Blog

Pse Albin Kurti do fitojë bindshëm zgjedhjet? - Nga Ilir Gjini

Kundër kryeministrit të Kosovës janë turrur të gjithë: opozita në Kosovë (që është në të drejtën e vet), serbomadhi Vuçiç, kryeministri Rama, administrata Trump, ku flamurin e mban si gjithmonë Richard Grenell, oligarkët e Kosovës, që në qeverinë Kurti nuk morën asnjë favor, si dhe një pjesë e rëndësishme e medias.

I gjithë enturazhi anti-Kurti, nuk ka lënë gur pa lëvizur për t’i sharruar këmbët e brishta të karriges kryeministrore, ku pjesa më e papranueshme është ndërhyrja e diplomatit Grenell si dhe ajo e kryeministrit te atdheut amë Rama.

Por, në antipod me atdheun amë Shqipërinë ku zgjedhjet manipulonen me forcën e bandave kriminale, parave të pista, administratës e gjyqësorit të korruptuar, në Kosovë zgjedhjet janë të lira e të ndershme dhe rezultati njihet nga të gjitha palët.

Kundërshtarët e Albin Kurtit harojnë se zgjedhjet i vendos me votë të lirë populli i Kosovës, që do ta votojë atë masivisht. Pse?

Kjo do të ndodhë sërish ashtu si 4 vite më parë, sepse Kurti është politikani i premtimeve të mbajtura. Është ndoshta politikani i vetëm në botën shqiptare i papërfshirë në asnjë abuzim me pushtetin. Politikani që buxhetin e shtetit nuk e përdor si homologu i Shqipërisë amë për të mbushur xhepat e oligarkëve dhe familjes së vet, por për të rritur rrogat e pensionet. Politikani që nuk bën lëshime ndaj interesave të Kosovës, për të kënaqur ndërkombëtarët dhe për të ruajtur pushtetin e vetë.

Hamzës së PDK-së, Abdixhikut të LDK-së dhe Haradinajt të Ardhmërisë së Kosovës, i qëndron tepër i ngushtë kostumi i kryeministrit të Kosovës. Edhe këtë mandat, stilisti popull do ta qepi për merak këtë kostum për shpatullat e Kurtit, si burri i besës, i fjalës së mbajtur e premtimeve të realizuara. Kundërshtarëve të tij, sharra do t’u mbetet në gozhdë, e nuk do mundin të presin këmbët e brishta të karriges kryeministrore të pushtetit.

© Ilir Gjini - Toronto