Nacionalisti Unë - Nga Arben Kallamata

Në një nga shkëmbimet e mendimeve për politikën që fatkeqësisht sikur po na imponohet me forcë kohët e fundit, dikush më quajti nacionalist. Unë po mbroja të drejtën e Kanadasë për të qenë shtet i pavarur duke shprehur mendimin se përpjekjet për ta gllabëruar atë dhe për ta kthyer në një shtet të pesëdhjetëenjëtë të SHBA-ve ishin monstruoze dhe qesharake. Por bashkëshqiptarit në Boston kjo iu duk nacionalizëm i papranueshëm.
Duke qenë se unë nuk e mbaj veten për nacionalist u vura të mendoj nëse akuza ishte e bazuar ose, të paktën, a kishte të drejtë ai që e bënte që të thoshte se, sipas këndvështrimit të tij, isha i tillë. Për më tepër më doli rastësisht përpara një citim i Bertrand Rasëll: “Kur vuan nga nacionalizmi, njeriu beson se vendi i tij është më i qytetëruari dhe më njerëzori në botë, ndërsa armiqtë janë fajtor për çdo egërsi dhe kafshëri që mund të imagjinohet. Dhe meqë janë kaq të këqij dhe të egër, ndërkohë që ne jemi kaq të qytetëruar dhe njerëzorë, nuk ka asnjë shkallë kafshërie apo egërsie që nuk na lejohet ta përdorim kundër tyre. Kjo është motoja e nënkuptuar e nacionalizmit.”
U përpoqa ta gjykoj veten në mënyrë sa më të paanshme sipas kritereve të kësaj thënieje dhe akuzës që më bëhej.
Së pari, unë kam dy kombësi/nacionalitete - shqiptar dhe kanadez - gjendje që më ka bërë ta shikoj nacionalizmit paksa me gjak të ftohtë. Kombësinë shqiptare e kam për shkaqe rastësore - domethënë sepse kam rastisur të lind në Shqipëri nga dy prindër shqiptarë. Veç kësaj, jam rritur dhe edukuar në Shqipëri. Por nuk ka qenë zgjedhja ime. Dashuria për dhe lidhja ime me Shqipërinë janë më së shumti emocionale, të pakontrolluara nga arsyeja. Unë e dua Shqipërinë pavarësisht se çfarë mendoj. Kombësia kanadeze ka qënë njëqindpërqind zgjedhja ime. Vetë vendosa të emigroj në Kanada; vetë pranova (në fakt kërkova) të marr pasaportën (kombësinë) kanadeze, dhe jetoj këtu që prej 28 vjetësh. Jeta ime është pak a shumë e ndarë në mes, me gjysmën e saj në Shqipëri dhe tjetrën në Kanada. Për hir të argumentit që po diskutoj dua të përmend edhe se kam pasur rastin të jetoj dy vjet në Shtetet e Bashkuara dhe tani banoj jo më larg se 20 km në vijë të drejtë nga kufiri me këtë vend të madh.
Akuza m’u bë si nacionalist kanadez, sepse po më dukej e papranueshme ideja që Kanadaja të gllabërohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë vështrim, them se akuzuesi ka pjesërisht të drejtë, sipas përkufizimit të Rasëllit. Ja arsyet:
Unë vërtet mendoj se Kanadaja është vend më i qytetëruar dhe më i zhvilluar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ndoshta një pjesë e madhe e shteteve të tjerë të botës. Natyrisht, Shtetet e Bashkuara janë më të pasura ekonomikisht dhe shumë më të fuqishme ushtarakisht dhe me shumë më tepër mundësi për të bërë para. Por kjo nuk do të thotë se janë aq të qytetëruara dhe zhvilluara sa Kanadaja.
Unë mendoj se Kanadaja është një vend shumë më i mirë për të jetuar. Kanadaja është shoqëri shumë më tolerante ndaj të gjitha llojeve të pakicave - atyre me ngjyrë të ndryshme lëkure apo flokësh, atyre me aksente apo gjuhë të ndryshme, atyre me parapëlqime të ndryshme seksuale, atyre me besime ose mosbesime të ndryshme fetare, atyre që vishen tjetërlloj, hanë ushqime të padëgjuara ndonjëherë, mbajnë erëra të çuditshme dhe veshin rroba të pazakonta. Ndaj kujtdo.
Unë mendoj se Kanadaja është shoqëri shumë më zemërgjerë, që i ofron të gjithë qytetarëve të vet shërbim shëndetësor të barabartë. Nuk po them “falas”, po them “të barabartë”. Në Kanada përballë sëmundjes, ashtu si edhe përballë vdekjes, të gjithë janë të njëlloj - domethënë të gjithë kanë të drejtë të këshillohen me mjekun, të marrin mjekimin e duhur dhe ilaçet që iu nevojitet për t’u kuruar, pavarësisht nga gjendja ekonomike. A ka probleme shërbimi shëndetësor kanadez? Plot. Megjithatë, për mendimin tim, është shumë më i përparuar dhe njerëzor se një shërbim mjekësor ku trajtimi jepet sipas madhësisë së xhepit.
Kanadaja është vendi me numrin më të madh (përqindjen) të njerëzve me shkollë të lartë në botë. Ky nuk është mendimi im; është statistikë. Natyrisht, SHBA ka Harvardin, Stanfordin, MTI-në etj., që janë maja të mendimit akademik dhe shkencor. Por ato janë institucione të pakicave që mund ta përballojnë ekonomikisht studimin atje. Në Kanada kushdo mund të studiojë kudo. Shkolla nuk është falas, por nuk është as e papërballueshme. Ka programe ndihme për të gjithë ata që duan të studiojnë dhe pranimi në universitet bëhet sipas meritës, jo sipas parave.
Në Kanada nuk ka geto - as geto të varfërish, as geto të pasurish (gated communities). Në Kanada ka të pasur por ata nuk ua tundin përpara fytyrës pasurinë e tyre të varfërve. Në Kanada ka ndryshime në të ardhura, por ato nuk janë humnera të thella, të papërfytyrueshme.
Unë mendoj se, përgjithësisht në Kanada nuk i bien gjoksit me mburrje, nuk bërtasin, nuk tundin flamuj dhe hedhin fishekzjarre me pompozitet, nuk mundohen t’iu imponohen të tjerëve me argumentin se janë kanadezë.
Në Kanada njerëzit nuk dalin me armë në brez, nuk mbushin sëndukët dhe kthinat e shtëpive me automatikë, flakëhedhës dhe lloj-lloj mjetesh të tjera për të marrë jetë njerëzish. Natyrisht, si në çdo vend tjetër edhe në Kanada ka kriminelë dhe vrasës, por njerëzit nuk janë të detyruar të mbajnë armë për të ruajtur familjen dhe fëmijët e tyre. Këtë punë ia lenë në dorë policisë.
Në Kanada politikanët janë të butë, të qetë, të qytetëruar. Ata luftojnë fort për karriget, por pa i kaluar kufijtë e mirësjelljes, pa e kërcënuar njëri-tjetrin me burg, pa u betuar për hakmarrje me burgje dhe dëmshpërblime. Kalimi i pushtetit nga një forcë politike në tjetrën bëhet paqësisht, me mirësjellje dhe mirëkuptim, aq sa asnjeriu nuk i shkon ndërmend të shohë në televizor si spektakël inagurimet e krerëve të shtetit. Politikanët e lartë kanadezë mund t’i shohësh rastësisht në rrugë duke vrapuar me tuta anës lumit.
Këto janë disa nga mendimet e mia për superioritetin e Kanadasë. Në bazë të këtyre mendimeve unë mora vendimin të jetoj dhe të rris pasardhësit në këtë vend. A më bëjnë këto mendime nacionalist? Përsa i përket pjesës ku unë mendoj se shoqëria kanadeze është superiore ndaj asaj amerikane, ndoshta po. Për t’iu kthyer përkufizimit të Rasëllit, në dallim nga nacionalisti i tij unë kurrsesi nuk mendoj që Kanadaja duhet të gllabërojë apo të masakrojë, t’i vërsulet apo të përvetësojë ndonjë shtet tjetër. Po ta bënte këtë Kanadaja do t’i humbiste vlerat e veta si vend i qytetëruar, të paktën në sytë e mi. Për kuriozitet, në vitet 2000 ishujt Turks dhe Kejkos i kërkuan zyrtarisht Kanadasë që t’i pranonte si territore të tyre. Kanadaja nuk pranoi, sepse ka vlera dhe parime si vend. Më parë ajo ka refuzuar kërkesa të ngjashme nga Xhamajka (1882), Barbejdos, Bahamas, Federata e Indive Perëndimore, etj. Kanadaja nuk dëshiron të aneksojë askënd.
Gjithashtu, pavarësisht deklaratave të papërgjegjshme të një politikani amerikan, unë admiroj shumë anë të shoqërisë amerikane dhe njerëzve që jetojnë atje: shpirtin e tyre liridashës, kulturën e përparuar, idetë gjeniale dhe shpikjet, shkencën që i ka paraprirë në dhjetëvjeçarë botës, letërsinë e niveleve nga më të lartat, muzikën e shkëlqyer, sportet. Por jo paratë. Unë nuk admiroj paratë.
Prej kohësh kisha vendosur të mos merresha, të paktën në fejsbuk, me Trampin. Në fushatën dhe presidencën e tij të pare isha shumë aktiv, sepse e shikoja si një rrezik për demokracinë në vendin më demokratik të botës. Por shprehja e mendimit tim të hapur më vuri në armiqësi me shumë miq të mi që ishin dhe janë përkrahës të flaktë të tij. Në këtë rast unë mendova që miqësitë personale janë më të rëndësishme sesa mendimet për një politikan. Gjithashtu, iu dhashë të drejtë edhe atyre që argumentonin se nuk ishte puna ime të diskutoja se kush zgjidhej në një shtet tjetër. Prandaj për rreth katër-pesë vjet thuajse nuk u mora fare në këtë temë. Madje as kur ai u rikthye në pushtet dhe po bëhej e qartë se demokracia në SHBA po merrte tatëpjetën përfundimtare. Por muajin e kaluar ai goditi drejtpërdrejt vendin ku unë jetoj, ku rriten fëmijët dhe mbesat e mia. Ashtu si 40 milionë kanadezë të tjerë (me përjashtime të rralla) unë u ndjeva i kërcënuar dhe shpreha mendimin tim ndaj këtij agresioni. Shenjë e nacionalizmit? Gjykojeni vetë.
© Arben Kallamata