Kujdesu për veten - Tregim nga Sami Milloshi

Për një javë të tërë nuk e pashë Laurën. Përtej faqes së xhamtë të zyrës së saj, dukeshin vetëm lulet që ajo i mban me aq kujdes. Po ashtu dukeshin edhe disa vizatime të fëmijëve të saj të varur në mur, si shenjë se edhe ata janë aty dhe e vështrojnë mëmën gjithë ditën...
Kur erdhi të hënën në punë, Laura dukej tepër e drobitur. Të thuash, sikur i kishte shtuar nja dhjetë vjet jetë fytyrës së saj të bardhë.
-Laura, - i them - ku u zhduke kështu, ke qenë sëmurë, a si ndodhi, ka një javë që nuk të shoh?
U ngrit nga karrikja, gati e përlotur dhe doli jashtë zyrës së saj në hollin që lidh gjithë zyrat e departamentit tonë.
-Më vdiq burri, - tha.
-Oh, mos, mos, - ofshajta unë. -Sa keq më vjen. Po si, si ndodhi?
-Pësoi një sulm në zemër, - tha ajo.
Dhe, ende pa e shpjeguar plotësisht, se si e qysh i shoqi pësoi sulmin në zemër, m’u drejtua mua:
-Prandaj, të lutem, ki kujdes për veten. Edhe ti bën punë të vështirë, siç bënte im shoq.
Ia mora të dy duart në pëllëmbët e mia dhe e përqafova. Nuk e di sa ndenjëm ashtu të përqafuar, ndoshta dy tre minuta a më shumë. E ajo, ende përsëriste “kujdesu për veten!”
Unë ç’pata për t’ia thënë, ia thashë, dhe më shumë heshta ashtu në krahët e saj. Tashmë, si në një trup të vetëm thjesht po dëgjoja se si rrihte zemra e saj e plagosur.
-Sa vjeç ishte? - e pyeta.
-Ishte shtatë vjet më i ri se unë, - u gjegj Laura.
Nuk mund ta pyesja më shumë, sado që ajo nuk iu përgjigj pyetjes sime drejtpërdrejt. Nuk ishte e sjellshme ta vazhdoja kuriozitetin. Ndërkaq, ajo m’u afrua përseri dhe përsëri e përqafova.
-Kujdesu për veten, - më përsëriti me pëshpërimë në vesh. A të kujtohet ajo dita kur kishe një dhimbje në gjoks?
-Po, - i thashë - ajo dita kur ti më solle sa çel e mbyll sytë një gotë ujë...
-E sheh që t’u kujtua? -Im shoq i nënvlerësonte këto dhimbjet e vogla. Po jeta kështu është: një shumatore e dhimbjeve të vogla. Ti kujton se je ende i ri dhe dhimbjet e vogla janë të padëmshme. Ashtu kujtonte edhe im shoq. Po ti, kujdesu për veten ë, mos e nënvlerëso as edhe një dhimbje, sado e vogël qoftë. Sepse, në të vërtetë, dhimbja është dhimbje. Ajo që ty mund të të duket e vogël, për mjekun mund të jetë e madhe. Po të kishim shkuar pak më shpejt tek mjeku, ndoshta ai sot do të ishte gjallë, se mjeku tha se ishte e mundur t’i vinte një stent. Nuk është turp t’i ankohesh mjekut. Por, im shoq kështu ishte, i zvogëlonte dhimbjet e tij përherë. Dhe ja, të gjitha ato dhimbjet e tij te vogla, u bënë për mua një dhimbje e madhe... Kush do të ma zëvendësojë mua tashmë burrin tim, babain e dy fëmijëve të mij? E vogël, të duket ty kjo?
- Nuk di çfar të them, Laura. Paqja qoftë me ty dhe Zoti të bekoftë me gjithë dy fëmijët e tu. Më thuaj, çfarë mund të bëj unë për ty, që shpirti yt të fitojë paqen e humbur...
-Oh, miku im, po u kujdese ti për veten tënde, po bëre atë që im shoq nuk e bëri sa duhej, ose nuk e bëri fare për veten, kaq mjafton, edhe për mua. Dhe sidomos për ty: kujdesu për veten!
Të nesërmen në mëngjez, më shkoi ndërmend se ndoshta Laura kishte nevojë për një përqafim tjetër ta qetësonte shpirtin më shumë nga humbja e të shoqit. Madje, më shkoi ndër mend, që çdo mëngjes t'ia dhuroja një përqafim të tillë, deri kur ajo të thoshte “Mjaft, ti e bëre tënden, tani nuk kam nevojë më!” Por, hoqa dorë dhe nuk e pyeta se druaja mos po e lëndoja edhe më shumë. Sepse janë ca dhimbje, që njeriu nuk mund t’i pjesëtojë me të tjerët, dhe Zoti e ka bërë t’i përballojë thjesht dhe vetëm me veten.
Dhe lavdi Zotit që nuk e pyeta. Sepse, hollë hollë, e binda veten, unë isha duke kërkuar shpëtim për dhimbjet e mia, të cilat, për Laurën ishin krejt të panjohura. Krejt të tepërta dhe tmerrësisht të panevojshme. Megjithëse, unë e kisha, dhe, ende e kam një iluzion, se mund ta ndihmoj sado pak që ajo të gjejë paqen që ka humbur. Por, ndërkaq, e di fort mirë se Laura nuk jeton me iluzione, sepse ndryshe, ajo nuk do të më këshillonte mua të kujdesesha më shumë për veten.
Ajo dukej më e qetësuar në fytyrë. Flokët e zinj i kishte krehur më me kujdes dhe poshtë syve të zinj nuk i dukeshin ato njollat e errëta që i kishte një ditë më parë. Ndoshta u kishte vënë përsipër pak krem të bardhë, a më bëhej mua ashtu.
Me sa dukej, edhe Laura, sapo kishte filluar të kujdesej pak më shumë për veten.
Nuk më mbetej tjetër, veçse edhe unë të bëja të njejtën gjë. Kush e di se sa do të zgjasë kjo punë, sepse kujdesi për veten nuk ka as fillim e as fund. Nuk mbaron kurrë...
© Sami Milloshi