Komunitet

Entela Galanxhi e Qazim Kallushi, një çift i suksesshëm artistësh shqiptarë në Toronto

  • Published in Komunitet
Nga: Taulant Dedja

Në çerekshekullin e fundit, koha kur nisën të vijnë drejt Kanadasë shumica dërrmuese e atyre që përbëjnë sot komunitetin shqiptaro-kanadez, mes shumë profesionistëve nga fusha të ndryshme, imigruan edhe shumë artistë, veçanërisht instrumentistë. Numri më i madh i tyre jetojnë në Toronto, por sigurisht edhe në provinca të tjera, madje deri buzë Paqësorit në British Columbia. Duke druajtur se mos harroj ndonjë emër, nuk po i përmend me radhë, edhe pse shumë prej tyre janë ish-pedagogë të mi të respektuar, bashkëstudentë e shokë shkolle, apo kolegë pune nga vitet pranë orkestrës së RTSH. Ndër ta, bën pjesë edhe çifti i muzikantëve, simpatik në çdo aspekt, Entela Galanxhi dhe Qazim Kallushi, të vendosur prej vitit 2007 në Toronto, së bashku me dy fëmijët tashmë studentë universiteti. Ata iu përgjigjën më shumë dashamirësi ftesës time për të ndarë me lexuesit e Flasshqip copëza nga rrugëtimi i tyre prej fëmijërisë e deri sot, kur ata kanë krijuar një profil profesional të suksesshëm dhe jo vetëm. Përkushtimi i tyre si artistë në shërbim të komunitetit dhe promovimit të artit e artistëve shqiptarë në Kanada meriton gjithashtu vlerësimin dhe respektin maksimal.

Bijë e një mësueseje dhe një doktori, Entela ka lindur në Gjirokastër ku ka kaluar fëmijërinë pranë gjyshes nga nëna dhe dy dajave të saj, e pas klasës së tretë fillore u kthye në Tiranë pranë prindërve dhe vazhdoi shkollimin në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Ndërsa Qazimi, bir i një një familjeje nga Tirana, kujton me nostalgji rrethin e madh familjar të prindërve dhe faktin që u rrit mes kushërinjve të shumtë që banonin të shpërndarë gati në çdo zonë të qytetit.

Entela kujton që në në fisin e nënës kishte shumë muzikantë por ai që pikërisht e nxiti në rrugën e bukur të artit dhe muzikës ishte daja i saj i vogel, Baftjar Cene, aktor në Teatrin e Girokastrës, i cili shpesh e merrte me vete atje. “Herën e parë kur pashë një piano”, tregon ajo, “nisa t’i bie duke dashur mesa duket instiktivisht të rikrijoj muzikën që sapo kisha dëgjuar”. Dhe kështu, daja artist, i bindur se ajo kishte talent e regjistroi në shkollën e muzikës së qytetit ku ajo nisi klasën e parë duke zgjedhur violinën si instrument. Edhe për Qazimin nxitja drejt muzikës ka ardhur nga prindërit, dëshira e të cilëve ka qenë që të dy fëmijët të studionin arte. Edhe vëllai i tij ka kryer studimet në degën e arteve figurative.

Ashtu si çdo artist që i ka hyrë që fëmijë rrugës së mundimshme por të bukur të artit, të dy ata kujtojnë pedagogët që i formuan dhe të cilëve u mbeten përjetë mirënjohës duke i vlerësuar me superlativa. Qazimi përmend familjen kur mori mësimet e para të muzikës, të mirënjohurit Ermelinda dhe Albert Paparisto (cili nga ne muzikantët e këtij brezi nuk e kujton çiftin fisnik Paparisto?), me të cilët fati e pat sjellë të jetonin në një pallat në lagjen me emrin Tirana e re. Po kështu edhe Bedri Luzin (ish-orkestrant i Orkestrës së TOB) mësuesin e tij të dashur të violinës për tetë vjet në Shkollën “Dëshmorët e Lirisë”. Entela nga ana e saj kujton Fatbardha Hoxha/Denizi (R.I.P.) Ramazan Pekun dhe në veçanti Edmond Sinanin (sot i njohur edhe si mjeshtër i prodhimit të violinave), pa këmbënguljen dhe dedikimin e të cilit, siç shprehet, ndofta do ta kishte lënë violinën që në klasën e 7-të.

Edhe pse jeta i lidhi si çift gjatë kohës kur u bënë kolegë pune në Orkestrën Simfonike të Radio-Televizionit Shqiptar, ata për shumë vite (me një vit diferencë si klasa) frekuentuan njëkohësisht të njëjtën shkollë, fillimisht Liceu Artistik “Jordan Misja”, ku pas konkurimit, Qazimi, më nxitjen e prof. Robert Papavramit, shok fëminije i të atit, nisi të studiojë instrumentin e kontrabasit. Më pas të dy u pranuan me konkurs në Institutin e Lartë të Arteve (që më pas mori emrin Akademia e Arteve e sot quhet Universiteti i Arteve).

Po si i kujtojnë ata sot vitet e studimeve dhe si e vlerësojnë shkollën shqiptare të harqeve nga e cila u formuan? Për Entelën, çdo kujtim i asaj kohe mbetet i paharrueshëm. Nuk ekzistonin lukset e sotme, por ishte një kohë shumë e bukur sipas saj dhe ajo rendit mbresat nga praktimi nëpër korridore krahas nxënesve të klasave më të larta, nga orkestrat, turnetë e koncerteve, mbrëmjet e vallëzimit, shakatë e të qeshurat kur rrinin tek bordurat para shkollës me shoqe e shokë apo kur tinazi lihej ndonje ore mësimi për të bërë një xhiro me varkë nga liqeni. Dhe sigurisht nuk harrohen revoltat dhe demonstratat e vitit 1990. Ajo gjithashtu nënvizon faktin që Liceu dhe Konservatori ishin ambiente të bukura por shumë kompetitive. Niveli i nxënësve dhe studentëve ishte shume i lartë dhe nuk ishte e lehtë të fitojë një konkurs pë të kaluar në etapën më të lartë të studimeve. Edhe Qazimi kujton me respekt mesuesit, pedagogët, shoqërinë e asaj kohe, koncertet me orkestrën e Liceut, udhëtimet e përvitshme në malin e Dajtit, apo dhe disa aktivitete të tjerë që sot duken të pakonceptueshëm, si zbori i “famshëm” apo dezhurni pranë depos ushtarake tek Shkolla e Baletit. Për të dy, shkolla shqiptare e harqeve, mbetet ndër më të mirat, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europë dhe prova për ketë është karriera e suksesshme jashtë Shqipërise e të gjithë atyre instrumentistëve që u diplomuan në Akademinë e Arteve, para tyre, paralelisht me ta, apo pas tyre.

Qazimi dhe Entela, pas studimeve dhe diplomimit si instrumentistë u punësuan të dy thuajse në të njëjtën kohë në Orkestrën Simfonike të RTSH dhe qenë pjesë e saj për rreth 15 vjet. Qazimi madje me shumë mirënjohje kujton faktin që nxitësi dhe mbështetësi për angazhimin e tij pranë orkestrës ishte kolegu i çmuar, kontrabasisti Arian Filja, më të cilin edhe sot e lidh një miqësi e pandarë. Përveç kontributit në shumë koncerte, turné apo festivale, çifti Galanxhi-Kallushi në fillim të viteve 2000 krijoi dhe një orkestër harqesh së bashku me disa kolegë të tjerë të orkestrës së RTSH, formacion shumë i suksesshëm në ato vite. Më 2005, falë aftësive shumëplanëshe, Qazimi u emërua dhe Menaxher i Orkestrës së RTSH dhe deri më 2007, viti i emigrimit drej Kanadasë, arriti të sjellë në Tiranë dirigjentë e solistë të njohur si Doron Solomon, Leonid Nikolayev, Richard Galliano, Kerstin Feltz, Andrea Giuffredi dhe Andrea Negroni. Për të, kjo ishte sa një eksperience e vyer, po aq edhe një sfidë personale, sepse ishte një pozicion i sapokrijuar. “Ia dola falë mbështetjes së kolegëve të orkestrës dhe drejtuesve të RTSH, ku veçoj bashkëpunimin e shkëlqyer me dy drejtorët e Radio Tiranës në ato vite, Gëzim Podgorica dhe Zamira Koleci”, shprehet ai

Si për shumë prej shqiptarëve të këtushëm, vendimi i Entelës dhe Qazimit për të emigruar drejt Kanadasë duke qenë profesionistë të suksessshëm në atdhe, ka qenë një zgjedhje personale dhe është marrë në kohë e rrethana të caktuara. Sigurisht, fillimi ka qenë i veshtirë, si për çdo imigrant, kur nuk të njeh njeri e madje nuk di as nga t’ia fillosh në një vend tjetër, ku flitet një tjetër gjuhe, ku zakonet janë të ndryshme nga vendi i origjinës apo ku dhe moti është krejt i ndryshëm. “Personalisht për mua muajt e gjatë të dimrit dhe dëborës ishin të vështirë, por njeriu fillon e ambientohet e mbi të gjitha kishim një synim për jetën tonë, të gjenim vetveten, në mënyrë që të integroheshim gradualisht në jetën kanadeze, sepse konkurenca për artistët në Toronto, ku vijnë artistë të përgatitur nga gjithë bota është e lartë”, pohon Entela.

Sigurisht të dyve iu desh të studiojnë e shkollohen sërish, të punojnë plot vullnet për të ndërtuar një karrierë të re profesionale në “atdheun” e ri, në mësimdhënie, në interpretim muzikor e menaxhim arti, duke kontribuar pa ndalur për komunitetin e shqiptarëve të metropolit kanadez, duke kontribuar edhe si ambasadorë të vërtetë të artit dhe kultures për promovimin e muzikës shqiptare te publiku i gjerë me vepra nga autorë të njohur (një pjesë të aranzhuara për orkestër nga Entela) si Ferdinand Deda, Thoma Gaqi, Çesk Zadeja, apo promovimin e solistëve shqiptarë me banim në Toronto, të mirënjohurit Jani Papadhimitri dhe Rudin Lengo.

Entela dhe Qazimi, janë të dy mësues në Toronto District School Board dhe paralelisht profesionistë të suksesshëm me karrierë solistike dhe drejtimi manaxherial. Entela vazhdon të performojë si soliste dhe koncermaestër në disa orkestra, ku veçohet Greater Toronto Philharmonic Orchestra, drejtor ekzekutiv i të cilës është Qazimi, njëherazi dhe General Manager i Richmond Hill Philharmonic Orchestra.

Një kontribut të çmuar në shumë aspekte (ndër të tjera aranzhim këngësh e përgatitje të fëmijëve isntrumentistë) ata kanë dhënë të dy edhe në kuadrin e Festivalit Marlee’s Got Talent dhe Korit të Fëmijëve Shqiptarë të Torontos, themeluar dhe drejtuar nga Ina Xoxa. Entela dhe Qazimi janë gjithashtu pjesë e pandarë e të gjithë aktiviteteve artistike të komunitetit shqiptar që organizohen edhe në kuadrin e festës kombëtare, festave të tjera, apo edhe aktiviteteve të nëntorit, që njihet zyrtarisht si muaji i trashëgimisë shqiptare në Provincën e Ontarios. Pas tri ditësh, pikërisht në datën 17 dhjetor, në kuadrin e 35 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Kanada-Shqipëri, falë angazhimit të tyre, në një koncert që do të mbahet në Isabel Bader Theatre në Toronto, Greater Toronto Philharmonic Orchestra do të interpretojë disa vepra nga repertori më i mirë i muzikës shqiptare.

Duke i falenderuar Entelën dhe Qazimin, jo vetëm për atë çfarë kanë bërë dhe bëjnë në shërbim të kulturës shqiptare, por edhe për kohën që i kushtuan këtij shkrimi, e sigurisht duke iu uruar e dëshëruar vetëm suksese, për ta plotësuar më mirë portretin e tyre, ftova të shprehen disa nga ata që i njohin mirë të dy dhe prej vitesh bashkëpunojnë me ta.

Arian Filja - Instrumentist, Orkestra e RTSH: Pas viteve’90 në orkestrën tonë erdhën plot muzikantë të rinj talentuar. Në mes tyre ishte dhe Qazimi dhe bashkeshortja e tij Entela. E kam ndjekur Qazimin në vitet e studimit në Akademi dhe ardhja e tij në orkestrën tonë ishte kenaqësi e veçantë për mua, sepse e njihja edhe si njeri, edhe si muzikant. Ai luajti me dinjitet në sektorin e kontrabasit. Shok i mirë dhe instrumentist i formuar, ai luante bukur edhe në kitarë dhe zotëronte gjithashtu disa gjuhë te huaja. Këto aftësi i dhanë atij mundësinë të merrej me punë organizuese dhe drejtuese, e për disa vite ai kreu edhe detyrën e menaxherit të orkestrës. Në sajë të punës së tij u rrit niveli i interpretimit të orkestrës, duke bashkëpunuar me shumë solistë dhe dirigjentë të nivelit të lartë. Shoqja e tij e punës dhe jetës Entela, ishte një vajze e talentuar, inteligjente dhe të dy gëzonin respektin e të gjithëve. U bënë vite që kane emigruar në Kanada duke qenë dhe atje të suksesshëm. E ruaj edhe sot miqësinë me ta dhe padyshim mbeten miqtë e mi më te mirë.

Ina Xoxa - Marlee’s Got Talent Toronto: Çiftin Kallushi e kam njohur 16 vjet më parë në shkollën e fëmijëve pasi jetojmë në të njëjtën lagje. Unë ndava me ta idenë time për MGT-ne, të cilën ata e mirepritën me entuziazëm duke dhënë kontributin e tyre prej atëherë e deri më sot, në mënyrë tërësisht vullnetare. Të dy e kanë mbështetur MGT me përgatitjen e instrumentistëve, orkestrinave, me sallën dhe foninë, orkestrimin e kengëve të korit që nga viti 2014 si dhe me shoqërimin (kitarë e violine) të këngëtarëve në skenë. Në mbrëmjet e komunitetit tonë në Marlee, Entela ka luajtur në violinë këngë shqiptare, duke krijuar një atmosferë të mrekullueshme si për të rriturit, ashtu edhe për fëmijët. Një kontribut të veçantë çifti Kallushi ka dhënë edhe në përgatitjen e instrumentistëve në violinë, piano e kitarë. Duke ndjekur shkollën Kallushi, nxënësit e tyre, fëmijë e të rinj, paraqiten në MGT me pjesë shumë të veçanta. Nxënësit e tyre Amir Kallushi, Adrian Çako etj., gjithashtu janë vlerësuar me çmime muzikore në konkurse dhe luajnë në Orkestrën Filarmonike të Torontos. Entela dhe Qazimi janë të kudogjendur e të papërtuar për të dhënë kontributin e tyre në evente të rëndësishëm të komunitetit shqiptar në Kanada. Ata gëzojnë respektin e të gjithë prindërve dhe fëmijëve, por edhe të audiencës së gjerë që i ka ndjekur në skenë. Jemi me shumë fat që i kemi mes nesh.

Ramazan Këllezi - Koreograf, drejtues i grupit “Shqiponjat e vogla” Toronto: Entelën dhe Qazimin i kam njohur prej vitesh, natyrisht në skenë, aty ku e kanë vendin artistët, pasi kemi qenë aktorë të disa koncerteve këtu në Toronto. Vlerësoj pa masë përkushtimin e gadishmërinë e tyre për të performuar në aktivitetet e komunitetit tonë vullnetarisht, por edhe më gjerë për atë të Torontos, ku spikat pa dyshim interpretimi profesional e dinjitoz. Çifti i artistëve Kallushi na bën krenar për arritjet e tyre në fushën e artit. Suksese të mëtejshme iu uroj dhe veçanërisht në koncertin e radhës “A night of Albanian music”.

©Flasshqip.ca

FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me FlasShqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar sipër butonin “donate”. Faleminderit!