Krijimtari

Çështje privatësie - Tregim nga Sami Milloshi

Ajo zonja në anën tjetër të telefonit më thotë se është sekretarja e doktoreshës sime. Më ka zënë pak ngushtë se unë jam në nevojtore duke kryer nevojat e mia. Po, gjithsesi i përgjigjem se telefonata vjen prej zyrës së doktoreshës dhe nuk më intereson ta mospërfill.

- Nesër ke takimin me doktoreshën, apo jo?

- Po, - i them unë - e di. Do të jem atje në kohë.

- Në qoftë se nuk vjen, - thotë ajo - ke një gjobë prej gjashtëdhjetëedy dollarësh.

- Po, - i them - e marr vesh. Do vij në kohë. Se nuk jam aq i marrë sa të flak gjashtëdhjetëedy dollarë kot. Le që, nuk dua të mburrem, por jam njeri i korrektesës.

- Ok, - thotë ajo - ke nevojë për përkthyes?

- Po çfarë përkthyesi, moj zonjë, a nuk e dëgjon që po flasim anglisht?

Ajo duket e shquan zemërimin tim.

- Zotëri, mos e merr si pyetje personale, janë pyetjet e rutinës profesionale.

- Ok, - i them unë me ton më të butë.

Ndërkaq kisha palosur letrën higjienike, dhe po bëhesha gati të fshija prapanicën, kur ajo fap, më përplas në vesh një pyetje tjetër, të çuditshme, të rutinës së saj:

- Cili është religjioni yt?

- Çfaaarë? - e pyes unë - po ç'të hyn ty në punë religjioni im. Unë e di se nesër do të vij të takohem me doktoreshën time dhe nuk do të shkoj as në kishë, as në xhami dhe as në sinagogë... Të më falësh, se nuk mund t'i përgjigjem kësaj pyetjeje. Jam në nevojtore dhe ka ardhur pikërisht ai çasti kur, pasi e kam kryer nevojën, më duhet ta fshij prapanicën...

- Mirë, mire, - thotë ajo - se edhe protokolli zyrtar e thotë që kësaj pyetjeje edhe mund të mos i pergjigjesh.

Hapa rubinetin e ujit dhe fillova të laj duart. Thashë me vete një sharje të ndytë në shqip, ndërsa po mbërtheja rripin e pantallonave...

© Sami Milloshi