Discovery

Albumi i vjetër ose nuk mund të krahasohen të pakrahasueshmet - Nga Bamir Bebeziqi

Dje mbusha plot 13 vjet pune në të njëjtën kompani. E kujtoj si sot ditën e parë e më habisin vitet që fluturuan kaq shpejt. Nëse godinat janë po ato, linjat teknologjike kanë ndryshuar fare pak, vetëm kompjuterat e mëdhej janë zëvendësuar me laptop-ë, tek njerëzit ka ndodhur ndryshimi më i madh. Shumë kanë dalë në pension, shumë janë larguar, bile disa edhe nuk jetojnë më.

Para disa ditësh, zyrat e “Burimeve njerëzore”, u pastruan nga e shkuara. Bashkë me mobilimet, u hoqën edhe albumet e fotografive. Albumet i lanë tek restoranti i kompanise me idenë që kushdo mund të merrte fotot që i përkisnin.

Ishin rreth pesë albume të formatit të madh e kurioziteti më bëri, që një ditë të shtunë t’i shfletoja me radhë. Fotot datonin nga vitet 1975 deri 1990.

Fillova të shfletoj faqet e albumit e shikoja fotot një nga një. Kryesisht qenë foto nga aktivitete të ndryshme të kompanisë ndër vite, foto nga festimet e Krishtlindjes, foto nga aktivitete sportive e kulturore, nëpër plazhe apo pikniqe e ceremoni martesash. Përpiqesha të gjeja ndonjë foto të kolegëve të mij, por nuk qe e lehtë. Kishin kaluar shumë vite. Duke i parë me kujdes, njoha disa prej tyre e të vjen keq se si Nëna Natyrë, me gjithë mrekullitë që ka, ka krijuar edhe vjetërimin, ka krijuar edhe rrëzimin, ka krijuar edhe vdekjen.

Para disa vjetesh, punova për disa kohë me Dejvin. Dejv qe ukrainas me origjinë, por lindur në Kanada. Familja e tij kishte emigruar nga Ukraina në kohën e krizës, sapo bolshevikët kishin marrë fuqinë në ish-Bashkimin Sovjetik.

Dejv mbante rekordin në kompani për vite shërbimi, me plot 42, mbi supet e tij. Në atë kohë, kur punonim bashkë, ishte mbi të gjashtëdhjetat, me pamjen e një njeriu mëse të zakonshëm. Ngaqë punonim ngjitur, vija re diçka, se shpesh, shumë nga gratë e kompanisë ndalonin e flisnin gjatë me të.

Mendoja, se meqë qe një burrë i divorcuar, mundet që ai t’i jepte vëmendje grave pak më shumë, por nuk qe kjo e vetmja arsye.

Dejv, kishte fituar diku nga viti 1975 çmimin, “The Sunshine boy”, bile edhe e motra kishte qenë fituese e një kokursi për miss në Toronto.

Përveç kësaj, ai qe edhe mjeshtër me “brez te zi” (black belt) në artet marciale.

Kur mësova për Dejv-in, kuptova se përse gratë në moshë, pëlqenin të flisnin me kohë të zgjatur me të.

Dejv, kishte qenë dikur një djalë i ri shumë tërheqës e gratë me siguri nuk flisnin me Dejv-in e vjetëruar, por me “Sunshine boy”-in, e dikurshëm.

E përmenda Dejvin, pasi gjeta një foto të tij në album. Në foto, dalur në plazh, ai dukej krejt si Tarzani i famshëm, ku spikasnin floket e gjatë biond që lëshoheshin mbi shpatullat e gjëra të tij.

Në fotot me ndihmën e një kolegu ndër më të vjetrit në kompani, fillova të dalloja një e nga një kolegët e mi, të cilët punojnë edhe sot, apo kanë vite të pensionuar. U habita dhe u trishtova njëkohësisht.

Më erdhën në mendje fotot e mia të viteve 1975-1990, në moshën më të bukur, por fotot e mia ndryshonin shumë nga të kolegëve.

Ndërsa të miat, shumë të pakta në numër, vetëm bardhë e zi, në më të shumtën dalë serioz, veshur me rrobe modeste, ku dominonte ngjyra e errët, kolegët e mi ndriçonin nëpër foto.

Qenë veshur bukur, duke iu përshtatur çdo lloj aktiviteti, sa në veshjet sportive, sa në veshjet serioze, sa në veshjet e përditshme, sa në veshjet e Halloween-it e sa në veshjet e plazhit.

Në çdo foto vëreja qeshjen e bukur, ku ndriçonin dhëmbët dhe më vijnë ndër mend fjalët e kolegut tim, polakut Jani, i cili shpesh më thotë: “Ne europianolindorët e kemi problemin të gjithë tek dhëmbët, pasi kishim tmerr në moshë të vogël, kur fillon edhe mirëmbjatja e dhëmbëve, të shkonim tek dentisti. Na tmerronte zhurma shoqëruar me dhëmbje, kur na gerryenin dhëmbët me ato frezat me motor, dhëmbje që e shoqëronim me lot e më të bërtitura.”

Por, nuk qe vetëm buzëqeshja e ndryshme nga e jona. Djemtë dhe vajzat, gratë apo burrat, të gjithë qenë me flokë të rregulluara bukur. Ishte koha, kur burrat mbanin flokë të gjatë.

Fotot e albumit të kompanisë, krahasuar me fotot e mia, tregonin gjithçka, tregonin dy jetë, tregonin dy botë dhe e them me bindje të plotë: Nuk mund të krahasohen të pakrahasueshmet.

Lexoj shkrime, lexoj komente, lexoj e shpesh flitet me nostalgji për kohën e shkuar, kohën që kaluam ne dhe akoma më keq, prindërit tanë.

Shumë punonjës në ato foto të albumit, qenë pak më të mëdhej se unë, shumë prej tyre moshatarë me prindërit e mi…. prindërit e mi, të cilët e kaluan jetën pa e parë njëherë veten të kompletuar. Im atë kishte vetëm dy kostume. Një kostum stofi dhe atë do ta vishte vetëm për raste festash e dasmash e një kostum që e vishte pothuaj çdo ditë. Duhet të theksoj faktin, se ai qe pedagog universiteti për shumë vite. Kujtoj nënën time e cila nuk i rregulloi kurrë flokët, pasi Durrësi kishte vetëm një floktore. I priste vetë flokët e disa here e kam qethur edhe unë me gërshërën e vetme që kishte shtëpia, bile më kujtohet kur e motra i dhuroi nje kuti kremi “Nivea” dhe ajo e ruante si gjënë më të shtrenjtë.

Në fotot më binin në sy syzet që mbanin kolegët e mi, qoftë syzet e diellit e qoftë syzet me numër e në mendje më vinin syzet që përdornin prindërit e mi, sidomos im atë, të cilit i qe formuar një brazdë e thelle në vendin ku ndahet hunda me ballin, për shkak të skeletit të rëndë të syzeve, bashkëkohëse të tij përjetë.

Për çfarë të flas më shumë? Të flas, për kepucët, që u ndriçonin, të flas për kostumet sportive aq të bukura, apo për kostumet e banjos.

Nuk po flas për fëmijët e tyre, pjesëmarrës në shumë aktivitete. Nuk po flas për fytyrat e tyre të gezuara e lojërat e panumërta që zhvillonin nëpër parqe të ndryshme të Ontarios, në çdo stinë të vitit.

Sot në kompani, kanë mbetur shumë pak punonjës të asaj kohe. Për dy tre vjet do të ikin dhe ata, por nga bisedat me ta, duket se kanë shumë nostalgji për atë kohë, stampuar nëpër foto, renditur bukur nëpër albume. Fotot qenë dëshmi e gjallë e një kohe të bukur, ndërsa ne…

©Bamir Bebeziqi