Kanada

Ja pse shkëlqeu filmi shqiptar ‘Zana’ në Toronto - Nga Jeta Dedja

  • Published in Kanada

Të mërkurën ndoqa shfaqjen e filmit “Zana” në Toronto International Film Festival, me regji të Antoneta Kastratit, aktorë kryesorë Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, kinematografi Sevdije Kastrati, producentë Casey Cooper Johnson, Sevdije Kastrati, Dritan Huqi, Brett Walker, Miguel Govea. Për herë të parë u vura në dijeni për këtë film nga shkrimi i Arben Kallamatës. Sigurisht duke i besuar vlerësimit të gazetarit të njohur, blemë biletat për të mos humbur rastin e shijimit të filmit shqiptar në kinemanë torontoniane.

Një grua e bukur e shtrirë në një lëndinë të gjelbëruar me dorën tek barku si në përkëdhelje a ëndërrim. Kjo është fotografia me të cilën filmi “Zana” tërhoqi menjëherë vëmëndjen e audiencës në kinemanë nr 4 në Light Box Toronto.  Salla ishte e mbushur plot dhe për 92 minuta zhurma e kokoshkave që dikush i kishte blerë për të shoqëruar filmin, nuk u dëgjua.

Skenari i shkruar nga çifti Casey Cooper Johnson dhe Antoneta Kastrati ka një konstruksion interesant për të prezantuar shikuesin fillimisht me disa nga pasojat e stresit post traumatik, të cilat përjetohen nga personazhi kryesor, Lumja, e cila shfaqet në pamje të përgjithshme si një grua e qetë, jo fjalë shumë, e tërhequr, dhe që mbart një dhimbje të madhe. Është kjo dhimbje që e bën atë të huaj me familjarët, të ftohtë me të shoqin e të painteresuar për jetën. Është kjo dhimbje që i shkakton makthe, gjumë të trazuar, tëhuajësim nga bota, moskujdes për veten, shoqëruar me ecje natën jashtë shtëpie. Është kjo dhimbje që e bën atë të shmangë vendet dhe njerëzit që i kujtojnë traumën. Është kjo dhimbje që e bën atë të mos dëshirojë një fëmijë të dytë apo të tretë. Mjeku i sugjeron trajtimin psikologjik para se të tjerët të kërkojnë prej saj shtimin e familjes, por e vjehrra e alarmuar zgjedh ata që bëjnë derman; shëronjësit popullorë.

Më pas filmi vazhdon me tentativat për ta trajtuar popullorçe çrregullimin duke e zhvendosur personazhin si një kukull pa gojë në vende të magjisë së zezë. Si një tentativë e parë për të vetë rregulluar jetën e saj, Lumja provon të largohet nga i shoqi e të kërkojë strehim te prindërit, por zakonet dhe traditat e vendit nuk e kapërcejnë këtë kafshatë turpi. E kthyer tek burri, Lumja e palume, dorëzohet tek kuruesit e xhindeve. E damkosur me vulën e pushtimit nga xhindet, ajo përballet me kura injorance shtatzanie, që e dëmtojnë edhe më tej shpirtin e saj.

Kur je një spektator i jashtëm i një ngjarjeje, ti ke luksin të qeshësh e komentosh, të mbledhësh buzët e të gjykosh, por nëse futesh nën lëkurën e personazhit, ti kupton se sa vështirë e ka një grua të dëgjohet në një mjedis anakronik e të veshur me bestytni.

Prandaj në fund autorët e filmit e kanë shprehur qartë se si pasojë e gjithë ndërhyrjeve të papërshtatshme për të shpëtuar shpirtin e Lumes, ajo më në fund kupton se duhet të shpëtojë veten, duke u ekspozuar ndaj burimit të traumës. Një natë me dëborë, Lumja niset në kërkim të Zanës, vajzës 4-vjeçare që ia vranë para syve gjatë luftës së Kosovës. Por çfarë ndodhi në këtë pikë? U shërua Lumja apo pati një fund tragjik? Regjisorja Kastrati arriti ta mbajë vigjilent shikuesin deri në sekondat e fundit. Për disa shikues, filmi pati fund jo të lumtur, për disa të tjerë ishte një fund logjik.

Kinematografja Sevdija Kastrati, ka realizuar imazhe të bukura për syrin, por po aq prekëse për shpirtin. Vështirë të mbash lotët, para skenës së ftohtë të dëborës. Detajet, ndriçimi, lentet e përdorura, kontrastet e forta mes ngjyrave dhe përmbajtjes së skenarit, janë këto elementë që kanë arritur të krijojnë plane vitale në kontrast me vuajtjen e shpirtit të personazhit qendror. Fiksojeni emrin Sevdije Kastrati, si një supertalent të fotografisë që di të përkthejë me lehtësi vizionin e drejtueses së filmit, jo sepse e ka motër e njihen në detaje me njëra-tjetrën, por se kjo vajzë do dijë të lërë gjurmë në kinematografi.

Por sigurisht që fotografia ka nevojë edhe për editim dhe ky proces është realizuar nga vetë regjisorja. Kjo në fakt është gjë e mirë pasi Antoneta ka ditur shumë mirë se çfarë të krasisë apo ndreqë në pjesët e filmuara, në përputhje me qëllimet e skalitura qëkur filmi 5 vjet më parë ishte thjesht një ide. Prandaj vështirë të konstatohej ndonjë kërcitje planesh nga një aksion në tjetrin, përkundrazi, gjithçka ishte ngjitur kaq bukur dhe copëzat filmike ishin lëmuar mjeshtërisht duke arritur ritmin perfekt vizual.

E megjithatë, pavarësisht mesazheve që çdo sekuencë e filmit ka qëllim të përcjellë, pa lojën e arrirë të aktorëve vështirë se një skenar del në dritë. Regjisorja Kastrati kishte zgjedhur aktoren Adriana Matoshi, e cila duhet theksuar se përveç aftësisë aktoriale, ajo ka një bukuri magjepsëse në thjeshtësinë e tipareve që nuk hasin vështirësi të emetojnë shprehje emocionale edhe kur personazhi vuan nga ngrirja e emocioneve. Në fakt gjykimi i aktorëve është gjëja më e kollajtë që shikuesi mund të bëjë. Janë aktorët ata që përballen me audiencën, pavarësisht se midis tyre qëndron një ekran.

Të përzgjedhur me kujdes por edhe me intuitë, kasti i aktorëve dhe ky ekip ishte i qëlluar. Harmonia e komunikimit mes tyre në realitetet absurde të kohës së shkuar por pse jo edhe të së tashmes shqiptare në disa aspekte, përcillnin vërtetësinë tek shikuesi, e cila hera-herës qesharake e groteske pa fund.

Nuk duhet lënë pa përmendur dhe dirigjenti i koordinimit të punëve artistike, Casey Cooper Johnson, një njohës i mirë i Kosovës së luftës dhe gjuhës shqipe, i cili me shkathtësi ka arritur në realizojë kërkesat e regjisores Kastrati njëherazi dhe bashkëshortes së tij që prej fillimviteve të largëta të pasluftës.  

Ju e dini që filmi ka lidhje me figurën, por gjithashtu shumë rëndësi merr edhe tingulli. Këngët shqipe ishin pjesë plotësuese e Zanës, por ajo që më mbeti në mendje dhe më shoqëroi pas-orët e filmit ishte ninulla mbyllëse. Sapo lotët të derdhen faqeve në skenën e fundit, një muzikë e ëmbël drithëruese e shkruar nga Fatime Kosumi të mban ende të ulur në karrige, duke ndjekur instinktivisht titrat e filmit.

Janë duartrokitjet e fuqishme ato që të përmendin se filmi mbaroi. Regjisorja Antoneta Kastrati dhe producenti Casey Cooper Johnson ftohen në skenë të bisedojnë me shikuesit. Unë kujtohem që e kam intervistuar Antonetën dhe më duhet veç të zbardh bisedën e regjistruar e ta publikoj në FlasShqip. Por, kur arrita në shtëpi kisha dëshirë të përktheja në fjalë të shkruara, efektet e filmit “Zana” mbi mua, si m’u duk dhe si e kuptova unë. Dhe kështu vendosa që fjalën e fundit mbi Zanën, t’ia rezervoj nesër regjisores Antoneta Kastrati.

Shtator 2019

©FlasShqip.ca