Trashëgimi

35 vite pa Kujtim Spahivoglin - Nga Përparim Kabo

Përparim Kabo

Shumë dhe pak, por më shumë se kjo kohë, kjo periudhë është ose heshtje, ose një lloj përkujtimi jo i sinqertë, ose, siç thuhet në Kodin Zakonor: “Be e rrejtshme”.

Në këto 35 vite, ende nuk kam dëgjuar që dikush të thotë: “Unë e bëra këtë gabim ndaj Kujtim Spahivoglit”, … “Unë u thirra në zyrat e Sigurimi të Shtetit dhe, nën peshën e frikës, fola kundër Kujtimit”.

Nuk ka dalë ende një burrë zakoni (ai që vriste, sipas kanunit, duhet të pohonte: “Vrasjen e bëra unë!”) Ndjesë, jam i turpëruar!

“U thirra në Komitetin e Partisë apo në Organizatën e Partisë së "Institutit të Lartë të Arteve" dhe m’u bë presion dhe shantazh që të deponoja kundër kolegut tim, Kujtim Spahivogli, për të cilin kisha edhe një lloj xhelozie, sepse më trembte kultura e tij, dashuria për një teater ndryshe, më modern, larg skemave ideologjike.”

Kështu, duke heshtur e duke hedhur pluhur harrese, mëkatarët që janë ende gjallë, janë me bindjen se 'ujërat do rrjedhin' dhe asgjë nuk do mësohet se si dhe çfarë ndodhi. Kush e bëri atë veprim, si spiun primar apo si bashkëpunëtor që ky yll i regjisë teatrore të shndërrohej në një kometë dhe më tej të braktisej në një mizerje, duke jetuar në kushte krejt antinjerëzore, vetëm me nënën e tij.

Cilët janë ata që i duan artistët e mëdhenj të shpërdoruar, të ndaluar dhe tani, në këtë periudhë të demokracisë, edhe të lënë pas derës së harresës?

Ndodh që institucionet edhe kujtohen herë pas here, por ka më shumë veprimtari nderuese, sesa një anatomi humane për atë se çfarë ndodhi, pse ndodhi, kush duhet të mbajë mbi shpinë gurin e pendesës!

“… U godit rëndë nga pleniumi i katërt i Partisë së Punës”, ...

Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në Ndërmarrjen e Bonifikimit, në Fier.

“… Ja, e lexuam dhe këtë fragment zyrtar! Eh, çfarë kuptuam?”

Personalisht, nuk e kam njohur Kujtim Spahivoglin; fati nuk e deshte, sepse unë kam qenë shumë i ri, por artin e tij e kam shijuar.

Drama e tij, me titull “Një shok i klasës sonë”, tronditi shoqërinë e asaj kohe. Njerëzit që pelegrinonin për në Tempullin-Teatër, ndryshuan kahje; ata u dyndën në Institutin e Lartë të Arteve. Një dramë dashurie apo më shumë një dramë dinjiteti?

Ishte kjo e dyta, që tejkalonte klishetë e kohës dhe mënyrën ideologjike të konsiderimit të personalitetit të atij apo asaj, që, nëse dilte nga kjo “nofull” e moralit klasor të partisë, në mënyrë perfide, e shpinte shoqërinë tonë në degjenerim.

Që nga koha e Sokratit, historia e njerëzimit e ka ndeshur këtë situatë. Individë që, të gatuar nga liria, e tejkalojnë mendësinë e kohës së tyre, dhe, si të tillë, ata sulmohen si të rrezikshëm dhe të dëmshëm për rininë… I tillë, pra, në këtë grup “të nëmurish” u përfshi edhe Kujtim Spahivogli. Teatri që ai ndërtoi në skenë, kishte si parim “vërtetësinë e njeriut”, që ai të shfaqej ashtu siç ishte, ndaj dhe disa nga vëniet e tij skenike, tronditën.

Mbaj mend dramën “Shtëpia në bulevard”; një dashuri e prishur, e ndalur, një fëmijë në fetus, që nuk duhej vrarë, por duhej sjellë në jetë. Me Pjetër Gjokën dhe me Edi Luarasin. Kurimi regjisorial i grimasave shpirtërore, përjetimi i dialogëve, ndërtimi i figurave dhe një loje prej materiali të butë njerëzor, ku dhimbja, “ turpi”, dinjiteti dhe dashuria njerëzore, duhej të triumfonin!

Sot, ka një Teatër Eksperimental me emrin e tij., teatri “Kujtim Spahivogli”. Ky është një gjest dhe vlerësim serioz. Ne kishim disa regjisorë të mirë dhe shumë të mirë: Pirro Mani, Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli. Të tre të shkolluar jashtë; Mani dhe Spahivogli, në ish-Bashkimin Sovjetik, Luarasi, në Hungari. Pirro Mani shquhej për skenat masive dhe të vrullshme, ku jeta në skenë gjallonte. Luarasi hynte thellë në aspektin logjik të personazhit dhe vizatonte profilin psikologjik të tyre e mbi këtë bazë ndërtonte ansamblin njerëzor të ngjarjes. Spahivogli udhëtonte me kurajo për të sjellë personazhin që tejkalonte kohën, mendësinë dhe gjendjen, si të thuash, shihte nga sfondi i një historie nga e ardhmja.

Personazhet e tij nuk ishin heronjtë vetëm e një historie të së shkuarës, por edhe të një historie që pritej të vinte, e ato shfaqje të bënin të mendoje, duke shtruar pyetjen: “Sot jemi kështu, po nesër?”

Teatri i tij ishte drama jonë shoqërore në një udhë me të panjohura, ku kryesfida është dinjiteti njerëzor. Kujtim Spahivogli, pas 35 vitesh që u shuajt, ky artist është një “kujtim”, është një mit, është një institucion apo është një meteor, që u dogj pa u vënë re, sepse heshtja dhe komploti i heshtjes ishin dhe mbeten një humbëtirë për një ish-Kujtim…

Mirënjohje, Mjeshtër!

Unë u formova me artin tuaj!

P.S. Kujtim Spahivogli vdiq më 7 korrik 1987, në gjendje të mjeruar në Tiranë. Në 30 korrik të këtij viti do festonte 90 vjetorin.

©Përparim Kabo - 7 korrik 2022