Trashëgimi

Arsimi - Nga Izet Bebeziqi

Eseja e Izet Bebeziqit mbi arsimin është shkruar rreth 90 vite më parë. Publikimin e saj na e mundësoi nipi i autorit, Bamir Bebeziqi, i cili jeton dhe punon në Kanada. Po kush ishte Izet Bebeziqi? Ja si e ka përmbledhur shkurtimisht biografinë e mjeshtrit publicist, shkrimtari dhe gazetari Artan Gjyzel Hasani, edhe ai prej vitesh i vendosur në Kanada.

Izet Bebeziqi u lind në Shkodër në vitin 1905, në një familje shqiptarësh të Podgoricës. Që në moshën 13 vjeçare, në vitin 1918, familja e dërgon me studime në Grac të Austrisë, ku ndoqi gjimnazin klasik dhe mbaroi studimet universitare për filozofi dhe letërsi. Jetoi në Austri plot 16 vjet, deri në vitin 1934. Njohës dhe bashkëpunëtor i "Babait" të Albanologjisë Norbert Joklit. Mik i ngushtë i Lasgushit dhe Çabejt. Erudit i klasit të lartë dhe një nga mjeshtrat e mëdhenj të gazetarisë shqiptare të kohës, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një poliglot i mahnitshëm, që fliste dhe shkruante lirshëm në 11 gjuhë (gjermanisht, italisht, anglisht, frengjisht, spanjisht, rusisht, serbokroatisht, turqisht, greqishte e vjetër dhe e re, latinisht). I burgosur politik në mbretërinë e Zogut. I internuar nga italianet në epokën e Fashizmit. I burgosur 7 vjet nga diktatura komuniste. Ndahet nga jeta në vitin 1982. Pas 50 vjetësh harrese totale (shkodranët e mbajnë mend atë burrin që u jepte librat në bibliotekë te sporteli) figura e tij del në skenë pas një artikulli të gazetarit Besnik Dizdari në vitin 1994, e po atë vit nderohet me titullin "Mesues i Popullit".

ARSIMI

O arsim i popullit, hyjnesha ma e nalta e të gjitha besimeve dhe e të gjith popujvet në botë!

Kuer ka për të shndritë nëpër popujt e të gjitha racat e botës fytyra e yte shkëlqim-plotë, kuer aj brez i yt, i arët ka për t’i mveshë mbarë rrokullisë së dheut?

O arsim njerzuer, hyjnesha ma magjike e botës! E kuer për nder të gjitha falëtoret t’ueja hyjnore, quajtje prej njerzimit shkolla, kan për të ndritë me germa t’arëta fjalët e Shpëtimtarit: “Kam pa dritën e, kush vjen mas meje, nuk ka për të ngelë në terr: por ka për të pasun të pamt e jetës”.

O arsim botnuer, ti hyjnesha e gjithësis, kuer ke për të muejtë t’bashkojsh ndër falëtoret tuaja të hyjnueshme të gjithë fëmijt e dheut, t’i ushqejsh pa dallime nektarin tand jetdhanës e t’i lavrojsh mendet e tyne, t'i ndritsh me dritën tande të gjithfuqishme dhe zemrat e tyne t’i fisnikojsh me bujarinë tande engjullore?

Fëmijt e botës, o arsim, presin at dit të madhe, tuj pas besim të plotë se ka për të ardhë: “Agimi do të vijë edhe pak, terrina do të zhduket e zani i yt ka për të marrë hov e për të rigue me shkulma t’arët nëpër qiell e dhe”

E atbotë fjalët tueja, melodit e kandshme që i di veç ti, kan për t’ushtue në të gjitha luginat, ndër të gjitha malet e ndër të gjitha vendet e popullueme.

E atbotë, oh atbotë ka për të ba hie mbi dhe, Parrizi i Tokës, pse dhen ka për ta mbulue Njerzimi i Lavruem: Njerzit e mendshëm si hyjnit, plot hire, si engjujt, t’kandshëm si fëmijët, të vjefshëm si bleta e të butë e të argumentueshëm si fluturat!

Veç athere, o arsim njerzuer, ka për t’u çfaqë në njerzim të zbutuem e të bujaruem, jeta e vërtetë në këtë shtiell bote, jeta e zgjuet e njeriut.

O arsim i popullit, hyjnesha ma e nalta e të gjitha besimeve dhe e të gjith popujvet në botë. Arrijtjen e shpejtë t’asaj dite të madhe, që do ta numrojë me ty, njerzimi po e pret me padurim, ngulë në besim të vetin të plotë, se do të vijë edhe pak…