Discovery

Historia e Krishtlindjes

Përgatiti: David Shkurti

Prej kohësh ditët e fund Dhjetorit janë festuar në të gjithë botën. Shekuj para ardhjes së Jezusit, europianët e hershëm festonin dritën dhe lindjen gjatë ditëve më të errëta të dimrit. Shumë popuj gëzonin gjatë solsticit të Dhjetorit, duke ditur se më pas ditë më të gjata dhe më shumë orë me diell i prisnin.

Në Norvegji në shenjë mirënjohjeje të rikthimit të Diellit, baballarët dhe djemtë çonin në shtëpi trungje të mëdhenj për t’i djegur në zjarr. Familja do të festonte derisa trungu të digjej i gjithi, proces ky që mund të zgjaste deri në 12 ditë. Norvegjezët besonin se çdo shkëndijë zjarri përfaqësonte një derr ose viç të ri që do të lindte gjatë vitit të ardhshëm.

Fundi i Dhjetorit ishte një kohë e përkryer për festime në shumicën e zonave të Europës. Në atë kohë të vitit, therej shumica e bagëtive, kështu që ato nuk do të duhej të ushqeheshin gjatë dimrit. Për shumë njerëz, kjo periudhë ishte koha më e mirë për t’u furnizuar me mish të freskët. Për më tepër, pijet si vera dhe birra të përgatitura gjatë vitit, më në fund ishin fermentuar dhe të gatshme për t’u pirë.

Në Gjermani njerëzit nderonin Odin (babain e zotave) dhe e kishin frikë atë, pasi besonin se gjatë kohës së festave të Dhjetorit ai fluturonte natën nëpër qiell për të vëzhguar popullin e tij, dhe më pas vendoste se kush do të vazhdonte të jetonte dhe kush do të vdiste, bazuar në veprat e tyre. Për këtë shkak shumë njerëz zgjidhnin të qëndronin brenda shtëpive gjatë natës.

Në Romë, ku dimri nuk ishte aq i ashpër sa ai në veriun e largët, njerëzit i kishin dedikuar një festë Saturnit, perëndisë së bujqësisë, të quajtur Saturnalia. Gjithashtu rreth kohës së solsticit të dimrit, romakët festonin Juvenalia, ditët e posaçme për të nderuar bijtë e Romës. Por anëtarët e klasave të larta festonin edhe ditëlindjen e Mithra, perëndisë së Diellit, më 25 Dhjetor. Besohej se Mithra, një perëndi foshnje, kishte lindur nga një shkëmb. Për disa romakë, ditëlindja e Mithra ishte dita më e shenjtë e vitit.

Në vitet e para të krishtërimit, Pashka ishte festa kryesore; ndërsa lindja e Jezusit nuk festohej. Në shekullin e katërt, zyrtarët e kishës vendosën të krijonin festën e lindjes së Jezusit. Bibla nuk përmend datën e lindjes së tij. Megjithëse thuhet se ka disa prova që sugjerojnë se lindja e tij mund të ketë ndodhur në pranverë, Papa Julius I zgjodhi datën 25 Dhjetor. Zakonisht besohet se Kisha zgjodhi këtë datë në një përpjekje për të adoptuar traditat e festivalit pagan Saturnalia. E quajtur fillimisht si Festa e Lindjes, ajo u përhap në Egjipt deri në vitin 432 dhe në Angli deri në fund të shekullit të gjashtë.

Duke festuar Krishtlindjet në të njëjtën kohë me festivalin tradicional të solsticit së dimrit, udhëheqësit e kishave rritën shanset që Krishtlindjet të pëlqeheshin më shumë nga populli, por ata hoqën dorë nga autoriteti për të vendosur se si do të festohej. Në Krishtlindje, besimtarët shkonin në kishë, pastaj festonin të shkujdesur në një atmosferë të ngjashme me karnavalet.

Anulimi i Krishtlindjes                                    

Në fillim të shekullit të 17-të, një valë reformash fetare ndryshuan mënyrën se si festohej Krishtlindja në Europë. Kur Oliver Cromwell dhe forcat e tij puritane pushtuan Anglinë në 1645, ata anuluan Krishtlindjet. Kur Charles II u rikthye në fron bashkë me të, erdhi edhe kthimi i festës popullore.

Separatistët anglezë që shkuan në Amerikë në vitin 1620, ishin edhe më ortodoksë në puritanizmin e tyre sesa Cromwell. Për pasojë, Krishtlindja nuk njihej si festë në Amerikën e asaj kohe. Nga 1659 deri në 1681, festimi i Krishtlindjes ishte i jashtëligjshëm në Boston. Kushdo që shfaqte frymën apo shpirtin e Krishtlindjes gjobitej me pesë shilinga. Kështu vazhdoi deri më 26 qershor 1870, kur më në fund Krishtlindja u shpall festë.

Christmas Carol

Shkrimtari anglez Charles Dickens krijoi përrallën klasike të festave, “A Christmas Carol”, e cila përcillte mesazhin e bamirësisë dhe vullnetit të mirë mes njerëzve. Gjatë Krishlindjes prindërit shfaqnin më pak disiplinim ndaj fëmijëve, duke u lejuar më tepër të drejta dhe gjithashtu duke i shpërblyer me dhurata për sjellje të mira. Njerëzit dekoronin pemën e krishtlindjes, shkëmbenin dhurata e kartolina mes tyre dhe urime të përzemërta.

Kush e krijoi Santa Clausin?

Legjenda e Santa Claus mund të ketë rrënjë në historinë e një peshkopi me emrin Shën Nikolas, i cili lindi në një qytet që ndodhej në territorin e Turqisë së sotme rreth vitit 270 pas Krishtit. Shën Nikolasi ja dha të gjitha pasuritë e tij të trashëguara njerëzve të varfër dhe udhëtoi nëpër fshatra duke ndihmuar të varfërit dhe të sëmurët, duke u bërë i njohur si mbrojtësi i fëmijëve dhe marinarëve. Shën Nikolas hyri për herë të parë në kulturën popullore amerikane në fund të shekullit të 18-të në New York, kur familjet holandeze u mblodhën për të nderuar përvjetorin e vdekjes së "Sint Nikolaas" (hollandisht për Shën Nikolasin), ose "Sinter Klaas" shkurt për "Santa Claus".

Në vitin 1822, Clement Clarke Moore shkroi një poezi të Krishtlindjes të quajtur "An Account of a Visit from St. Nicholas, ", e njohur sot prej vargur të parë: "'Twas the night before Christmas". Poezia e përshkruante Santa Claus-in si njeri gazmor që fluturonte nga shtëpia në shtëpi me një karrocë me 10 drerë për të shpërndarë lodra.

Versioni ikonik i Santa Claus si një njeri i këndshëm, i veshur me rroba të kuqe me një mjekër të bardhë dhe një thes lodrash u përjetësua në 1881, kur karikaturisti politik Thomas Nast ilustroi vjershën e Moore për të krijuar imazhin e Old Saint Nick që njohim sot.

Gëzuar Krishtlindjen!                                                                                                                     

Burimi: history.com

Shënim: Ky është një nga variantet e historisë së Krishtlindjes, pasi ekzistojnë disa të tilla.