në mermer i përtëritur,

nuri i bukur djaloshar,

po ty - o djalosh i ndritur,

nuk të nxë dot asnjë varr!

Që të gjithë të shtangur mbetëm,

ndaj vajtojnë këto vende,

ndaj -o bir- një varr i vetëm,

nuk e mban dot lavdinë tënde!

Nga mermeri buzëqesh,

e na godet drejt në zëmër,

tani do të jesh mes nesh,

një legjendë dhe një ëndërr!

Të shikoj si në pasqyrë.

në ajkën e më besnikëve,

ike - po në çast ke hyrë,

në Eposin e Kreshnikëve!

Ne të gjallëve na mbetet obligim jo vetëm të kujtojmë heronjtë, por edhe t’i ndjekim ata në rrugën e tyre.

Lavdi heronjve!

Lavdi heroit Indrit Cara!

©Dritan Goxhaj