Dëshmi të dashurisë - Tregim nga Sami Milloshi
Ai që kam përballë është një financier i kompanisë që menaxhon pensionin tim të dytë. Do të më këshillojë se kujt duhet t'ia lë unë paratë trashëgim kur të vdes, larg qoftë, do të thoshte nëna ime që më vështron nga qielli...
Në të vërtetë, nuk është ndonjë shumë parash kush e di se çfarë. Më shumë sesa vlera e parave, me të cilat pasardhësit e mi mund të kruanin dhëmbët, sikurse thonë në katundin tim, për një vlerë imcake parash, akti më jep një parandjenjë, se ata që do të le pas mund të thonë: "Kështu ishte babai, iu kushtonte vëmendje dëshmive të dashurisë..."
Dhjetë vjet më parë, pasi dola në pension, vendosa të punoj përsëri, tashmë me kohë të pjesshme, pesë orë në ditë. Gjithë shtysën për ta vazhduar punën e kisha prej John Stiff.
John ishte tetëdhjetë e tre vjeç aso kohe dhe vazhdonte të punonte.
Mua sapo më kish lënë im atë dhe, në mungesë të tij, John e kisha si një pasqyrë ku shihja veten.
Një ditë John më tha se kishte një ëndërr.
- Po hë një herë, mor John ma thuaj se çfarë na qenka kjo ëndrra jote?
- Dua të mësoj spanjisht, - më tha - dhe pastaj të bëhem mësues spanjishteje.
Më kapi gazi dhe fillova të qesh me të madhe. Por, prapë e frenova veten, se tek e mbramja, ai nuk ishte duke bërë ndonjë mëkat, ta zemë nuk ishte duke hedhur ndonjë bombë mbi kokat e femijëve në ndonjë cep të Botës. John thjesht po më tregonte një ëndërr të tij, nga ato që edhe ne të tjerët i shohim, por kemi frikë t'i tregojmë...
- Je bash në kohë, John, ti mund të bëhesh mësues i shkëlqyer i spanjishtes, - i thashë unë dhe atij i qeshën sytë.
Zyrtari përballë hap në ekran dosjen e pensionit tim. I dalin të gjitha, përveç emrave që do të mund të ishin trashëgimtarët e asaj shume parash që mund t'iu lija unë.
- Si është e mundur? - pyes unë - dhjetë vjet më parë unë i kam deklaruar dy fëmijet e mi si përfitues. Pse nuk shfaqen emrat e tyre në ekran?
- Nuk di çfarë të them, - gjegjet ai.
- E po unë nuk mund të tallem me trashëgiminë që më la John, - i them zyrtarit që kam përballë.
Ai shastiset.
- Ç'hyn John këtu, se nuk po e kuptoj, - thotë zyrtari.
- John është ai që u bë shkak që unë të vazhdoj të punoj, edhe pse dola në pension. John është ai që më bëri me një pension të dytë. Dhe unë nuk mund të tallem me të. Se ai, more zotni, ishte burrë serioz. Në moshën tetëdhjetë e tre vjeç vendosi të mësonte spanjisht. Dhe jo vetëm e mësoi spanjishten, por u bë edhe mësues i shkëlqyer i spanjishtes...
© Sami Milloshi