Gjuha Shqipe për fëmijë: Mësimi 10 - Shkronja D
Përgatiti: Danjela Lumani
Përshëndetje të dashurit e mi! Ju shoh si ajo rrezja e ngrohtë e diellit që sapo hapet pak dritarja do hyjë e do ngrohë zemrat e gjyshërve që mezi presin një fjalë të bukur shqip nga mjalti i mjaltit të tyre. Shkëlqim te sytë që vetëm shtohet sapo biseda zgjatet e bashkohen kushërinj, daja e teze, xhaxhallarë apo halla, sepse kështu merr vlerë më të madhe përditshmëria jonë këtej dhe përtej oqeanit. Kur familja e madhe komunikon ëmbël në gjuhën amtare dhe shkëmben batuta, të qeshura dhe hare, hare që vetëm në shqip mund të ngjajë aq bukur. Dhe nëse gjyshi ju pyet sot se te cila shkronjë ke shkuar, xhan i gjyshit? Thuaji që jemi te shkronja “D” e me siguri që gjyshit do i kujtohet një pjesëz nga vjersha “Për një shkronjë”
- Për një “D” që ti s’e vë,
- fjala derë bëhet erë
- dhe shtëpia ngel pa derë
- për një “M” që ti s’e vë
- fjala mik bëhet ik
- ç‘bën kështu more Besnik
- a i thuhet mikut ik?
Hë, e dije këtë vjershë, o shpirti i gjyshit? Jo? Ja mësoje e thuaja gjyshit herës tjetër.
Shkronja D
Tema mësimore: Shkronja D, d.
Situata e të nxënit: Ditëlindja ime
Rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore:
- Shqipton, shkruan dhe lexon tingullin dhe shkronjën D,d.
- Shkruan dhe lexon fjalë me shkronjën d dhe shkronjat e mësuara.
- Përshkruan mbi bazën e figurave.
- Formon fjali me fjalët e fjalorit.
Fjalë kyçe: ditëlindje, festë, shokë, dhurata, Drini
Teknika dhe strategji
- Bisedë
- Analizë e sintezë
- Veprimtari individuale
Burimet e informacionit dhe mjete: shkronja D, d; tabela e bardhë, fletore, ngjyrat, laptop/PC
Lidhja me fushat e tjera: Matematikë, Shoqëria dhe mjedisi, Edukim me të drejtat e fëmijëve
Përshkrim kontekstual i situatës:
Veprimtari paraprake:
Bashkë me fëmijën filloni e flisni për ditëlindjet tuaj, duke bërë pyetje të tilla si:
- Kur e ke ditëlindjen ti?
- Si ke dëshirë ta festosh ditëlindjen tënde këtë vit?
- Po mami kur e ka ditëlindjen?
- Po babi?
- Çfarë dhurate more për ditëlindje?
Veprimet në situatë
Hapi i parë: Analizë e sintezë
Shkruajme te tabela e bardhë fjalinë: Drini po feston ditëlindjen.
Fillojmë dhe e analizojmë fjalinë për të shkëputur shkronjën “d”.
- Sa fjalë ka fjalia?
- Cilat fjalë kanë shkronjën “d”
- Sa rrokje ka fjala Drini?
- Në cilën rrokje ndodhet shkronja “d”
- E ndihmojmë fëmijën gjatë ndarjes së fjalëve në rrokje.
- Po te fjala “ditëlindje” në cilën rrokej ndodhet shkronja “d”
- Ushtrohet fëmija në shqiptimin e tingullit të ri dhe theksohet se është tingull bashkëtingëllor.
- Sapo fëmija i gjen fjalët me shkronjën d, ju i shkruani në tabelë.
Hapi i dytë: Bisedë- Shikohet fotografia e këtij mësimi dhe pyetet fëmija:
- -Çfarë po shikoni?
- - Si është zbukuruar ambienti?
- - Çfarë ka mbi tavolinë?
- - Çfarë po bëjnë fëmijët?
- - Si ndihen ata? Pse mendoni kështu?
- -Çfarë ka të përbashkët me ditëlindjen tuaj?
Mund ta krijoni vetë me fëmijën tuaj tregimin “Ditëlindja e Drinit” duke u mbështetur te përshkrimi i mëposhtëm ose duke u bërë krijues të dy. Në formë bisede dhe ndërkohë duke mbajtur shënime të cilat do i përdorni për të analizuar shkronjën “D”
Ditëlindja e Drinit
Drini festoi ditëlindjen sot. Ai mbushi 7 vjeç. Erdhën për ta festuar ditëlindjen e Drinit, Debora, Driloni, Andi. Ata kanë sjellë edhe nga një dhuratë surprizë për Drinin. Drini është shumë i lumtur. Mami i Drinit vendosi tortën mbi tavolinë. Drinit do u fryjë qirinjve e do të shprehë një dëshirë. Para se të largohen miqtë e tij, Drini i falenderon dhe i përqafon fort. Ishte një ditë shumë e bukur për të.
Më pas qarkojmë shkronjën “D” te teksti. Dhe shohim si është grafika e saj.
Marrim një libër shqip dhe qarkojmë shkronjën “d” në çdo fjalë që gjejmë. Më pas rrokjen. Gjejmë fjalë me shkronjën "d" dhe i hedhim në fletoren e fjalorit.
Vlerësimi i situatës: Situata konsiderohet e realizuar nëse fëmija:
- Shqipton, shkruan dhe lexon tingullin dhe shkronjën D,d.
- Shkruan dhe lexon fjalë me shkronjën d dhe shkronjat e mësuara.
- Përshkruan mbi bazën e figurave.
- Formon fjali me fjalët e fjalorit.
Detyra:
- Nga 2 rreshta me shkronjën e madhe e të vogël të shtypit D,d.
- Gjeni fjalën në shqip për secilën nga figurat e bëni fjali.
View the embedded image gallery online at:
https://flasshqip.ca/femijet/gjuhe-letersi/3941-gjuha-shqipe-per-femije-mesimi-10-shkronja-d#sigProId70d1a69908
Burimi i informacionit: Libër për Mësuesin “Abetare e përbashkët, Shqipëri-Kosovë”
Duke ju falenderuar për vëmendjen ju lë takim ditën e Shtunë, më datë 23 Maj për të vijuar me mësimin 11. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela.
16 Maj 2020, ©FlasShqip.ca