Trashëgimi

Qeveria bën trotuaret, austriakja Marianne Graf malet e Verilindjes - Nga Ndue Dedaj

Ndue Dedaj

Marianne Graf është një emër i mirënjohur në Shqipëri e Kosovë. Shumëkush e ka dëgjuar, por jo të gjithë e njohin nga afër, pasi atë nuk mund ta takosh shëtitoreve. Nëse doni ta takoni, duhet të merrni udhën për në skajet më të largët të Mirditës, atje ku nuk vete as mushka, në fshatra si Spaçi, Tranga e Selitës, Vela, ku ajo bën ura dhe udhë për të lidhur lagjet, restauron kulla të vjetra, ndihmon nxënësit e shkollave, të moshuarit, të sëmurët, ngre stacione malore për turistët, siguron zjarrfikëse dhe pajisje për shuarjen e zjarreve nga pylltarët etj.

Punët e saj s’rreshtin edhe atëherë kur mbi bjeshkë ulët dimri me tre metra dëborë. Ka ndërtuar në Rubik “Infokullën”, një qendër informacioni muzeore për turizmin e zonave Verilindore, e vetmja në Shqipëri e këtij lloji dhe është në përfundim po aty një qendër përpunimi agrobiznesi, që do t’iu vijë në ndihmë fermerëve. Asgjë që ka të bëjë me zhvillimin rural shqiptar nuk është e huaj dhe e pamundur për të. Është me plot kuptimin e fjalës një misionare në kohë moderne, por mos mendoni se do ta shihni ekraneve televizive duke treguar bamirësitë e saj dhe bujarinë e austriakëve ndaj nesh.

InfoKulla Rubik

Ish-pedagogia e Universitetit të Gracit, Dr. Marianne Graf, ka tridhjetë vjet që ka lënë katedrën dhe jep ndihmesën e saj të pallogaritshme në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë. Rubiku është një medalje “ekskluzive” e saj, që nuk mund të përshkruhet me pak radhë, pasi janë shumë objekte që janë marrë në dorë, ose janë ndërtuar të rinj, ndër të cilat disa shkolla dhe qendra shëndetësore, dy pallate nga themelet për njerëzit nevojtarë të pastrehë, një qendër sociale për të moshuarit, shtigjet e thepisur për hiking me sinjalistikë dhe vendpushime, që të shpien drejt kalasë së vjetër dhe guvës së piktogrameve, simbolin e përbashkët të paqes së feve abrahamite te Kisha e Shëlbuemit etj.

Ku nuk është shtrirë ndihma e saj, sa te shoqata muzikore e drejtuar nga Zef Çoba në Shkodër, sa te rivitalizimi i një vargu kullash nëpër male, duke ruajtur strukturën origjinale të tyre. Vite më parë, në Shulbatër të Matit, i tërhoqi vëmendjen një kompleks i vjetër kullash në një kodër dhe mbështeti të zotët e tyre që t’i kthenin në bujtina turistike, gjë që më pas e bëri dhe në Bulqizë me “Kullën Hupi”. Po kështu, në Mirditë ndihmoi disa familjarë që t’i shpëtonin kullat e tyre të vjetra, që po iu binin çatitë etj. Projektet e saj synojnë ndërtimin e një infrastrukture që fokusohet te fëmijët dhe të moshuarit, duke krijuar qëndrueshmëri në zonat e varfra dhe mundësi për të ardhmen, që të rinjtë të qëndrojnë në atdhe.

Ndaj kanë qenë përparësi shkollat, kopshtet, çerdhet, për çka ajo dhe stafi, më të cilin punon ka marrë falënderime të shumta. Marianne nuk mund të pranonte që rruga për të shkolla e Rrapës në Pukë të ishte gjithë gropa dhe me baltë në mot me shi, ndaj siguroi paratë dhe e shtroi me asfalt, duke gjykuar se mund të përdoret dhe mbasdite e në ditët e pushimit për lojëra dhe veprimtari sportive. Zonja Graf bashkëpunon me pushtetin vendor, me banorët, prek gjithçka nga afër, mban shënime nga terreni, fotografon, krijon ide dhe sapo kthehet në “studion” e saj, që nuk është ndonjë zyrë e mobiluar në Austri apo Shqipëri, por një dhomë hoteli a diçka e ngjashme, ku ajo nis e skicon vetë gjithçka që nesër do të nisë të marrë formë në qytete apo fshatra.

Fletoret e saj janë plot skica, përllogaritje, data që kanë të bëjnë me punimet. Sheh se si merimanga e pishës, “procesionarja”, tejet e përhapur, bën kërdinë në pyje dhe ndërmerr një projekt në bashkëpunim me pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës për luftimin biologjik të saj në zonën e Gurth-Spaçit, në 125 ha pishë, pas një pune laboratorike që dha rezultat. E nuk ndalet, mali, pylli, natyra është poema e pakryer e saj, që ajo i shton strofa të reja çdo ditë. Marianne thotë: “Pashë situatën dëshpëruese të zjarreve vitin e kaluar, u shkrova të njohurve, donatorëve në Austri dhe arrita të merrja disa ndihma, siç ishte një makinë zjarrfikëse dhe pajisje të tjera.

Bëjeni vetë krahasimin, qarku Deutschlandsberg në Austri ka të njëjtën madhësi me Mirditën dhe në raport me popullsinë ka 31 grupe vullnetare të zjarrfikësve me përafërsisht një mijë vetë dhe 114 automjete emergjente, kurse Mirdita ka vetëm një repart shtetëror me 15 zjarrfikës dhe 2 mjete emergjence”!? Nëse shumë të tjerë luajnë duart nga pylli, ajo vepron konkretisht. E di që pylli nuk mbrohet me fjalë, burokraci, kontrolle rutinë, por me punë të organizuar, me vullnetarë, me mjete. E gjen të përshtatshme ta citojë diku thënien e Martin Luterit: “Nëse do ta dija që bota do të mbaronte nesër, do të mbillja ende një pemë molle sot”.

Spaçi, njëri nga stacionet e saj të punimeve, është pjesë e malit të Munellës, habitatit të rrëqebullit të Ballkanit, që mbrohet nga banorët prej vitesh falë ndërgjegjësimit që kanë bërë shoqatat përkatëse, por dhe ajo. “Çdo përpjekje e jona, thotë Marianne, duhet të vlejë për të mbajtur natyrën në ekuilibër. Na duhen pyjet më shumë sesa e mendojmë, jo vetëm për ajrin e pastër që thithim, por dhe se ngadalësojnë ndryshimin e klimës, janë të rëndësishëm për rreshjet, ujin e pijshëm e atë për ujitje. Shkurt, mungesa e burimeve natyrore është si mungesa e drithërave…”. Mos u habisni kur të lexoni diku në ndonjë shteg mali: “Janë të lutur të gjithë vizitorët që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë mbrojtjes dhe pastrimit të mjedisit”. Është fjala për udhëtarët që ngjisin çdo fillim qershori Malin e Velës deri në lartësinë 1170 metra dhe që ushqimin mund ta porosisin dhe në “Mountain Station”, ideuar e financuar falë saj. Ditaditës krijohen kushte që shtegtarët të shijojnë mrekullinë natyrore jo pak ekzotike, nga ku detin Adriatik e ke në pëllëmbë të dorës.

Njëzet vite më parë Graf e shihte luginën e virgjër të Katundit të Vjetër si një mundësi turistike dhe mbështeti fillimisht ndërtimin e një eko-hoteli (“Marubi”), që u bë nismëtari i 6-7 resorteve të tjera turistike. Po kështu mbështeti dhe dy bujtina të tjera turistike, në Kryezi të Pukës (“Makry”) dhe në Rugovë të Kosovës (“Magra-Austria”), kjo e fundit e shndërruar tashmë në një qytezë speciale e turizmit malor, pikë referimi për të tjerët. “Ne kemi mundur të ndihmojmë shumë familje për të krijuar një jetesë të qëndrueshme në fshat dhe, në vijim të përpjekjeve për të fuqizuar popullsinë rurale, do të vazhdojmë të ndihmojmë bujqësinë dhe zhvillimin kulturor”, shkruan ajo në rrjetet sociale, përmes të cilëve bashkëbisedon me banorët dhe bashkëpunëtorët.

Në punët publike që ndërmerr nuk ka nevojë për procedura të stërzgjatura, për “dhjetëpërqindsha” e marifete të tjerë që i has rëndom në administrate. Ti si qytetar sheh se si ngrihet një objekt apo një tjetër në dobinë tënde, pa qenë nevoja që të fusësh dorën në xhep për të dhënë ryshfet. Kemi pasur rastin të jemi disa herë me zonjën Graf, ku kemi parë se si ajo fliste me njerëzit duke u bërë njësh me ta, në Rubik, Rrëshen, Perlat, Orosh, ish-burgun e Spaçit etj. Këtë të fundit e kishte vizituar që kur kishte ardhur në Shqipëri, në fillim të viteve ’90 dhe me shqetësim vërente se ishin dëmtuar dhe nuk ishin ruajtur “shenjat” e kampit të tmerrshëm.

Hoteli "Magra Austria" - Rugovë

Ajo njeh jo vetëm të sotmen, por dhe etnokulturën shqiptare, çka e dëshmon dhe libri i parë i saj te ne me titullin “Shqipëria Veriore, nga Petrela në Jezercë”. (Një copë Europë Jugore harruar), ku për ta nxjerrë këtë vend nga harresa thërret në ndihmë dhe poezinë e Martin Camajt e poetëve të tjerë. Skënder Thaçi, sot një emër i mirënjohur në turizmin kosovar, për shumë vite ka qenë bashkëpunëtori i saj më i afërt, drejtor ekzekutiv i shoqatës “Partnerschaft Albania-Austria”, ku së bashku kanë përcjellë dhe vitin 1997 në ndihmë të njerëzve të tronditur nga “tërmeti nëntëballësh” i firmave piramidale dhe shpërthimi i depove të armatimit, duke rrezikuar dhe jetën, tek dërgonin ndihma në fshatrat e largët të Tropojës etj.

Në sipërmarrje të tilla humanitare, natyrshëm përfshihen shumë njerëz të “padukshëm” për publikun shqiptar, donatorë etj. dhe në rastin e Marianne personi më i rëndësishëm mbështetës, siç thotë vetë ajo, ka qenë bashkëshorti i saj Vilhelm Graf, një inxhinier i mirënjohur në Graz. Nik Nikolli, drejtuesi i “Infokullës”, është sot bashkëpunëtori kryesor i saj, ashtu si vetë Marianne, përherë në lëvizje. Njerëz të tillë e kanë gjithnjë problem kohën, për ta vënë ata përpara atë e assesi për t’i lënë ajo prapa. Por nuk nguten për t’i përfunduar veprat e tyre para kohe dhe pa cilësi, nuk sillen si ata që duan t’ia fitojnë zemrën elektoratit me “dhuratat” qeveritare, shpesh realizuar përmes tenderash korruptivë. Graf i përfshin banorët në projekte, ajo siguron financimet, ata bëjnë punën në “shtëpinë” e tyre.

Kjo humaniste austriake e pashoqe zgjat dorën aty ka më shumë nevojë, nuk tërhiqet as nga vështirësitë e terrenit nëpër shkrepat e Mirditës, as nga vitet që i shtohen mbi supe, as nga sëmundja e rëndë që ia doli ta mposhtte para ca vitesh, as nga rritja e çmimeve etj. “Edhe pse është bërë më e vështirë, unë do të vazhdoj veprimtaritë e mia të ndihmës si më parë, kam dhënë fjalën se do të jem këtu për njerëzit në nevojë e në vështirësi dhe e mbaj fjalën”. Besa e saj austriake, e shqiptuar aty ku fjala e dhënë ka qenë një kult, merr dhe më shumë kuptim. Tre fshatrat që përmendëm në krye janë gjurma e fundit e punës së zonjës Graf në kreshtat më të epërme mirditore, ku nesër mund të shkosh për natyrën e pazakontë, për t’u çlodhur, për ushqimet bio, për të medituar, për lojëra sportive dimërore, për hipizëm etj.

E vërteta është se në ato lartësi nuk lulëzuan dot dje “fshatrat e rinj socialistë”, ku kinse do të vente me gëzim për të punuar e jetuar rinia, që i pati trumbetuar aq shumë Enveri, nuk kuptohet nëse përfunduan apo mbetën në kuadrin e propagandës 100 fshatrat turistikë që mori zotim kjo qeveri para pak vitesh, por gjithsesi po bëhen nga vetja Fishta, Katundi i Vjetër, Perlati, Spaçi, Vela, Tranga e të tjerë, si embrione të fshatrave malorë të Evropës, nga vjen zonja Graf, e cila ndërton atë që di të bëjë më mirë vetë, në turizëm, agrobiznes, kulturën e jetesës etj. E gjitha çka duhet në malësi sigurisht nuk mund të bëhet nga një njeri, edhe sikur të jetë me flatra, por e rëndësishme është nisja, vizioni se ku do të mbërrihet dhe shembulli i krijuar, tërheqja e vëmendjes që qeveria të mos mbetet vetëm në trotuare.

Ngjitja e misionares në lartësi malore të “egra”, që puthin qiellin, për të gjetur të bukurën rurale, është sinjali për qeverinë për t’i kthyer dhe më shumë sytë nga malet, siç dhe ka investuar në Ulëz, Tamarë, rrugën e Thethit etj. Kundrojmë një fotografi “aventure” ku Marianne ka dalë në Trangë buzë kanionit madhështor të Urakës, ku as dhitë e egra nuk kalojnë, po ku pritet të venë turistët, pasi ajo ka mundësuar rrugën, ka ndihmuar në restaurimin e kullave, ka bërë dhe një shpim për të dalë uji me pus etj., pasi për të menaxhimi i ujërave të shiut në malet e Shqipërisë është një nevojë: “Po përpiqemi që të mos humbasë asnjë pikë uji shiu në zonat me pak reshje gjatë verës, duke përdorur ulluqet dhe cisternat (depot) e punuara me gurë nga mjeshtrit vendas”, shkruan ajo si në një ditar online. Ka pasur një traditë të mëparshme, lerat për blegtorinë në bjeshkët e Oroshit, Fushë-Lugje, që e ka marrë emrin pikërisht nga lugjet e ujit.

Nuk janë në stilin tonë epitetet, por zonja Graf është një grua e jashtëzakonshme. Filozofia e saj është për të pasur sa më shumë sheshe ndërtimi, edhe si një përballje me luftërat, krizat, zjarret, thatësirën, katastrofat natyrore, përmbytjet etj. “Dëshpërimi dhe tërheqja do të ishin një gjë, ndërsa guximi dhe besimi është një tjetër. Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të ndërtojmë rrugë fshatrash dhe ura për të gjetur njëri-tjetrin dhe për të ofruar ndihmë kur është e nevojshme, për të krijuar mundësi jetese për banorët e fshatrave malorë”.

©Ndue Dedaj