Moikom Zeqo, Poeti që kalëron me Kohën - Nga Vangjush Ziko
Vangjush Ziko - Kanada
Dy vite pa dhe me Moikomin...
Kam mbi tavolinë ciklin e poetit Moikom Zeqo të shkruar në vitin 2004.
Janë 17 poezi, të cilat i lidh një temë unike, kredoja e tij poetike dhe filozofike, pasioni dhe përkushtimi i tij i tërë jetës së vet krijuese, një “prolog” alegorik, një paralele metaforike e kredos së tij krijuese.
Poeti rri përballë detit i menduar. Ndjek gjurmët e mendimeve dhe pyet i habitur veten e vet: “Kush - i dha - një liri, - kaq të pacak - edhe ndërgjegjes sime, - endacake?”.
Përgjigjen poeti na e jep nëpërmjet alegorisë së “Tre Magëve” biblikë, që shtegtuan për të gjetur “kuintesencën” e lindjes së një besimi të ri, të një krijimtarie të re dhe të paparë, të paktën, në historinë e poezisë sonë. Ai është i bindur se ka arritur të ndërtojë sistemin e një ligjërimi krejt të ri poetik të “gjurmëve të tija”, që shkëlqejnë “mbi pllajën e mendimeve”.
Këtë ai e arriti në mënyrë të ndërgjegjshme me aktin e vetëflijimit, duke ia kushtuar jetën e vet punës së palodhur dhe të frymëzuar, plot sakrifica individuale për të shkruar pa rreshtur dhe për të botuar deri në çastet e fundit të jetës së vet.
Ai “kalëron me Kohën, me jele ankthi dhe patkonj tipografikë”, duke e ruajtur ndërgjegjen e vet të lirë nga dogmat e kohës, nga “sundimi” i metodës së Realizmit Socialist, duke shkruar dhe botuar korpusin voluminoz të veprave të veta avangardiste. Ai i ka mbushur “humnerat bosh” me vetëdijën e plotë krijuese duke i bërë këto “dete të plotë, - të tallazitur”.
Për këtë ai luftoi me veten e vet, me sëmundjen e pabesë dhe me kohën. Lufta e tij ishte me “tigrat e fjetur të gjakut”, që zgjohen shqyejnë - ëndërrat - dhe realitetet”. Ai qëndron “përtej mashtrimeve të fakteve të shpikura!”
Ky përkushtim plot sakrifica personale e ngriu dhe e shndërroi në një “ikonografi prometeike”. Ai vuan dhe ndihet mirë nga kjo vuajtje. Ai e ndjen veten një murg, “rishtar”, që ndriçon me krijimtarinë e vet. E quan veten dishepull të “Dionisit të pavdekshëm”, perëndisë mitologjike të vreshtave, të verës, të fuqive ripërtëritëse të natyrës. E ndjen veten “dishepull të Budës”. Përjeton dehjen dioniziake dhe magjinë e meditimit të nirvanës budiste. Ai nuk ua vë veshin fare ëngjëjve të qiellit që i drejtohen atij për ta “shpëtuar nga mëkati”: “Kerubinët – më thërrasin, - janë larg, - zërat, - i kanë shurdhues! - Po unë - s’u shkoj pas!”. Poeti “s’ka më nevojë, për vizitat e perëndive!”. “Vdekja - është - Shakaja e vockël”, që mund të bëjë Zoti me të. Ai e pranon që është një ëngjëll i ndëshkuar për këtë mosbindje:
“Njëqind ëngjëj bronxi - të Parajsës - derdhen - për statujën time të Ferrit!”
...............................
“Këmbëzbathur - përplasem - tek Porta e Pranverës!”
..............................
“Me gjakun tim, - surrealist - Salvator Dalia, - pikturon - më tepër Luçiferrin, - se sa Krishtin!”
.............................
“Nga një Tjetërkohë - shikoj - dhe hesht!”.
Me këtë ligjërimi surrealist Poetit shprehu pikëpamjet filozofike dhe estetike, ëndrrat dhe përpjekjet e veta për një art të ri të shkruar, jo me një gjuhë të zakonshme, gjuhë të përditshmërisë, por me një gjuhë të re paradoksale. I tërë cikli është një “poemë kaleodoskopike”.
Moikomi nuk ka poezi monotematike. Karakteristika më e veçantë, jo vetëm në aspektin grafik, është bashkërenditja e poezive të caktuara në një cikël të vëllazëruar tematikisht. Sinkretizmi tematik i krijimtarisë së tij poetike, për mendimin tim, është forma më adekuate, që i mundëson lexuesit inteligjent rrokjen dhe shijimin maksimal të ligjërimit të tij poetik, rilevimin e vlerave artistike dhe estetike të vërteta të poezisë moikomiane. Kjo formë i ngjan një gjerdani fantastik me brilantë të veçantë, që e jep të plotë bukurinë dhe magjinë e këtyre “brilantëve”.
Në këtë cikël Moikomi gërsheton tema për fatin e “poetëve të dikurshëm”; për “shpirtrat e humbur të derdhur në kallëpë prej ari”; për realitetin që grish për ta vrarë; për botën e ndryshuar nga imagjinata; për gojët e statujave që klithin; për poetin “shtyllë kurrizore të ideve”; për shpirtin e masakruar etj. tema të lidhura spontanisht dhe çuditërisht në një ligjërim unik të paparë. Ai bashkërendit motive, në dukje të largëta, por që janë pjesë e një së tëre, e cila krijon një rrjedhë të çuditshme të mendimit dhe të kredos së tij poetike.
Në librin “Centauri i fundit” ai shkruan: “Poeti artikulon me syfytyra shekujsh. Ai i jeton në një kohë të gjitha kohërat”.
Moikomi është idhtar i ligjërimit kuantik, ku çdo varg e çdo poezi është një “grimcë”, një njësi më vete, që në të njëjtën kohë mbart vetitë e së tërës, vetitë e vetë “rrymës”, të ligjërimit të vet.
Leximi i veprës së Moikomit kërkon një lexim alternativ, vertikal, jo lexim horizontal. Lexim jo i lehtë, por jo i pamundur.
Moikom Zeqo është dhe do të mbetet një Meteor i Ndritur në qiellin e kulturës dhe të artit tonë bashkëkohor. Ai na habiti dhe na trazoi me frekuencën e lartë të mendimit dhe të frymëzimit të tij. Dikush nuk e kuptoi. Dikush nuk e vlerësoi. Dikush mbylli sytë e lbyrur nga ai ndriçim. Të tjerë i ngazëlloi dhe i magjepsi!
Moikomi, në mënyrë profetike, shkruan:
“Koha - është mosbesuese, - por Hapësira - e di, - i Zhdukuri i Madh, - do të kthehet - një ditë - më në fund! - Ave! - Ave!”.
“I zhdukuri i Madh” është Luçiferri i Biblës, ëngjëlli rebel, i përjetshëm si edhe vetë Zoti, që e mohoi.
Moikom Zeqo ishte dhe mbeti një ateist i vetëdijshëm deri në fund të jetës së vet fizike.
Simbolika biblike e krijimtarisë së tij është një metaforë e paparë artistike. I tillë është edhe thelbi artistik dhe filozofik i ligjërimit të tij poetik. Ai nuk flet, thjesht, për veten e vet, por për një bindje të palëkundur dhe besëplotë, në aspektin artistik dhe atë estetik, se ky Art i Ri, ende i pakuptuar si duhet, është një e ardhme edhe e poezisë sonë kombëtare.
©Vangjush Ziko



