Verbëria sociale dhe kulti i individit - Nga Ilir Levonja

1) Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, platforma e stacionit në Novi Sad u shëmb papritur. Sapo ishte rinovuar dhe dëshmitarët tregojnë për një tmerr sysh. Binaja prej betoni u këput dhe zuri poshtë plot pesëmbëdhjetë njerëz. Nga ajo ditë e deri më sot me mijëra qytetarë serbë nuk kanë reshtur së protestuari. Kryesisht studentët dhe pedagogët, madje shumë prej tyre u arrestuan me idenë e forcës së shtetit për të injektuar frikën tek protestues të tjerë. Por kjo nuk ndodhi. Protestat sa vjen e forcohen dhe zemërimi qytetar duket i palëkundur. Edhe pse janë hequr ministra, kryeministra, ata duan dorëheqjen e kreut të shtetit, presidentit dhe prej këtej zgjedhje të reja.
2) Ai që është në pushtet në Serbi ka plot dymbëdhjetë vjet. Një ish-ministër i Sllobodan Millosheviçit, por që sot me mjetet e demokracisë ka arritur një sundim perfekt si Lukashenko në Bjellorusi. Mirëpo pavarsisht shkakut, protestuesit kanë një kriter të fortë, pikërisht thyerjen e kultit të individit dhe sundimin e palëkundur të ligjit. Pasi ashtu si Lukashenko, Putin, Erdogan, Orban, edhe Vuçiç bën sfida publike, ose shfaqje publike, me deklarata se protestuesit janë huliganë apo agjentë, llum social, që pengojnë integrimin dhe dëmtojnë imazhin e vendit. Megjithatë e ka mbajtur gjëndjen tërhiq e lësho pasi e ka kuptuar se protesta është mbi opozitën, që dmth, zëmërimi social është në vlim. Dhe bash këtij zëmërimi, u janë bashkuar studentëve pedagogët, shoqërisë gjykatësit dhe prokurorët, popullit mjekët dhe inxhinierët, pra një total pa kompromis i devizës ku sundon ligji dhe jo individi.
3) Rreth 700 kilometra më poshtë Beogradit, analogu i Vuçiçit ka edhe ai plot 12 vjet që qeveris. Madje Tirana është tashmë plot 12 vjet më poshtë se Serbia, por që ndryshe nga ajo, edhe pse nuk janë rrëzuar platforma por janë vrarë njerëz me gjakftohtësi nga shteti, protestat kanë qënë spontane, studentëve nuk u janë bashkuar pedagogët, shoqërisë nuk i janë bashkuar gjykatësit dhe prokurorët, popullit nuk i janë bashkuar mjekët dhe inxhinierët, përkundrazi ata janë bërë pjesë e kultit të individit në sundimin e tyre në grupe interesi, si parti politike, shoqata apo fondacione ku xhirohen dhe pastrohen paratë e pista të drogës, armëve, prostitucionit. Madje shtresa të tjera janë sekserë kartash identiteti, racionatorë garantimi në blerje votash, duke kufizuar kështu totalisht mundësinë e zgjedhjes së lirë të individit, me frikë, vlim nervash, urrejtje, vrasje, shfarosje të gjithçkaje që ka lidhje me demokracinë.
4) Çfarë i ndan kaq hapur shqiptarët, të cilët shohin më shumë interesin e tyre se atë kombëtar? Për shembull përse e pranojnë kaq me kollajllëk të shesin edhe tokën, asetet strategjike, si ishullin e Sazanit, apo portin e Durrësit? Çfarë i ndan kaq thellë, në vend që të ndërtojnë hekurudha mes Tiranës dhe Prishtinës, të unifikojnë sistemin arsimor, logjistik, ekonomik etj.? Të dyfishojnë rrugët dhe të lehtësojnë komunikimin mes tyre, Tiranë-Prishtinë. Çfarë i bën të duan më shumë kultin e individit të tyre, se sa kultin e shenjtë të kombit, njeriut, demokracisë, vetveten, etj.? Cfarë i ndan që nuk bashkohen në protesta pasi u janë rrëzuar me dhjetra platforma mbi krye, u janë zhdukur rrugët e komunikimit dhe askush prej idividëve të tyre nuk ka një program ku të përfshihen, shpallen nuancat e para të çështjes kombëtare? Asgjë tjetër, verbëria.
© Ilir Levonja