Kanada

Québec, 14 deputetë të rinj të Parlamentit refuzojnë t’i betohen Mbretit Charles III

  • Published in Kanada

Pas zgjedhjeve të 3 tetorit në Québec dhe shpalljes së rezultatit përfundimtar, është hapur sërish debati se kujt duhet t’i betohen përfaqësuesit e popullit të provincës frankofone. Gjatë javës që sapo kaloi, në një nga sallat e Asamblesë Kombëtare (Parlamentit), është organizuar ceremoniali i betimit të deputetëve të katër partive që arritën të zgjedhin deputetë: Koalicioni Avenir Qubéc (90) Partia Liberale (21), Québec Solidare (11) dhe Parti Québecois (3). Njëkohësisht u betua dhe kabineti i ri me 30 ministra i kryeministrit të rimandatuar François Legault.  

Deputetët e mazhorancës, Koalicionit Avenir Québec (CAQ) dhe ata të Partisë Liberale, që për shkak të numrit të vendeve (21) konsiderohet opozita zyrtare (sipas rregullores numri minimal për një grup parlamentar është 12 vende), u betuan se do t’i qëndrojnë besnikë popullit të Québec dhe Mbretit Charles III. Këta dy betime burojnë përkatësisht nga Ligji për Asamblenë Kombëtare dhe nga Kushtetuta kanadeze. Ministri i Drejtësisë, Simon Jolin-Barrette, megjithatë deklaroi në një konferencë shtypi më pas, se ky betim ndaj Monarkisë Britanike nuk i pëlqen askujt.

Në fakt debatin për çështjen e betimin ndaj mbretit (që sipas kushtetutës është kryetari i shtetit kanadez) e hapi i pari shefi i Partisë Indipendentiste (Parti Québecois), Paul Saint-Pierre Plamondon, i cili kërkoi që të gjitha partitë të miratojnë një mocion që e ndryshon formulën e betimit. Propozimit të tij iu bashkuan dhe 11 deputetët e Québec Solidaire, të cilët u betuan të mërkurën (19.10.) vetëm ndaj popullit të Québec, duke refuzuar betimin ndaj mbretit. Të premten (21.10.) të njejtin veprim e bënë edhe 3 deputetët e Parti Québecois. Kësisoj numri i përgjithshëm i deputetëve të Québec, që refuzojnë betimin ndaj Charles III, ka arritur në 14.

Edhe pse këta deputetë do vazhdojnë të paguhen (tashmë një pjesë e tyre ka nisur me angazhimin e stafit), ata rrezikojnë të mos lejohen të marrin pjesë në seancën e parë të Parlamentit që do të mblidhet zyrtarisht më 29 nëntor.

Ndërkohë, mbrëmjen e së martës (18.10.), kreu i Québec Solidaire, Gabriel Nadeau-Dubois, ftoi përmes një letre kolegët e tij nga CAQ, PLQ dhe PQ që të zhvillojnë një takim për këtë temë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje transpartizane për impasin aktual. Ai ka sugjeruar që ky takim të bëhet javën e ardhshme.

Por çfarë do të ndodhë mëngjesin e 29 nëntorit nëse ngërçi vazhdon? A do të pengohet hyrja në Parlement e përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike nga populli? “Unë, dyshoj”, ka deklaruar shefi i PQ, Paul Saint-Pierre Plamondon, i cituar nga Radio-Canada.

Pascal Bérubé, Joël Arseneau dhe Paul St-Pierre Plamondon (PQ)

Nga ana e tyre, Simon Jolin-Barrete, ministri i Drejtësisë dhe drejtuesja e opozitës zyrtare, Dominique Anglade, të dy kanë pohuar se vetëm miratimi i një projektligji do t'i lejojë deputetët e zgjedhur të Québec t’i shmangen, nëse dëshirojnë, betimit ndaj Kurorës Britanike.

Debati për betimin në Québec ka tërhequr dhe vëmendjen në Ottawa, ku kryeministri Justin Trudeau deklaroi fillimisht mërkurën (19.10.) se Asambleja Kombëtare e Québec ka të drejtën të vendosë se si do ta organizojnë procesin e vet të betimit, por më pas, gjatë periudhës së pyetjeve në Dhomën e Deputetëve, kryeministri e modifikoi qëndrimin, duke refuzuar të spekulojë se çfarë mund ose nuk mund të bëjë Asambleja Kombëtare e provincës frankofone. Sipas Trudeau, asnjë qytetar i Québec nuk dëshiron që qeveria federale të rihapë debatin për Kushtetutën kanadeze.

Betimi, një detyrim i pashmangshëm?

Sipas konstitucionalistit Patrick Taillon, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit Laval, i cituar nga Radio-Canada, detyrimi për betim besnikërie ndaj mbretit është i pashmangshëm, sepse është i shkruar e zezë mbi të bardhë në Kushtetutën kanadeze dhe Québec duhet ta zbatojë, edhe pse nuk e ka ratifikuar Kushtetutën, çka mbetet një dramë politike në vetvete. Pra, për shkak se ky betim është i detyrueshëm, duhet të ketë pasoja për mosbërjen e tij, por Kushtetuta nuk është e qartë për pasojat e mundshme dhe do të jetë në dorë të Asamblesë Kombëtare, kryesisë së saj, për të përcaktuar pasojat për 14 deputetët.

Për Partick Taillon, në vijim të këtij debati pyetja që shtrohet është: kush ka fuqinë të ndryshojë rregullat e lojës?

Në këtë aspekt bashkëjetojnë dy tendenca, apo shkolla mendimi, shpjegon konstitucionalisti. CAQ, QS dhe PQ janë të mendimit se Québec mund ta ndryshojë atë vetë, në mënyrë të njëanshme, pa kërkuar leje nga pjesa tjetër e Kanadasë. Shkolla tjetër e mendimit është se për të ndryshuar rregullat duhet të ketë një marrëveshje mbarëkombëtare. Patrick Taillon e ka vlerësuar komentin e kryeministrit Trudeau si mesazh se në Ottawa, opinioni është i ngjashëm me CAQ, QS dhe PQ: në afat të mesëm ose afatgjatë, Québec mund të ndryshojë rregullat e lojës për parlamentin e vet provincial pa kërkuar leje nga të tjerët ashtu si dikur shfuqizoi senatin e tij, duke zvogëluar fuqinë e monarkisë në provincë.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada