Zarf i pahapur - Tregim nga Sami Milloshi

U bë plot një javë që mbi tryezën e punës së zonjës Sharon rri një zarf i pahapur. Arsyeja pse zarfi nuk është hapur është se zonja Sharon nuk ka ardhur në punë sepse i ka vdekur i shoqi dhe po përdor ato ditë që i takojnë kujtdo pushim sipas ligjit në raste të tilla.
Zarfin e la aty mbi tryezë një kolege e Sharonit, ajo që e ka zyrën shpinë më shpinë në kubikun tjetër. Me gjasë Sharon do të kthehet në zyrë të hënën, që do të thotë se qëkurse i shoqi ndërroi jetë është mbushur plot një muaj.
Unë nuk e di fjalë për fjalë se çfarë përmban ai zarf, por e marr me mend se është një kartolinë ngushëllimi për vdekjen e të shoqit. Rri e mendoj për veten. A do ta pëlqeja unë një ngushëllim me kartolinë mbi tryezën e punës së sime shoqeje? Vetja ime më thotë se më mirë do të ishte, brenda mundësive, ta kishin ngushëlluar time shoqe sy më sy...
Bota është bërë shumë korrekte dhe fort sterile, qëkurse dikujt i polli mendja se nëna dhe babai mund të kenë emra të tjerë, të ndryshëm nga ç’janë thirrur prej se u lind kjo Botë. Bota edhe ngushëllimet tani i bën ndryshe. I fut në zarf. I le në sekretarinë telefonike, i poston në rrjetet sociale, t’i le në inboksin e Messenger-it.Prandaj edhe po shuhen këngët e vajit bashkë me vajtojcat. Prandaj, të hedhësh një lopatë dhé mbi arkëmortin e të vdekurit tani po bëhet luks. Prandaj, edhe statistikat e lindjeve dhe ato të vdekjeve, janë bërë edhe më të rëndomta se statistikat për operacionet kirurgjikale për t’u ndërruar gjininë majmunëve dhe minjve...
Unë thjesht po bëj kronikën e ngushëllimeve që nga epoka e gurit e gjer më sot. Dhe lavdi Zotit, që e kam një dëshmitare nga epoka e gurit. Ajo është halla ime që e ka kapërcyer shekullin, sikurse edhe më premtoi se do ta kapërcejë...
Kur më vdiq babai, halla, e vajtoi të vëllanë si Homeri. Dhe nuk do të kishte mbaruar së vajtuari, për një orë të tërë, sikur unë të mos ia prisja vajtimin e t’i thosha me ton të prerë: “Hallë, të lumtë goja, tani mjaft!”
Dhe ajo heshti. Në dhomë ra një heshtje hyjnore dhe, që prej atij çasti, mua m’u duk se im atë, e la arkëmortin bosh dhe u ngjit në qiell e po na shihte nga lart si engjëll...
E hëna nuk do të mungojë të vijë. Është plotësisht e mundshme që pikërisht të hënën, edhe Sharon ta hapë atë zarf ngushëllimi që rri aty mbi tryezën e saj të punës që prej një jave dhe që prej një muaji qëkurse i vdiq i shoqi...
© Sami Milloshi