Trashëgimi

Ismail Qemali do kujtohet gjithmonë si një shenjt - Nga Ndriçim Kulla

Nriçim Kulla

Ismail Qemali erdhi në jetë në një kohë shumë interesante për historinë e vendit të lindjes. Në fëmijërinë e tij ai pati fare të freskëta kujtimet për Ali Pashë Tepelenën, i cili ishte udhëheqësi i parë që tentoi të krijonte një shtet nën pushtimin e Perandorisë Osmane. Ismail Qemali lindi përafërsisht në atë periudhë kur farefisi i tij i gjerë e i njohur, u zhvendos nga Kanina, një ish-qytet nga më të rendësishmit e Mesjetës në Arbëri e qendër disa shekullore e derës fisnike dhe të mirënjohur të familjes së madhe Vlora, për në Vlorë, e cila deri atëherë ishte selia e një nënprefekture të vogël buzë detit.

Me siguri fëmijëria e tij e mirëarsimuar në gjirin e dy prindërve me nivel të lartë kulturor bëri të lindin në mëndjen e tij të njomë shumë pyetje të natyrshme për një djalë të ri: Kush jemi ne shqiptarët? Çfarë është gjuha që flasim? Cila është qënia jonë shpirtërore? Si emërtohet atdheu ynë? Etj., etj. Ishin dilema të natyrshme që shoqëronin atëherë në të gjithë qytetet e Shqipërisë pa përjashtim pinjollët e asaj shtrese të fisnikërisë së administratës të deriatëhershme. Në këtë drejtim përvoja politike e babait tij do ta hidhte edhe më thellë në mendime. Më vonë, kur të kalonte disa vjet të djalërisë së tij në qytetin e madh të Selanikut, këto mendime do të kristalizoheshin në pikpamje të konsoliduara për jetën që i doli para. Kishte filluar për të ai procesi i ditur i karakterit të adoleshentit që quhet “pjekuri”.

Kur Ismail Qemali filloi në vitin 1856 studimet e mesme në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, në Europë kishte më tepër se një gjysmë shekulli që kishte shpërthyer Revolucioni Demokratik Francez i vitit 1789 që hodhi parrullën e famshme “Liri-Barazi-Vëllazërim”. Ndonëse brenda Francës ky revolucion realizoi vetëm ndryshimin e regjimit shoqëror, në fakt jehona e tij në histori mbetet më e madhja që ka patur ndonjë revulucion në botë. Ideologjia që ai shpalli para popujve ishte ajo e nacionalizmit dhe shteteve-kombe me parim kryesor bashkimin e njerëzve me një gjuhë, me një kulturë e një territor të vetëm. Ishte pikërisht kjo ide e shteteve-kombe që paralajmëroi stuhi e furtunë në Europë, në të gjitha ato perandori shumëkombëshe që mbanin së bashku me dhjetra popuj.

Kur Ismail Qemali qe 4 vjeç, revolucionet e vitit 1848, që u bënë njëkohësisht në disa vende, me jehonën e tyre u përcollën për herë të parë edhe te ne, përmes gazetave të para që erdhën. Kudo në të katër anët e kontinenti tonë dëgjoheshin fjalët “komb”, “shtet kombëtar” etj. Ndërkaq, në shtëpitë e shqiptarëve të thjeshtë kishin filluar të vinin disa libra që quheshin “Abetare” e do t’i njihnin ata me germat e gjuhës së tyre të përditshme. Shkurtimisht, kjo ishte atmosfera kur djaloshi i ardhshëm, Ismail Qemali, u fut në atë tempull të dijes bashkëkohore që ishte gjimnazi “Zosimea”. “Zosimea” u bë trualli ku në trurin e tij për herë të pare do ndizej ideja kombëtare. Prej atëherë për të kishte nismuar një faze e re e avancimit të tij politik.

Në atë shkollë të mesme, që ishte ndër më të mirat në krejt Perandorinë Osmane, për vetë përbërjen mjaft komplekse me nxënës nga gjithë popujt e perandorisë, shpesh-herë në bisedat e përditshme që zhvillonin konviktorët me shokët e tyre, vëmendja përqëndrohej tek karakteristikat që kishin popujt nga njëri-tjetri. Nxënësit grekë krenoheshin me heronjtë e mbretërit e lashtësisë së tyre të njohur, nxënësit bullgarë ngrinin lart dy mësuesit e tyre të mëdhenj, Cirili e Metodi, nxënësit hebrenj përkujtonin heronjtë e tyre të përjetësuar në librat e shenjtë, kurse për shqiptarët nuk flitej askund, ndonëse ishin në shumicë në Janinë. E trishtueshme!

Ismail Qemali ishte nxënësi i parë shqiptar i gjimnazit “Zosimea” dhe si i tillë padyshim që i ka ndjekur diskutimet e tilla mes moshatarëve të tij. Ai patjetër që dinte diçka për Pirron e Epirit, për Teutën e Ilirisë etj., etj., por deri atëherë një errësirë e madhe e mbështillte historinë e vjetër të atdheut të tij. Jeta shekullore në Perandorinë Osmane kishte mjegulluar gjithçka për gjenezën e tij. Ndërsa horizonti i tij mendor hapej për herë e më tepër ndaj mësimeve dhe librave, aq më të ndërlikuara bëheshin enigmat që e mundonin për dheun e të parëve të tij.

Kur Ismail Qemali do të niste punën si nëpunës i thjeshtë në administratën perandorake, një tjetër zhvillim i papritur do e shkundte përfundimisht ndërgjegjen e tij intelektuale. Traktati i Shën-Stefanit e Kongresi i Berlinit, që coptuan trojet shqiptare, shndërruan tërsisht rrjedhën e formimit tij politik dhe ideologjik. Ishte pikërisht kjo katastrofë njerëzore që shërbeu si pikë vendimtare kthese, që në gjirin e asaj shtrese të Stambollit që quhej “diaspora shqiptare” të ngjizej pak nga pak embrioni i asaj që do thirrej me emrin “Rilindja Kombëtare”.

Ata që projektuan dhe piketuan konturet e para të zgjimit kombëtar të Shqipërisë, në shumicën e tyre ishin bashkëkohës të Ismail Qemalit dhe ndoshta miq të tij. Ka qenë fat i jashtëzakonshëm që shpirti i lëvizjes përbëhej nga vëllezërit Frashëri, ajo treshe dijetarësh të pashoq që i hodhën hapat e parë për lirinë tonë. Por ai që do të ngjallte i pari kujtesën tone kombëtare ishte Naim Frashëri. Nga hiri i pashuar i kujtimeve të lashta që pandeheshin të djegura dhe të harruara, ai do të frymëzohej për një poemë që befas i tronditi të gjithë bashkëkombasit. Ajo titullohej “Histori e shkurtër e Skënderbeut” dhe u botua në vitin 1886. Papritmas, mbarë shqiptarët që e lexuan pyesnin: “Si e harruam Skëndërbeun?” por Ismail Qemali patjetër pyeti veten: “A mund ta bëjmë prapë Shqipërinë ashtu si Skëndërbeu realizoi para shumë shekujsh shtetin e parë shqiptar?”

Në “Vitin jubilar të Skënderbeut” në Tiranë u diskutua shkëlqyer e me plot argumente për hapësirën e ndritur që ai ka merituar në Panteonin siperor të vlerave tona. Banorët e pare autoktonë të vendit tone, Ilirët, që në Mesjetë quheshin arbër dhe vendi Arbëri, në shekullin XV, në atë epoke kur zë e shtjellohet Rilindja e Europës Perëndimore, gjetën te Skënderbeu princin e parë arbër që kërkoi t’i mblidhte në një shtet të vetëm. Në qëndresën e tij titanike për të përballuar sfidën e një superfuqie në ngritje, ai arriti të fitojë admirimin e një qytetërimi që sapo kishte shtruar rrugën e tij për t’u bërë model i begatisë ekonomike, përparimit kulturor dhe mirëqënies së lartë. Ndonëse, për arsye të ditura, Skënderbeu nuk e çoi deri në mbrritje qëllimin final, shteti i tij i ideuar me emrin Besëlidhja e Lezhës e seli në Krujë nuk dështoi aspak. Nostalgjia për të u kujtua në gati 3000 libra, vepra muzikore e pjesë skenike, që të krijuara nga shqiptarë e të huaj, e ruajtën frymëzimin për te brezat që do vinin. Ishte një bekim i Zotit që, edhe pse kishte kaluar gati afër një gjysmë mijëvjeçari prej atëherë, Rilindja Kombëtare e Shqipërisë e nxorri madhështinë e Skënderbeut nga harresa e gjatë, për të na e sjellë prapë pranë stërgjyshërve tanë që jetonin në fund të shekullit XIX. E pikërisht në këtë korsi të kalendarit stafetën e mori Ismail Qemali.

Agimi i shekullit XX për parashikuesit e motit politik ishte tmerrësisht i vrenjtur. Por sidomos në Ballkan, në këtë udhëkryq të reshjeve të dendura të konflikteve etnike, shekulli XX ka qenë më i egër e mizor, posaçërisht për paraardhësit tanë të atij moti.

Menjëherë pasi Gjermania vendosi të ndërtonte hekurudhën Berlin-Bagdad në vitin 1903, si një investim për të zhvilluar veten e për të ndihmuar Perandorinë Osmane njëkohësisht, në një rivalitet të hapur me të e Perandorinë Austro-Hungareze me ndikim në rajon, Rusia nxiti krijimin e Aleancës Katërpalëshe Serbi-Greqi-Bullgari-Mali Zi, e gatshme kurdoherë për të nisur një Luftë Ballkanike dhe për të coptuar shqiptarët.

Në kulmin e këtyre intrigave djallëzore diplomatike për të shtrirë territoret e tyre, Ismail Qemali, mbasi ishte larguar nga Turqia për idetë e tij të avancuara liberale, endej nëpër Greqi si një refugjat politik që kishte kërkuar strehim për familjen, por që e ndiente fort pabesinë dhe dinakërinë e sofistikuar të diplomacisë greke. Vetëm fitorja e Revolucionit Xhonturk në vitin 1908 do e ngushëllonte sadopak atë e do ta bindte për t’u kthyer edhe një herë në kryeqytetin ku kishte kaluar jetën. Për të ishte e qartë se orët e vdekjes së perandorisë kishin zënë të binin mbrapsht, duke rrezikuar që të zinin në rrënojat e saj edhe bashkëatdhetarët e tij të dashur. Dhe këtu ai kap fillin për të menduar sërish Skënderbeun në ditët e fundit të Sulltanit.

Ismail Qemaili mbart përgjegjësinë maksimale të qytetarit ndaj kombit shqiptar kur, në mes të rrezikut që i kanosej Shqipërisë në Luftën Ballkanike të vitit1912, ndërmori aksionin final për të shpallur Pavarësinë në Vlorë në nëntor të atij viti. Vetëm një përgatitje brilante diplomatike, që e dallonte si askush në atë perandori, do ta veçonte atë si përsonalitetin më të përshtatshëm për ta përmbushur atë mision. Me një koordinim të plotë me diplomacinë gjeniale të Perandorisë Austro-Hungareze, ai ia doli mbanë që të seleksiononte atë korpus të duhur prijësash të qyteteve tona, që do krijonte atë asamble të shquar që reklamoi para botës pavarësinë tonë. Tashmë është e konfirmuar historikisht nga telegramet e botuara për Ismail Qemalin, se ishte kryesisht ai që hartoi listën e delegatëve që u mblodhën në atë nëntor të largët.

Në realitet, ai nuk kërkoi pas 500 vjetësh thjesht lirinë për 28 mijë kilometra katrorë, por e konceptoi atë si liri edhe për territorin e sotëm të Kosovës dhe trojeve të tjera. Këtu shtrihet në tërë madhështinë e saj vepra e tij që e bëri të quhej “Babai i kombit”. Ai pati intuitën politike që të afronte pranë liderë të vjetër e të rinj së bashku, për të startuar funksionimin e njërit prej shteteve më të rinj të historisë, shtetit shqiptar. Është tipik për këtë fakti që nga delegatët e fundit që firmosi në dokument qe Ahmet Zogu.

Shumë prej jush e keni mësuar në shkollë fatin e qeverisë jetëshkurtër të Ismail Qemalit. Por njerëzit, siç dihet, vdesin një ditë, por idetë e tyre të mëdha nuk reshtin kurrë. Ideja e tij sublime, pavarësisht se pësoi infarkt politik, nuk u mposht dhe u lartësua sërish, atëherë kur pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore ëndrra e tij u përputh me parimin e vetvendosjes së presidentit amerikan Willson në Konferencën e Paqes në Paris. Do të ishin dy rrethana fatlume, Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës, që do të realizonin më së miri amanetin e patretur të Plakut të Vlorës

Është nder për çdo shqiptar dhe në çdo moment që t’i jepet mundësia, të shprehet dhe ta kujtojë atë si një shenjt. Po, po, si një shenjtor të asaj kauze që është bazamenti i çdo të drejte, Liria Kombëtare.

Në mozaikun polivalent të simboleve njerëzore që janë Panteoni ynë i lakmuar, Ismail Qemali fokusohet fuqishëm fill pas Skënderbeut në hierarkinë e nderit që duhet t’i përkushtohet çdo nënshtetas shqiptar nga lindja deri në vdekje. Kështu e dëshiron dhe dikton logjika jonë e paepur për të lartësuar përherë njerëzit që bënë Shqipërinë, mes të cilëve Ismail Qemali do të shkëlqejë pambarimisht i përjetshëm.

©Nriçim Kulla