Kanada: 15.1 miliardë dollarë deficit qeveritar nga prilli në tetor 2023
- Published in Kanada
Sipas raportit financiar mujor të ministrisë së Financave, të cilit i referohet lajmi i medias shtetërore kanadeze CBC/Radio-Canada i publikuar të shtunën e kaluar më 23 dhjetor, qeveria federale kanadeze ka rezultuar me një deficit buxhetor prej 15.1 miliardë dollarësh nga prilli në tetor 2023, duke përfshirë 7 miliardë dollarë për muajin tetor. Deficiti për periudhën e krahasueshme të vitit të kaluar ishte 0.2 miliardë dollarë.
Të ardhurat shtetërore u rritën me 3 miliardë dollarë, ose 1.2 për qind, për shkak të rritjes së interesit të të ardhurave të tjera jotatimore, ndërsa shpenzimet e programeve të ndryshme, duke përjashtuar humbjet neto aktuariale, u rritën me 11.8 miliardë dollarë, ose 5.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shpenzimet në të gjitha kategoritë kryesore gjithashtu janë rritur, Kësisoj, shërbimi i borxhit u rrit me 7.5 miliardë dollarë, ose 38.1%, kryesisht për shkak të normave më të larta të interesit, por kjo rritje u kompensua pjesërisht nga interesi më i ulët i borxhit të obligacioneve me rendiment real të lidhura me indeksin e çmimeve të konsumit.
Ndërkohë, humbjet neto aktuariale u ulën me 1.3 miliardë dollarë, ose 23.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (disiplina aktuariale është teknika e aplikimit të metodave të statistikave dhe llogaritjes së probabilitetit në fushën e sigurimeve, pensioneve dhe amortizimit).
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: The Canadian Press/Sean Kilpatrick