Zgjedhjet në Kosovë - Joe DioGuardi përkrah rizgjedhjen e Albin Kurtit
- Published in Bota Shqiptare

Një ditë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që do të zhvillohen nesër më 9 shkurt në Republikën e Kosovës, ish-Kongresisti republikan dhe Presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka publikuar mesazhin e mëposhtëm në faqen zyrtare të organizatës në rrjetin social Facebook:
Të dashur miq dhe përkrahës,
Si ish-Kongresist republikan i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA dhe si President themelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dëshiroj të ndaj me ju besimin tim të sinqertë se është thelbësore që të mbështesim rizgjedhjen e kryeministrit Albin Kurti më 9 shkurt 2025.
Sikurse theksoi Shirley Cloyes DioGuardi në artikullin e saj më të fundit, “Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani përfaqësojnë demokracinë”, dhe “qeveria aktuale ka treguar se po punon për të mbrojtur interesat e vendit dhe ka pasur forcën për t'u bërë ballë hapave që do të kishin copëtuar Kosovën në një kohë kur demokracia është në krizë në disa pjesë të Evropës Perëndimore dhe Lindore”.
Kryeministri Kurti dhe partia e tij në pushtet Vetvendosje kanë treguar se do të punojnë për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe për arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Evropën Juglindore. Gatishmëria e kryeministrit Kurti për t'u ulur në tryezën e bisedimeve me Serbinë vetëm pasi që Beogradi të njohë pavarësinë e Kosovës është thelbësore për arritjen e këtij rezultati. Përndryshe, Kosova e pavarur do të coptohet dhe do të dështojë pasi të ketë arritur aq shumë sukses që nga njohja e pavarësisë së vendit në shkurt të vitit 2008.
Mbi të gjitha, kryeministri Kurti ka treguar se Kosova vazhdon të jetë forca më properëndimore, prodemokratike dhe promultietnike në zemër të Evropës Lindore.
Të gjitha të mirat,
Joe DioGuardi
President
Foto: RRIM Photography