Discovery

Përballë Përbindëshave (2) - Nga Arben Kallamata

Pjesa e dytë: Dopaminë

Shënim hyrës: Kjo është pjesa e dytë e serisë së shkrimeve që kam përgatitur për marrëdhëniet tona me teknologjinë moderne, posaçërisht me gjigandët e teknologjisë që i kemi çdo ditë përpara syve - Internetin, Google, Facebook, Twitter, YouTube, Snapchat, Netffix, etj. Idetë e shprehura në këto shkrime nuk janë origjinale. Unë jam përpjekur të përmbledh, përshtas në shqip dhe organizoj mendime që ka kohë që i shqetësojnë njerëzit. Për ata që nuk e kanë lexuar pjesën e parë, do t’i rekomandoja që ta bënin këtë.

Që të arrijnë të njohin mënyrën se si vepron mendja e secilit prej nesh kompanitë IT kanë nevojë për ndihmën tonë, për pjesmarrjen tonë në lojën e tyre. Ata nuk dërgojnë pyetësorë për të matur parapëlqimet tona. Përkundrazi, ata e studiojnë mendjen e secilit prej nesh përmes mënyrës se si sillemi ne kur përdorim mallin e tyre - kërkimin në Google, Facebook, videot e YouTube. Gjithçka që ne klikojmë iu jep kompjuterave të tyre një të dhënë më shumë për mënyrën se si operon mendja e secilit prej nesh. Sa më shumë klikojmë, aq më shumë gjëra mësojnë ata rreth nesh.

Tristan Harris shpjegon se lufta midis kompanive të tekut sot është e përqëndruar te tërheqja e vëmendjes së përdoruesve, domethënë, sa kohë kalojmë ne në një mjedis të caktuar. Shuma e përgjithshme e vëmendjes së njerëzve nuk është një madhësi e pakufizuar. Ajo mund të përfytyrohet si një masë e caktuar, gjigande vërtet, por gjithsesi që i ka kufijtë e saj. Pikërisht për ndarjen e këtij malli që është vëmendja jonë, për tërheqjen e një thele sa më të majme nga kjo masë konkurrojnë sot të gjithë, bizneset, shoqatat, politikanët, lojrat, arti, gjithçka. Por mbi të gjitha, konkurrojnë kompanitë IT që kanë në dorë ta analizojnë dhe ndikojnë vëmendjen tonë.

Le të sjellim një shembull. YouTube kërkon të tërheqë sa më shumë vëmendjen e njerëzve duke i mbajtur ata të lidhur sa më gjatë të fiksuar te videot e veta. Për ta arritur këtë ata shpikin një marifet të vogël. Pas çdo videoje që ti sheh, ata jo vetëm të rekomandojnë disa të tjera, por edhe fillojnë të luajnë automatikisht një tjetër. Pa e kuptuar, njerëzit gjejnë veten të ngujuar për orë të tëra duke parë video në YouTube.

Me ta parë këtë marifet, Facebook nuk mund të mbetej prapa. Një ditë prej ditësh ne vumë re që videot e postuara në Facebook filluan të hapen vetë, pa qënë nevoja t’i klikoje. Ti duhet të klikosh për t’i ndaluar, jo për t’i nisur. Natyrisht, pakkush nga ne e vrau mendjen ta analizonte përse ndodhte kjo.

Të njëjtën gjë bën edhe Netflix. Ti shikon një episod të një seriali televiziv dhe, pa e mbaruar ende mirë atë, ata fillojnë të të çfaqin automatikisht tjetrin. Asgjë nuk është rastësore. Gjithçka është e llogaritur. Të gjithë janë në gare kush e kush të na mbajë sa më gjatë lidhur pas aparateve dhe në faqet e tyre.

Dikush mund të thotë se edhe televizionet apo gazetat dikur kërkonin të njëjtën gjë, pra mënyrën se si t’i mbanin shikuesit apo lexuesit të lidhur. Por ato nuk kishin salla kontrolli që studionin shkencërisht se si ta tërhiqnin dhe ta drejtonin vëmendjen e njerëzve. Nuk kishin njerëz që të studionin emocionet njerëzore dhe t’i shfrytëzonin ato për t’i mbërthyer njerëzit sa më gjatë pranë pajisjeve elektronike.

Ne lexojmë diçka në Facebook dhe ndihemi të revoltuar. Revoltimi për secilin nga ne është emocion negativ. Jo për Zuckerbergun. Për të është emocion që na detyron ne ta bëjmë “share” postimin në fjalë, t’i themi të tjerëve lexojeni edhe juve këtë që më ngjalli mua emocion. Në këtë rast ndjesia e revoltës punon për llogari të Facebook-ut. Nëse unë, ose ti, do të kishim mundësi të zgjidhnim për të lexuar ose diçka që na shkakton revoltë, ose diçka që nuk na bën asnjë përshtypje, ne me siguri që do të zgjidhnim të parën. Është në natyrën njerëzore. Këtë e dijnë shumë mirë ata që janë në sallën e kontrollit dhe që kanë në dorë të na ushqejnë atë që duan të na ushqejnë.

©Arben Kallamata