Kanada

Ligj special për dënimin e gazetarëve, CBC/Radio-Canada pezullon punën në Rusi

  • Published in Kanada

Presidenti rus Vladimir Putin dekretoi sot (04.03.)  një ligj që parashikon dënime të rënda burgimi dhe gjoba të larta për këdo që publikon informacione të konsideruara "të rreme" për ushtrinë ruse. Amendamenti i miratuar këtë mëngjes në leximin e tretë nga Duma, Dhoma e Ulët e Parlamentit, parashikon dënime deri në 15 vjet burg për shpërndarjen e informacionit të rremë. Një tjetër amendament, i miratuar gjithashtu sot, sanksionon ndëshkimin e çdo individ apo organizate që kërkon vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Edhe ky amendament gjithashtu është dekretuar nga Putin.

Korrespondentia e Radio-Canada në Rusi Tamara Alteresco dhe kameramani i saj, Alexey Sergeyev

Pas këtyre zhvillimeve, CBC/Radio-Kanada ka njoftuar pezullimin përkohësisht të aktivitetit të vet gazetaresk në Rusi, nderkohë që pret të qartësohen efektet e ligjit, në mënyrë që të garantohet siguria e gazetarëve dhe punonjësve që ndodhen në Moskë. “Puna që bëjnë gazetarët tanë në terren ndihmon që kanadezët dhe qytetarët në mbarë botën të jenë të informuar për ngjarjet aktuale. Jemi krenarë për profesionalizmin dhe përkushtimin e ekipeve tona jashtë vendit dhe do të vazhdojmë t'i mbështesim në ushtrimin e profesionit të tyre”, thuhej në deklaratën e medias shtetërore kanadeze.

Aktualisht, korrespondentja e Radio-Canada, Tamara Alteresco, me qendër në Moskë, prej nisjes së luftës në Ukrainë ka informuar rregullisht për situatën atje.

Ndërkohë Kryetarja e Këshillit të Federatës Ruse, Dhoma e Lartë e Parlamentit, Valentina Matvienko, i ka justifikuar këto masa duke akuzuar Perëndimin se ka nisur një luftë informacioni të paprecedentë në përmasa dhe agresivitet kundër Rusisë.

Edhe kanali britanik i lajmeve BBC ka njoftuar menjëherë se do të pezullojë punën e gazetarëve të tij të vendosur në Rusi për shkak të reprezaljeve të mundshme kundër tyre nga autoritetet ruse. CNN dhe Bloomberg morën gjithashtu të njejtin vendim.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada, AFP Getty Images/Sergey Supinsky