Kanada

Covid-19/Statistics Canada: Ekonomia kanadeze po tkurret si asnjëherë tjetër në 50 vitet e fundit

  • Published in Kanada

Banka e Kanadasë ende po mban normën e saj bazë të interesit në 0.25%, por njofton masa të reja për injektimin e më shumë likuiditeteve në ekonomi.

Sipas të dhënave më të fundit mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të publikuara dje nga Statistics Canada, ekonomia kanadeze po tkurret si asnjëherë më parë në pothuajse gjysmë shekulli.

Një vlerësim i shpejtë dhe paraprak nga agjencia federale e statistikave arrin në përfundimin se PBB ra me rreth 9% në Mars, çka konsiderohet ulja më e madhe mujore që nga viti 1961, vit prej kur filloi dhe publikimi i këtyre të dhënave.

Kjo shtyn të besohet që për tremujorin e parë të vitit 2020, PBB do të ulet me rreth 2.6% por sipas të njejtit burim informacioni shifra më të sakta pritet të dalin më vonë.

PBB është indikatori kryesor matës i veprimtarisë ekonomike të një vendi, indikator që bazohet në përllogaritjen e vlerës totale të tregut të të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në një periudhë të caktuar kohore.

Statistics Canada normalisht do të duhej të priste deri në fund të Majit për të publikuar këto shifra, pasi të kish bërë krahasimin e të dhënave aktuale të Mars 2020 me ato të Mars 2019, por në komunikimin zyrtar u pohua që ky përjashtim nga rregulli u bë duke marrë parasysh situatën unikale me të cilën po përballet ekonomia kanadeze në kontekstin e pandemisë COVID-19.

Agjencia federale e statistikave duket se ka përdorur të gjitha të dhënat në dispozicion të saj, por paralajmëroi gjithashtu se vlerësimi i saj aktual paraprak mund të jetë paksa i ndryshëm në raport me përllogaritjet zyrtare të plota që do të publikohen pas rreth gjashtë javësh.

Statistics Canada, në deklarimet e djeshme ka nënvizuar që turbulencat ekonomike për shkak të distancimit social dhe kufizimeve të vendosura nga qeveria, të tilla si mbyllja e bizneseve jo thelbësore, kanë qenë të shumta, të përhapura në gjithë territorin dhe me ndikim të konsiderueshëm. Jo më kot, bizneset e udhëtimit dhe turizmit, të tilla si transporti, restorantet dhe akomodimi, janë më të prekurit nga kriza aktuale. Rënia e mprehtë u vërejt edhe në shërbimet personale, shitjet me pakicë (përveç shitjes së ushqimit), shfaqjet, spektaklet, kinematë dhe evenimentet sportive.

Megjithatë, jo të gjithë sektorët e ekonomisë janë në rënie. Aktiviteti në kujdesin shëndetësor, shpërndarjen e ushqimit, shitjet me pakicë në internet dhe industria e internetit kanë pësuar rritje.

Një konstatim tjetër është që megjithë rënien e çmimeve të naftës dhe uljen e investimeve në sektor, ende nuk është ndjerë një ndikim i rëndësishëm në muajin Mars sa i takon volumit të naftës dhe gazit të prodhuar dhe transportuar në vend.

Norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar

Disa orë pas publikimit të këtyre të dhënave, Banka e Kanadasë njoftoi se do vazhdojë ta mbajë normën e saj bazë të interesit në masën 0.25%, që konsiderohet dhe si niveli dysheme, vendim ky që ishte paralajmëruar nga ekspertët ekonomistë.

Qysh nga fillimi i Marsit, banka qendrore e vendit e ka ulur normën e saj kryesore tre herë. Kjo normë u caktua 0.25% që nga 27 Marsi, por duhet kujtuar që në fillim të Marsit niveli ishte 1.75%.

Banka e Kanadasë ka njoftuar gjithashtu që dy programe të reja do të zbatohen në javët e ardhshme për të injektuar më shumë likuiditet në ekonominë e vendit. I pari do të jetë Programi i blerjes së obligacioneve provinciale që mund të shkojë deri në 50 miliard dollarë, ndersa i dyti do jetë Programi i blerjes së obligacioneve nga korporatat deri në masën 10 miliard dollarë.

Banka gjithashtu vazhdon të blejë çdo javë të paktën 5 miliardë dollarë letra me vlerë nga qeveria kanadeze mbi bazën e një programi të shpallur më parë. Prej fillimit të krizës, mësohet që Banka e Kanadasë ka akorduar hua për institucionet financiare dhe ka realizuar blerje aktivesh nga tregjet esenciale të financave që arrijnë shumën totale rreth 200 miliardë dollarë.

Megjithatë sipas bankës qendrore, sfida kryesore për tregjet do të jetë administrimi i kërkesës së shtuar për fonde afatshkurtra nga qeveria federale, nga qeveritë e provincave si dhe nga bizneset e familjet.

Duke iu referuar deklarimeve të agjencisë federale të statistikave, Banka e Kanadasë vlerësoi gjithashtu paraprakisht që niveli real i aktivitetit ekonomik në vend ka rënë nga 1% deri në 3% gjatë tremujorit të parë të vitit 2020.

Gjtihmonë sipas bankës qendrore, ky nivel pritet të jetë 15% deri në 30% më i ulët në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit pritet ti afrohet shifrës 0% në tremujorin e dytë të vitit 2020, situatë që shpjegohet me ndikimin kalimtar të rënies së çmimit të karburanteve.

Radio-Canada/Flasshqip.ca