Trashëgimi

Osman Taka, luftëtar apo valltar i madh? - Nga Gëzim Zilja

Vallë kush e vrau Osmanë?

Di shebekë e di zuzarë,

Izeti me të vëllanë.

Vallja e Osman Takës, është nga më të bukurat dhe rrënjët e saj na çojnë shumë larg në thellësitë e shekujve. Vetë personazhi Osman Taka, emrin e të cilit ajo ka marrë, duke u nisur nga burime të këngëve autentike popullore çame, na shfaqet rreth viteve 1848-1877. Mendohet se është vrarë aty nga viti 1877. Në këngët, ai përshkruhet si një djalë i bukur, i shkathët, që dallonte nga të tjerët nga veshja e ecja, si valltar me nam dhe kaçak në kohën që jetoi.

Të bën përshtypje se në të gjitha këngët e vjetra, më shumë flitet për trimëritë e tij, si luftëtar kundër pushtuesve turq dhe për vrasjen e pabesë, sesa për cilësitë e tij të jashtëzakonshme si valltar. Kjo na bën të mendojmë se vlerat më të mëdha ai i ka patur si luftëtar, pavarësisht që të pavdekshëm e bëri vallja e famshme çame. Sigurisht duhet të ketë qenë një valltar i rrallë, se valle janë kërcyer në të gjitha trevat shqiptare si pjesë e pandashme e kulturës sonë, por që një valle të indentifikohet me njeriun që e kërcen (jo e krijon) dhe të marrë emrin e tij, ndoshta duhet të jetë unike në llojin e vet.

Ajde more Osman Takë,

Ajde more djalë i pakë,

Vet ka Konispoli,

Dajotë në Psakë.

Kemi një përcaktim të plotë e të qartë se Osman Taka, djalë i pakë (jo i bëshëm) është bir i Çamërisë me babanë nga Konispoli dhe nënën nga lagjja Psakë e Paramithisë. Çamëria na shpaloset një trevë unike në atë kohë dhe krushqitë nga të “dy anët” ishin një gjë e zakonshme normale. Osman Taka është shquar si pak djem të tjerë çamë në atë krahinë. Kënga vazhdon me portretizimin e tij, si një djalë i hedhur dhe qejfli:

Takë, ore Osman Takë,

Kur shkoje sokakut,

Me shami në dorë,

Mbushurë me mollë.

Unë të gjova njëzë,

Ti s’më dhe asnjëzë,

Preps te dije vetë...

Më tej portreti i tij fizik bëhet më i plotë, me ecjen krenare dhe veshjen e veçantë, që nuk e gëzoi se jeta e tij u pre në mes.

Hajde more Osman Takë!

Kur shkoje sokakut,

Me skalca fanello,

Dizgjetë të kuqe,

Bota bëjnë shuqur,

Për djalin e bukur!

Një portretizim i tillë i pamjes së jashtme i jep goxha shtysë fantazisë së lexuesit, për një djalë të pashëm por edhe që ndjek modën e vishet si pak djem të tjerë, pra një djalë sqimatar dhe i veçantë, që bie në sy edhe kur kalon rrugës. Kalcat (skalcat) që zakonisht janë prej shajaku të fortë të punuar me dorë, i kishte ndryshe nga të tjerët, prej fanellate, të punuara në Europë, e të lidhura me dizgje të kuqe.

Ajo që të bën përshtypje në këto këngë është se Osman Taka, ishte një luftëtar i lirisë, që kërkohej nga dovleti turk. Mënyra se si e vranë Osman Takën, ishte nga ato të përhapura në atë kohë në oborrin osman: paguheshin vrasës, që kryenin krimin dhe përfaqësuesit e pushtuesit turk përhapnin fjalë se e kanë vrarë “të tijtë”, për shkaqe personale. Në këtë rast përfaqësuesit e dovletit dilnin të larë. Kënga thotë:

Vallë kush e vrau Osmanë?

Di shebekë e di zuzarë

Izeti me të vëllanë.

Në një këngë tjetër, përcaktohet dhe vendi ku u krye vrasja:

Atje poshtë ne Udh’e Re,

 Osman Taka o lule!

Të vranë, o Osman të vranë,

 Di të liq e di zuzarë,

Izeti me të vëllanë,

 Tetë martina të dhanë.

Osman Taka, nuk është vetëm një valltar i zoti siç njihet rëndom, që e kërcen vallen mbi “tepsi”, por dhe një luftëtar trim, që lufton për Shqipërinë, për vatanë, siç thuhet në vargje. Poeti anonim është i kursyer: në gjashtë vargjet e mëposhtëme ne kuptojmë se ai që merr përsipër të çlirojë vatanin lëviz kudo bashkë me vdekjen, “me qefin në kokë”, thotë një fjalë e urtë shqiptare. Këtë e dinë të gjithë bashkëfshatarët e tij, e di dhe Osman Taka, ashtu si e di dhe nëna e vet.

Vanë nanës e i thanë:

Shko nane dhe shtro divanë,

Se Osmanin tij ta vranë.

Mirë bënë që e vranë,

Se trimat ashtu e kanë,

Kur lëftojnë për vatanë!

Këto vargje meritojnë respekt; ndoshta janë dhe të çuditshme për ndonjë lexues, se si një nënë mund të shprehet: mirë bënë që ia vranë të birin, por po të shohim dy vargjet e tjera kuptojmë që trimi Osman Taka, biri i asaj nëne çame, ishte nisur në një rruge pa kthim: ose një vatan pa turq ose vdekja mjaltë. Vargjet mirë bënë që e vranë kanë kuptimin absolut se ai nuk mund të kishte vdekje tjetër në jetën e tij. Pastaj dy vargje të tjerë, që do t’i kisht zili çdo luftëtar që lufton e bie për atdheun:

Se trimat ashtu e kanë,

Kur lëftojnë për vatanë.

Popujt e kanë paguar me lumenj e dete gjaku lirinë dhe pavarësinë e tyre. Lufta për atdhenë të shenjtëron, të jep bekimin e Nënës dhe njëkohësisht, pavdekësinë. Ky është sipas meje, Osman Taka, i pari, që na vjen si luftëtar, që jep jetën për lirinë e vatanit, pavarësisht nëse vritet në fushë të betejes apo pabesisht nga dy zuzarë të paguar. Osmani tjetër, është ai që vishet me sqimë, është i pashëm aq sa “bota bën shuqur” për të dhe kërcen vallet shqiptare si askush tjetër, aq bukur, sa një valle aq e vjetër, e kërcyer nga parardhësit për qindra vite, merr emrin e tij. Ai nuk e shpiku, nuk e krijoi vetë atë valle. Ai e gjeti atë nga të parët e tij, por e kërceu aq bukur, i dha aq shumë jetë, sa edhe sot e kësaj dite ajo njihet si Vallja e Osman Takës.

Mund të ndodhë që të jesh një luftëtar për lirinë dhe të mbetesh i pavdekshëm në një valle trimash, aq sa t’i japësh asaj emrin tënd. Rast i rrallë ky, ashtu si vetë personazhi i Osman Takës. Por poeti popullor edhe në këtë rast e ka bërë detyrën e vet. Ndoshta është e vërtetë legjenda e përhapur, që atë e zunë me të pabesë aty rreth vitit 1876 dhe, si fjalë të fundit para ekzekutimit, kërkoi të hidhte një valle. Aq bukur e kërceu atë sa komandanti turk i mahnitur e fali, për ta vrarë më vonë, si thotë kënga, nga njerëz të paguar.

© Gëzim Zilja