Andon Mara, një jetë e jetuar me dinjitet - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko
Andonin si njeri, si zë dhe si emër e kam njohur për herë të parë në vitet pas çlirimit kur recitonte në një veprimtari kulturore në skenën e kinema “Majestikut” vargjet e Majakovskit. Kaq përshtypje më bëri zëri i tij i plotë e me tone burrërore, sa që pata dëshirë ta imitoja edhe unë në recitimet e mia shkollore.
Disa muaj më vonë, më 1948, më pranuan në rrethin letrar të Shtëpisë së Kulturës dhe e dëgjova duke diskutuar rreth një drame të shkruar nga aktori Aleko Skali, ku u ngjall një debat rreth një skene të saj, në të cilën jepej takimi i dy personazheve kryesore në një stacion të metrosë së Korçës; debati u bë rreth mënyrës së pasqyrimit të së ardhmes dhe Andoni theksoi mendimin për një pasqyrim realist dhe jo fantastik të jetës. M’u duk i vendosur dhe i prerë në mendimet e tij.
Me shokët e tij të krijimtarisë ai ishte i respektueshëm dhe i sinqertë. Përgatitej seriozisht për çdo diskutim krijues, thoshte hapur vlerësimet dhe gjykimet e veta, nuk dinte të bënte vlerësime hipokrite, megjithëse mund t’i zemëroheshin pa të drejtë disa. Me mendimin e tij mund të mos bije dakord, por nuk mund ta akuzoje për mungesë serioziteti, përgatitjeje, apo për ligësi. Ai e respektonte dhe e vlerësonte krijimtarinë e shokëve të vjetër apo të rinj dhe vuante përbrenda kur e keqkuptonin, por nuk hiqte dorë nga principialiteti i tij.
Në diskutimet krijuese ai vinte me shënime të shkruara në fletorkën e tij të xhepit. Krijimin, që diskutohej, e kishte lexuar me kujdes dhe diskutimin e ilustronte me detaje konkrete. Kujdes të madh i jepte qartësisë së mendimeve dhe pasqyrimit realist të jetës. Ai nuk provokonte, por nuk ngurronte kurrë të hynte në debat dhe ta mbronte gjer në fund bindjen e vet. Kur shihte se tjetri këmbëngulte me arrogancë në mendimet e veta, heshtte i bindur se ishte e kotë të bisedonte më tej. Kur një koleg prozator i mbylli diskutimet, që iu bënë për veprën e tij, me shprehjen mendjemadhe: “pyet shtatë a tetë dhe bëj siç di vetë”, duke dalë nga diskutimi, Andoni psherëtiu thellë dhe më tha: “i nxori brirët e mendjemadhësisë!”.
Andoni e ruante personalitetin e vet dhe nuk pranonte përuljen dhe mosrespektimin, kur vihej në pozita apo përpara kërkesave kapriçioze edhe kur kishte të bënte me miq më të ngushtë.
Andonin, Aleko Skalin dhe mua na kishte thirrur sekretari i Komitetit të Partisë për Kulturën. Duhet të shkruhej një libret për një vepër skenike muzikore. Andoni u prek rëndë. E preku rruga zyrtare që kishte ndjekur, miku i tij kompozitor, me të cilin ai kishte bashkëpunuar, për libret opere.
Nuk toleronte Andoni as sentimentalizmin. Ishim bashkë në redaksinë që botonte Almanakun e Rrethit letrar. Unë paraqita disa vjersha të shkruara nga një i afërmi im, që kishte qenë në mërgim. Ishin vjersha midis fabulës dhe sentencës morale. E nuhati se ato ishin më shumë përkthime, sesa krijime origjinale. Nuk pranoi t'i përfshinim në almanak.
Më mirë e njoha kur ishim bashkë në kryesinë e Degës së Lidhjes. Njoha seriozitetin dhe rregullin, kërkesën e llogarisë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve.
Karakteri i tij i papërkulur e ndihmoi Andonin që t'i kalonte çastet e vështira të jetës së tij, siç ishte përjashtimi nga partia, që kishte ndodhur përpara njohjes sime me të.
Ai diti, gjithashtu, t'u mbijetojë çasteve të rutinës meskine gjatë punës së tij si gazetar i Radio Korçës. Kjo lidhej me punën dhe me raportin e tij me drejtuesit që pati në krye. Drejtorët, që viheshin në krye të sektorëve të kulturës ishin, kryesisht, njerëz të partishëm, pa nivelin e duhur kulturor, ishin vetëm aparatçikë. Ai më kishte folur shpesh herë për paaftësinë dhe mungesën e përvojës së tyre në këto punë; për gafat që duhej të përballonte, për kujdesin dhe urtësinë me të cilën duhej t'i shmangte. Atij i duhej të gëlltitte injorancën dhe të përballej me prepotencën e tyre.
Andoni, si gazetar i radios së qytetit, përpiqej të bënte emisione sa më të gjalla dhe interesante.
Në një nga ditët përpara vitit të ri e pashë që ishte i mërzitur dhe i revoltuar. E kishin qortuar, sepse, duke dashur që ta bënte sa më të gjallë kronikën festive, kishte intervistuar amvisa dhe i kishte pyetur se çfarë ëmbëlsire kishin bërë për vitin e ri. Duhej folur vetëm për realizimin e planit!
Po përpiqem të shkruaj, për aq sa munda ta njoh karakterin e Andonit.
Formimi i karakterit të njeriut është kompleks, ku një rol kryesor luan edukata familjare.
Më kujtohet se, kur isha i vogël, pranë dyqanit të babait tim orëndreqës, dy qepena më lart, ishte një dyqan bakallanë, që binte erë vaj ulliri dhe ndritte nga pastërtia. Bashhkëpronarët ishin njëri me mbiemrin Leço dhe tjetri Mara. Mara nuk ishte i ati, por i xhaxhai, sepse atje shikoja dhe të vëllanë e madh të Andonit, Nestin. Ky vishej pastër, me kostum dhe kravatë. Pra, Andoni vinte nga një familje e mesme qytetare. Kjo shtresë, historikisht ishte ajo pjesë e shoqërisë, që me punën e saj të palodhur, krijonte, jo vetëm një mirëqenie ekonomike, por, si rezultat i kësaj, kishte fituar edhe pavarësi shoqërore, nuk varej nga shteti i kohës së mbretërisë, por nga puna, nga krahët e vet.
Arsimimin e parë Andoni kishte bërë në Stamboll, ku pat emigruar familja e tij. Në Korçë mbaroi Liceun Francez, ku mësoi shumë, nga kultura dhe letërsia franceze. Mësoi se ç'ishte liria dhe e drejta qytetare.
Shumë veprime të Andonit, mbanin edhe vulën e mjedisit të rrethit familjar dhe shkollimit që bëri, siç ishin ndjenja e drejtësisë dhe ajo e lirisë personale. Këto u bënë tiparet kryesore të personalitetit të tij. Dhe në të njëjtën kohë u bënë edhe thembra e akilit e jetës së tij. Andonin e përjashtuan nga partia, sepse mbështeti ankesën e drejtë të një fshatari, që i shkroi Enver Hoxhës letër, në të cilën i ankohej për vështirësitë e jetesës së fshatit.
Andoni ishte dhe mbeti një përfaqësues i atij brezi të atyre viteve të vështira, që iu desh të punonte dhe të jetonte me dyshime dhe me zhgënjime. Të jetonte me ankthin e rrezikut të beftë, të mbyllej në vetvete dhe të përpiqej të mbijetonte.
Mbijetesa ishte sfida më e madhe, që ai i bëri regjimit të kohës.
Andoni kishte edhe një shpirt shumë njerëzor. Kam parasysh ngjarjet lidhur me marrëdhëniet ndaj meje.
Ndodhi që unë të pësoja një melenë, hemoragji të stomakut dhe m'u desh të rrija në regjim shtrati dhe të mjekohesha në shtëpi. Trokiti porta dhe Vilma, gruaja ime, doli dhe e hapi. Në dera e dhomës sime u duk Andoni. U ul pranë meje. Më pyeti me hollësi për simptomat, kur më ndodhi, si isha tashi. Më tregoi me hollësi se si i kishte ndodhur edhe atij e njëjta gjë dhe se si e kishte kaluar. Më dha tërë përvojën e vet dhe këshillat e domosdoshme.
Nuk mund të harroj as një vizitë tjetër të tij.
Andoni e respektonte miqësinë e sinqertë deri në skrupulozitet, duke shkelur shpesh herë edhe mbi shëndetin e vet. Ai vetë kishte një javë i sëmurë, pa dalë fare nga shtëpia. Unë i dërgova ftesën e martesës sime. E bëra për respektin që kisha, pa pretenduar aspak ta detyroja të vinte, se e dija gjendjen e tij shëndetësore. Andoni erdhi në mëngjesin e ditës së dasmës. U ul në karrige, mori bonbonen, rakinë nuk e preku (pijet nuk i kishte aspak qejf), uroi i shqetësuar, i mbuluar në djersë e doli, duke më lënë në zemër një ndjenjë ngashërimi të mbushur me respekt dhe me shqetësim, ndjenjën e një miqësie bujare, që mposht edhe vështirësitë shëndetësore, për të respektuar dhe nderuar mikun e vet.
E pashlyeshme mbetet në ndërgjegjen time ndjenja e fatalitetit, që ne, miqtë e kolegët e tij më të afërm, nuk kishim mundësi t'i gjendeshim pranë në çastet e sëmundjes së tij të vështirë.
Mbaj mend vizitën më të fundit që i bëmë në shtëpi. E lajmëruam dhe na pranoi. Na priti në dhomën e pritjes të apartamentit të tij. Dhomë ku zotëronte biblioteka e mbushur cep më cep me libra. Na buzëqeshte me drojtje dhe më shumë heshtte, na përgjigjej fare shkurt duke pohuar me kokë fjalët e këshillat tona. Ishte platitur energjia e karakterit të tij të fortë. Ishte i menduar dhe, megjithëse na buzëqeshte me drojtje, na shikonte në sy, por mendjen nuk e kishte te ne. Ishte i mbyllur në vetvete. Kur u larguam, na dha me drojtje dorën duke na falenderuar për vizitën.
Largimi i tij tragjik nga jeta më ka mbetur si një dhimbje e heshtur, që herë pas here përmendet tok me jehonën e zërit të tij të kumbueshëm e energjik, me gjykimin e tij të matur dhe këshillat e kujdesshme, pse jo edhe me zemërimin e tij serioz, por gjithmonë të arsyeshëm dhe miqësor me miqtë dhe me njerëzit.
Kanë kaluar shumë vite që kur Andoni na u largua përgjithmonë. Shpirti i i tij i shqetësuar prehet pranë Zotit. Silueta e tij krenare, nuk shëtit më e vetmuar mbrëmjeve në bulevardin e Korçës. Edhe shumica e bashkëmoshatarëve dhe miqve të tij nuk jetojnë më. Andoni është një nga ata njerëz që la gjurmë jo vetëm në miqtë dhe në kolegët e tij, por edhe në kulturën e qytetit të vet, si njeri, si drejtor biblioteke, si gazetar pranë Radio Korçës dhe, mbi të gjitha, si shkrimtar i njohur. Gjurmët më dëshmuese janë librat e tij me tregime dhe me novela, në biblioteka personale dhe në fondin e librave të bibliotekave shtetërore. Kurse zëri i kumbueshëm i tij ka mbetur i inçizuar në shiritat e vjetër të Radio Korçës, ku punoi për vite të tëra e drejtoi rubrikën mbi jetën e qytetit.
Andon Mara ishte një njeri me zemër bujare. I ditur dhe i mençur. Një krijues me talent të spikatur krijues, si prozator dhe libretist opere dhe operete. Ishte dhe mbetet njeriu, i cili e jetoi jetën e vet me dinjitet në çdo drejtim të saj.
©Vangjush Ziko



