Trashëgimi

Një monument për heroin-njeri Agim Ramadani

 Nga KLITON NESTURI

Të flasësh apo të shkruash për Heroin, kur ai nuk është më mes të gjallëve, është shumë e lehtë. Mjafton të dish të ndërtosh fraza të bukura me fjalë goditëse dhe prekëse dhe ia ke arritur qëllimit. Madje-madje, ta bësh edhe veten protagonist të jetës dhe veprës së atij për të cilin flet apo shkruan, pavarësisht se mund të mos e kesh njohur kurrë më parë. Kjo sëmundje tipike shqiptare, vazhdon të mbetet e fortë edhe sot, në shekullin e XXI. Ajo i ka rrënjët në patriotizmin folklorik, i cili vazhdon ta ndjekë nga pas jetën shqiptare prej mjaft dekadash. Këtë e ndeshim rëndom sot në shkrime e libra të ndryshëm, në përkujtimore, emisione dokumentare radio-televizive. E ndeshim aq shumë, sa që me të drejtë pyesim veten: A kemi me të vërtetë kaq shumë heronj dhe heroizma? Harrojmë se gjithësecili prej tyre ka bërë veçse detyrën ndaj familjes, shoqërisë dhe atdheut.

Në monografinë “Agimi i Lirisë“, përgatitur nga Ibrahim Kadriu, nuk ndeshim asnjë hero prej heronjve të vjetër: as Gjergj Elez Alinë, me trupin e mbuluar nga varrat, as trimin e çartur që ndonëse me kokë të prerë vazhdonte të luftonte ndaj armiqve, as për ndonjë marri tjetër, të marrë prej legjendave, të cilat sot në kohët moderne shëmbëllejnë me filmat horror. Nuk ndeshim në këtë monografi as Heroin e ri, të cilin duhet që ta farkëtojmë për ta vënë ne muze, për hir të interesave të reja të kombit. Përkundrazi, monografia “Agimi i Lirisë“ është një vepër për Njeriun Agim Ramadani, brenda së cilit gjendet piktori, eseisti, ushtaraku, poeti, luftëtari, nacionalisti, është koha në të cilën ai ka jetuar bashkë me dhimbjet, sakrificat dhe dashuritë. Për hir të së vërtetës, Agim Ramadani, me të drejtë, pas rënies për kauzën e rëndësishme të Lirisë, u shndërrua me të drejtë në një mit. Kontributet e tij, ia japin këtë të drejtë, pavarësisht se ky Njeri, nuk e ka menduar kurrë një gjë të tillë, nuk ka luftuar kurrë për t´u shndërruar në Mit.

Monografia që tash kemi në dorë na jep portretin e Agim Ramadanit në shumë dimensione, ku spikat veçanërisht humanizmi dhe dashuria e tij për njerëzit që e rrethojnë dhe vendin. Pa frikë mund të thuhet se ajo në tërësinë e saj mund të konsiderohet një vepër e plotë monografike, jo vetëm në formën dhe gjerësinë e saj, por edhe në stil. Në pamundësi për të qenë deri në fund narratori i jetës së tij, Agim Ramadani vjen nëpërmjet kujtimeve që ka lënë pas te bashkëkohësit, të cilët e përshkruajnë çdo histori dhe detaj me sinqeritet, pa u nisur të glorifikojnë Heroin. Është vetë jeta e Agim Ramadanit ajo që ka heroizmin dhe protagonizmin brenda. Në fund të fundit, si një njeri që ka jetuar në një epokë moderne, Agim Ramadani ka qenë vetë heroi i jetës së tij, çka e ka reflektuar edhe te të tjerët. Është pikërisht ky fakt, që e bën atë sa njerëzor, po aq edhe titanik.

Në planin ushtarak, për të gjithë ata që nuk e kanë njohur, Agim Ramadani shfaqet si një strateg. Shkrimet e lëna prej tij dhe rrëfimet e bashkëluftatarëve të tij, e dëshmojnë këtë gjenealitet. Kjo është edhe arsyeja se përse ai spikati aq shumë gjatë periudhës së Luftës së Kosovës, duke u bërë në mënyrë të natyrshme një prej figurave kryesore, duke lëshuar hijen e tij edhe mbi disa syresh të cilët nuk patën ndonjë rol të rëndësishëm në këtë luftë për jetë a vdekje, por që sot rrahin gjokset duke rendur për të marrë sa më shumë merita, e që lypin t’u këndohet kënga qysh sa janë gjallë. Agim Ramadani ishte  një ushtar i atdheut, i gatshëm për të sakrifikuar në vijën e parë të frontit. Rënia e tij heroike, e dëshmoi jo vetëm si luftëtar, por mbi të gjitha si Njeri, për të cilin jeta e tij kishte të njëjtën vlerë sa ajo e bashkëluftëtarëve që kishte pranë.   

Shpesh, kur kemi folur për jetët e Heronjve me të ciët kemi mbushur librat e historisë, e kemi ngritur atë në qiell, pa hyrë në qoshëza intime. Si për ironi të këtij fakti, kjo monografi hyn shumë thellë jetës së Agim Ramadanit, duke zbuluar para nesh të padukshmen dhe njerëzoren. Nuk është marrëzi të flasësh për dashurinë e madhe të një Heroi, por është turp të heshtësh për ndjenjat e Njeriut. Kjo përbën plotërinë, rrëfen shpirtin ashtu siç ai ka folur dhe ndjerë vërtetë. Marrdhëniet me të dashurën, e cila më pas u bë edhe bashkëshortja e tij, vijnë krejt natyrshëm në këtë vepër. Histori intime që herë të lë pa frymë, e herë të ngazëllen apo të bën të përlotesh. Është një libër i bukur që pret të shkruhet më vete.

Krijimtaria e tij e plotë, e përmbledhur në këtë monografi jep një fizionomi më të plotë të Agim Ramadanit. Ndonëse e botuar më herët në përmbledhjen poetike “Një tjetër jetë“ apo në faqe gazetash e revistash, ajo qëndron më së miri edhë në këtë vepër. Krijimtaria e tij nuk është e madhe sa një det, as e vogël sa një përrua. Për moshën, kohën dhe rrethanat kur jetoi Agim Ramadani, ajo është e mjaftueshme. Ndoshta ky poet dhe eseist mund të kishte shkruar edhe më shumë. Ndoshta. Por edhe kaq sa ai na ka dhënë, mjafton për ta quajtur Agim Ramadanin me plot gojën poet. Një poet të ndjeshëm, në vargjet e së cilit vazhdimisht çdokush sheh diçka nga vetja dhe kohët që jetuam dhe jetojmë. Thjesht, pa bujë e zhurmë, vargjet e tij kanë hyrë dhe zënë vend në krijimtarinë më të mirë të autorëve shqiptarë. Pavarësisht prej numrit të tyre, krijimtaria e Agim Ramadanit duhet të hyjë në optikën e kritikës letrare, ashtu siç ka hyrë dhe është bërë pjesë organike në mjaft dokumentarë dhe faqe pafund gazetash e revistash. Nuk ka vlerësim më të madh për një poet se sa një përjetësim i tillë. Apo mos duhet më shumë për të quajtur dikë poet të vërtetë? Pavarësisht kohës se kur janë shkruar, në poezitë dhe shkrimet e Agim Ramadanit jetojnë bashkë Fjala dhe Mendimi. Në historinë e letërsisë ndeshim fate të ndryshme shkrimtarësh; ka prej tyre që kanë shkruajtur pak dhe kanë lënë shumë, ashtu siç ka prej atyre që kanë shkruajtur shumë dhe nuk kanë lënë pothuajse asgjë. Agim Ramadani ka të drejtën të marrë atë çka i takon me të vërtetë.

Kjo monografi është një punë e kujdesshme dhe tepër profesionale, madje unike në llojin e mëyrës së trajtimit. Jeta dhe krijimtaria e Agim Ramadanit, nisur prej vlerave të vërteta, është bërë pjesë e diskutimeve dhe opinioneve të shumta deri më tash. Por edhe kjo monografi, kam bindjen se do t´i shtojë edhe më shumë diskutimet dhe opinionet për Agim Ramadanin. Brenda këtyre faqeve ai nuk shfaqet si nje hero arkaik, por përkundrazi, si një hero modern, i denjë për të bashkëbiseduar me bashkëkohësit por edhe me ata që vijnë më pas. Në vetvete, kjo monografi, për nga forma dhe mënyra e realizimit, nxit mendime dhe hap debate. Ajo është dëshmi e trajtimit me dinjitet të Njeriut dhe Heroit, një model, i cili për shumë kohë do të mbetet i paarritshëm dhe i paimitueshëm.