Opinione

Pse duhet të mësojë Evropa historinë amerikane? - Nga Veton Surroi

Më 1823 presidenti Monroe deklaroi se SHBA-ja nuk do të përzihet në punët e Evropës dhe kjo ndryshoi kahun e politikës amerikane për gati një shekull. Më 2025 po bëhet një ridefinim i asaj që është quajtur Doktrina Monroe dhe Evropa sërish po zihet në befasi.

1.

Kam qenë nxënës në fillore, në shkollë amerikane, kur dëgjova për Doktrinën Monroe; pastaj m’u kthye në vitin e fundit të gjimnazit, tashmë me më shumë informacion e kontekst të përgjithshëm. Më ra ndër mend këto ditë Marco Rubio, sekretar amerikan i Shtetit, me një intervistë në TV dhe udhëtimin e parë si shef i diplomacisë amerikane. Rubio në intervistën televizive tha se ai është sekretar shteti në një botë multipolare, jo më sekretar shteti në një botë unipolare në të cilën SHBA është hegjemoni. Dhe në një botë multipolare, vazhdoi ai, ne mbrojmë sferën tonë të interesit, ashtu si të tjerët mbrojnë sferat e veta të interesit.

Pas kësaj interviste Rubio u nis në udhëtimin e parë si sekretar shteti, nëpër Amerikën Latine, qartazi një zonë kaherë e definuar si sferë interesi e SHBA. Në fakt, e definuar nga presidenti Monroe në adresimin e tij të përvitshëm të Kongresit, në dhjetor të vitit 1823. Atëbotë presidenti Monroe përcaktoi atë që në vija të trasha do të ishte politika e Jashtme amerikane për pothuajse një shekull, deri në përfshirjen e Amerikës në Luftën e Parë Botërore.

Monroe përcaktoi se Hemisfera Perëndimore (që në atë kohë ishte kontinenti amerikan) ishte sferë interesi e SHBA dhe Evropa nuk mund të përzihej në të; as të vendoste koloni të reja e as të instalonte regjime kukull. SHBA, sipas Monroes, nuk do të përzihej në punët e brendshme të Evropës dhe Evropa nuk do të përzihej në punët e brendshme të Amerikës, që tashmë përfshinte tërë Amerikën Veriore, Qendrore dhe Jugore.

2.

Ky lexim imi prej mësimeve të gjimnazistit mund të vazhdojë edhe më tutje e të interpretojë veprimet e kësaj jave të administratës Trump. Presidenti u vendosi tarifa importit të Meksikës, Kanadasë dhe Kinës dhe njëra mënyrë e interpretimit është se filloi luftën tregtare gjithandej, nisur fillimisht me komshinjtë e parë. Por, luftërat kanë një logjikë të vetën (janë veprime të menduara apo pasojë e veprimeve të menduara) dhe kjo luftë tarifash e gjen veten në doktrinën Monroe.

Në versionin e ripërtërirë të doktrinës Monroe, dyqind vjet më pas, bota është e ndarë në dy sfera të mëdha të interesit: SHBA dhe Kina. Në logjikën e doktrinës së ripërtërirë, tarifat ndëshkimore kundër Kanadasë dhe Meksikës nuk kanë pasur ndonjë logjikë komerciale. Në fakt, ato do të ndëshkonin në fund konsumatorin amerikan që do të paguante më shtrenjtë fruta e perime, rrymë elektrike, automobila e shumë produkte të tjera të Meksikës e Kanadasë që tashmë me dhjetëvjetësh funksionojnë si pjesë e një zone të tregtisë së lirë. Logjika e doktrinës së ripërtërirë Monroe është disiplinimi i hemisferës perëndimore - pra kontinenti amerikan është sfera e interesit, e cila duhet të adaptohet me politikën e re të ripërcaktimit të interesave amerikane. Në sfond është Kina: asaj iu përcaktua tarifa 10 për qind ndërkohë që Meksika dhe Kanadaja u kërcënuan me ndëshkim 25-përqindësh, mes të tjerash edhe për shkak të akuzës që ua bëri presidenti Trump të dy shteteve se fentanyli, droga sintetike e prodhuar në Kinë e që ka marrë përmasa epidemike, hyn në SHBA nëpërmjet Meksikës dhe Kanadasë.

3.

Dyqind vjet më pas, gjërat kanë ndryshuar thelbësisht në rolin e Evropës. Në doktrinën Monroe, Evropa ishte fuqia e madhe nga e cila SHBA mbrohej duke përcaktuar sferën e vet të interesit. Në doktrinën e ripërtërirë, Evropa është më e dobët dhe është duke hyrë në një fazë interesante të përcaktimit të rolit të vet karshi SHBA. Parimi i doktrinës Monroe se SHBA nuk do të përzihet në punët e brendshme të Evropës, dyqind vjet më pas, do të thotë diçka krejtësisht tjetër prej parimit origjinal. Atëbotë ishte një kartë këmbimi - ti mos u përziej në hemisferën time, unë nuk përzihem në tënden. Por, Evropa është mësuar pas Luftës së Dytë Botërore të jetë në mënyrë të natyrshme pjesë e hemisferës perëndimore. Tash duhet t’ia dëshmojë atë përkatësi administratës së re amerikane. Dhe, ndonëse nuk është fqinj, sikur Meksika a Kanadaja, edhe Evropa (BE fillimisht, e pastaj edhe të tjerët) do të detyrohet të tregojë aftësinë adaptuese ndaj ridefinimit të politikës së re amerikane.

Do të jenë së paku tri sfida imediate në këtë drejtim. E para është balancimi i marrëdhënieve tregtare duke rritur presionin që Evropa të blejë më shumë produkte amerikane, madje ato produkte që do të ndikonin negativisht në prodhimtarinë evropiane (automobila, aeroindustri, teknologji digjitale, armatim). E dyta është rritja e shpenzimeve për mbrojtje në 5 për qind të Prodhimit Bruto Kombëtar, gjegjësisht aftësimi i ushtrive evropiane të NATO-s që ta mbrojnë kontinentin e vet (dhe këtë përderisa ende vazhdon lufta në kontinentin evropian, në Ukrainë). Dhe e treta, bashkëdyzimi i politikave evropiane me ato amerikane karshi Kinës. Kjo do të thotë jo vetëm - siç ka ndodhur në Samitin e fundit të NATO-s në Washington - të identifikimit të Kinës si konkurrentin e kundërshtarin strategjik në fushën e sigurisë, por si konkurrentin e kundërshtarin në ekonominë globale, në sistemin e vlerave.

4.

Të tri sfidat fillestare për Evropën kanë një domethënie të thellë, duke shtruar rrugës pyetje thelbësore strategjike. Një, çfarë do të ishte BE-ja (dhe Evropa si kontinent) në një treg të lirë të “Hemisferës perëndimore”, pra i BE me SHBA dhe zonat ekonomike përreth. Dy, a mund të ndërtohet dhe me çfarë shpejtësie “autonomia strategjike”, një ombrellë evropiane e sigurisë brenda NATO-s, tash kur ky koncept nuk është vetëm ide evropiane (franceze e pastaj edhe gjermane), por disi detyrimisht edhe amerikane. Dhe tre, si të kalojë çështja e marrëdhënieve ekonomike të shteteve anëtare të BE me Kinën në një politikë të BE me Kinën, një politikë që i përafrohet asaj amerikane?

Që të tria pyetjet e tejkalojnë dukshëm nivelin e debatit që zhvillohet brenda shoqërive evropiane apo dhe vetë BE.

Dhe, kjo nuk është gjë e re. Në kushte krejtësisht të tjera - e posaçërisht në raport forcash krejtësisht tjera - doktrina Monroe i zuri në befasi fuqitë evropiane. Leksioni i vitit 1823 ishte se fuqitë evropiane mësuan shpejt se nuk mund të vazhdonin më me avazin e vjetër. Kishte ikur koha e kolonizimit të kontinentit amerikan nga ana e fuqive evropiane dhe me këtë bota po ndryshonte rrënjësisht. Leksioni i vitit 2025 mund të jetë me pasoja po aq të mëdha strategjike: Evropa do të mësojë se nuk mund të vazhdojë me avazin e vjetër, ka ikur koha kur përkatësia “euroatlantike” ishte e nënkuptueshme. Këtë mësim të historisë Evropa duhet ta bëjë shpejt.

© Veton Surroi - KOHA