Kanada

Ja çfarë parashikon Ligji kanadez për emergjencat dhe gjendjen e jashtëzakonshme

  • Published in Kanada
Nga: Përgatiti Taulant Dedja

I miratuar në vitin 1988, gjatë kohës kur qeverinë federale e drejtonte kryeministri konservator Brian Mulroney, Ligji i Emergjencave (i masave urgjente apo gjendjeve të jashtëzakonshme), i cili zëvendësoi Ligjin e vjetër të Masave të Luftës, nuk është aplikuar asnjëherë në Kanada deri më sot. Madje as në vitin 1990 gjatë asaj që njihet si Kriza e Oka në Québec, kur u përdor edhe ushtria kanadeze.

Së pari, një ligj i tillë nuk është një procedure e zakonshme, që aplikohen në kohë normale. Ligji “bën të mundur marrjen e masave të posaçme të përkohshme që mund të mos jenë të përshtatshme në kohë normale”, thuhet në preambulën e tij.

Për shembull, qeveria nuk mund të hyjë në shtëpinë e dikujt dhe të bllokojë apo sekuestrojë pronën e tij. Në situatë normale kjo është e ndaluar. Por me një ligj për masa emergjente dhe të jashtëzakonshme, kjo mund të bëhet e mundur. Këtë ia ka pohuar dje Radio-Canada Geneviève Tellier, politologe dhe profesoreshë e Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Ottawa.

Në formën e tij aktuale, Ligji për Emergjencat, është konceptuar për t'iu përgjigjur pesë llojeve të situatave: emergjencave kombëtare, fatkeqësive natyrore, situatave të jashtëzakonshme, situatave të krizave ndërkombëtare dhe situatave të luftës.

(Ushtria kanadeze në Montréal gjatë Krizës së Tetorit 1970)

Referuar tekstit, ligji i lejon qeverisë federale në veçanti:

-të kufizojë ose ndalojë udhëtimet, të kufizojë ose ndalojë përdorimin e burimeve të caktuara (prona, financa) apo manifestimet publike që në mënyrë të arsyeshme parashikohet që mund të cënojnë rendin publik;

-të përcaktojë zonat e mbrojtura e të vendosë rregulla për ruajtjen apo administrimin e tyre;

-të marrë nën kontroll shërbime të caktuara publike ose të sigurojë rikthimin dhe garantimin e vazhdimësisë së tyre;

-të autorizojë ose urdhërojë ofrimin e shërbimeve thelbësore dhe pagesën e kompensimit të arsyeshëm për këto shërbime;

-në rastet e shkeljes së dekreteve apo rregulloreve, të vendosë, në rast dënimi me procedurë të shkurtuar, një gjobë deri në 500 dollarë dhe burgim për një afat jo më të gjatë se gjashtë muaj ose një nga këto dënime, ose, në rast dënimi me aktakuzë e procedurë normale, një gjobë deri në 5000 dollarë dhe burgim për një maksimum prej pesë vjetësh ose një nga këto dënime.

(Kriza e Oka, Québec 1990)

Megjithëse siç u tha në fillim ligji i vitit 1988 zëvendëson Ligjin e Masave të Luftës, që u aplikua në Kanada jo vetëm gjatë dy luftërave botërore, por edhe gjatë krizës së tetorit në Québec në vitin 1970, situata e emergjencës sipas këtij ligji, nuk e parashikon automatikisht përdorimin e ushtrisë.

Sipas ekspertes së cituar më lart, përdorimi i ushtrisë është vetëm një mundësi midis mundësive dhe mjeteve që në total disponon qeveria. Dhe përveç kësaj, përdorimi i ushtrisë për situata të veçanta ka ndodhur pa iu referuar aspak Ligjit të Emergjencave. Kjo u pa gjatë dy viteve të pandemisë, kur forcat e armatosura u përdorën në të gjithë vendin për arsye të ndryshme, për vaksinimin, në ndihmë të shtëpive të trajtimit të të moshuarve, në ndihmë të spitaleve, apo në raste përmbytjesh a zjarresh, siç ndodhi vjet në British Columbia.

Për faktin se ky ligj nga shumë ekspertë konsiderohet si një “armë bërthamore legjislative”, procedurat që ai parashikon për shpalljen e gjendjes së emergjencës apo gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të miratohen në mënyrë të njëanshme nga qeveria. Kjo e fundit duhet ta arsyetojë detyrimisht vendimin e saj para deputetëve të Dhomës së Komunave si dhe anëtarëve të Senatit.

(Përmbytjet në British Columbia 2021)

Qeveria ka detyrimin të argumentojë saktësisht se cilat janë arsyet pse merret një vendim i tillë si dhe të përcaktojë një afat kohor. Nëse është e nevojshme që afati të zgjatet, qeveria duhet të riparaqesë kërkesën në Parlament. Ligji i dikurshëm për Masat e Luftës nuk e parashikonte miratimin nga Parlamenti dhe e lejonte qeverinë të nxirrte lirisht dekretet dhe rregullore pa raportuar para deputetëve. Pra sot, rregullat janë shumë më të detajuar, kërkohet paraqitja e një mocioni, që më pas do të debatohet para se të votohet, si në Dhomën e Komunave ashtu edhe në Senat. Që mocioni i qeverisë të quhet i miratuar, duhet që të dyja dhomat e Parlamentit të votojnë pro. Ligji aktual kësisoj garanton edhe mundësinë e opozitës për të shprehur mendimin dhe qëndrimin e saj ndaj masës që ka vendosur qeveria.

Dhe në fund, ligji parashikon edhe konsultimet me provincat dhe territoret, sepse për çdo ndërhyrje nevojitet dhe miratimi formal nga provinca, apo provincat ku do ndërhyet.

Procedura e miratimit në parlament dhe aplikimi në vazhdim mbetet të shihet në ditët e ardhshme.

©Flasshqip

Fotot: The Canadian Press/Tom Hanson/Darryl Dick; Getty Images/The Toronto Star/Bob Olsen