Dhuratat - Tregimi i Krishtlindjes nga Agim Xhafka
Jorgji dhe Liza po bëjnë vite që kanë dalë në pension. Marrin një pagë fare modeste dhe atë ditë që e fusin në kuletë shkojnë shpejt në shtëpi dhe bëjnë hesapet për muajin që vjen. Në krye vendosen paratë për shlyerjen e faturës së energjisë, pastaj ushqimi, ca lekë për një shishe raki e ca karamele se mos vjen ndonjë mysafir dhe në fund Jorgji heq mënjanë 1 mijë lekë të reja për kafe a mbase edhe për ndonjë gotë e Liza çdo muaj 700 lekë për ngjyrosjen e flokëve një herë në tre muaj. Kaq është buxheti i tyre. Për ilaçe cilësore nuk mbetet gjë, ndaj marrin ato me rimbursim. Janë niseshte, qesh Jorgji, por ja që gjallë jemi akoma. Pasi mbarojnë këto llogari i ndajnë lekët sipas zërave dhe i vendosin në zarfa. Kaq kohë ka ky ritual sa zarfat janë shqyer, por e kryejnë ende punën.
Ata pensionin e marrin tek barraka në fund të rrugicës. Nuk e duan me postë se kështu gjejnë mundësi të takohen me moshatarët, flasin për fëmijët emigrantë, për nipërit dhe mbesat që e dinë shqipen shatra-patra si dhe dëgjojnë pér mjekime popullore që ndihmojnë sëmundjet që kanë. Tek barraka marrin vesh dhe cili prej të moshuarve u largua nga kjo jetë e cili nuk u duk atë ditë se ishte pa qejf.
Në shtëpi, jo vetëm ditën kur marrin pensionin, por thuajse perherë e mbajnë tv tek ai stacion që ka reklamë jastëkun që fundos dorën,nduken gishtat kur heq e pastaj ato largohen dalë ngadalë.
-Ky jastëk ma shëron spondilitin mua, - thotë Liza.
-Ëndërr e kam një të tillë, - ia pret Jorgji. -Me siguri askush nuk gërhet po e vure kokën mbi të.
Këto biseda kanë vite që i bëjnë. Edhe parvjet, edhe vjet, ndërsa sivjet, jo. Tani shohin reklama të tjera.
Qysh kur ishin të rinj e kanë festuar Krishtlindjen. Ca vite fshehur se quhej ditë fetare. Bënin dhurata me aq sa mundeshin. Edhe për fëmijët, edhe për njëri-tjetrin. Tani që janë vetëm, se çunat ka vite që jetojnë jashtë, nuk e prishin traditën. Por kulmi ndodhi në Krishtlindjen që sapo iku.
Pasi Jorgji hoqi mënjanë lekët e kafes dhe Liza të flokëve, burri shkoi në pazar. Bëri blerjet e zakonshme. Më shumë kos e qumësht dhe ca zarzavate.
-Po dal për një kafe, - tha dhe u mblodh në shtëpi pas dy orësh. Si gjithnjë nisi të tregojë ngjarje nga lëndina e dominove.
Kështu rridhte jeta e çiftit simpatik. Burri në pazar, kafe e domino. Liza në pastrim e gatim e ndonjë vizitë te komshija a tek farefisi.
Një ditë para 25 dhjetorit Jorgji erdhi me dy canta nga pazari. Nuk e la gruan ta pyeste se i tha qe njëra ishte e Novruzit, do vinte ta merrte më vonë. Shkoi dhe e vendosi tek dollapi i rrobave, por ama tek kanata e tij. Si gjithnjë panë një telenovelë e shkuan të flinin. Liza para se pastronte fytyrën e vishte rrobat e gjumit. Jorgji ishte më i shpejtë, flinte pa pizhama, në brekë e kanatiere. Të kam ty si robdëshambrë, i thoshte Lizës. E ndërsa ajo rregullohej, Jorgji hapi kanatin dhe mori çantën e Novruzit. Shkoi ta vendosë poshtë pemës, i ngjiti sipër një pusullë shkruar më parë “Lizës sime”. Por kur e la, pa se poshtë pemës ishte dhe një çantë tjetër me shënimin “Jorgjit tim”. U gëzua dhe shkoi e rrëshqiti në krevat. Nisin t’i vinin plot pyetje, por nuk e gjente dot se çfarë dhuratë do të merrte.
Afër mëngjesit u çua. Nuk e mbante vendi. Zgjoi dhe Lizën. E puthi, e uroi dhe me vrap poshtë pemës. Por dhe Liza nxitoi. U gëzua dhe ajo. Në një kohë po çelnin pakot dhe... dhurata qe e njëjtë: Jastëku i reklamës. Qeshën në fillim, por dhe u lumturuan. Liza menjëherë hoqi jastëkët e vjetër dhe vendosi të rinjtë.
-Shtrihemi dhe pak, është ende herët, - tha ajo.
-Po, - u përgjigj Jorgji.
Vendosën kokat e tyre dhe sikur ranë në një liqen, sikur endeshin në valë të lehta e gjumi i mori sërish. Pas një ore, si gjithnjë, koka e Jorgjit tek jastëku i Lizës. E pa fytyrën mes thinjave të saj. Pse nuk i ka lyer, pyeti. Dhe u mallëngjye. Me lekët e flokëve ma paska blerë jastëkun. Si unë që këtë muaj nuk piva asnjë kafe, tha me vete e i erdhi inat që plaku i vitit të ri ishte mashkull e quhej Santa Claus. Duhej femër e të thirrej Santa Liza, foli Jorgji dhe e mbështolli fort njeriun që e donte më shumë se veten. Pastaj ra në ca ëndërra kaq të mira sa zgjohu, zgjohu e Lizës i vinte në vesh si ciu, ciu e kanarinës së ballkonit...
© Agim Xhafka



