Krijimtari

Blasfemi të tradhëtuara - Nga Artan Gjyzel Hasani

mbushur me përqafime dhe ndarje kjo botë

si hotelet aritmike të aeroporteve

ku dikur dashurisë i bëmë dashuri

në paradhomën orgazmatike të vdekjes

fle një mall i hershëm aromatik

për fytyrën tënde të bukur dhe trupin e avullt

kofshët, kërthizën dhe gjinjtë

kodrën e Bukurisë pyllëzuar lehtë

të përfytyroj me buzët gjysëm të hapura

dhe gishtërinjtë që ndezin qirinjtë

duke më lënë një shënim në pasqyrën e banjës

para se të vijë pastruesja të ndërrojë çarçafët

dhe kujtimet e mia të humbasin kujtesën

dhe të më kapë në flagrancë dashuria

me brekët nëpër këmbë

dhe gruan e komshiut në mendje

koleksionues i palodhur përvjetorësh

mish e thonj lëkurë e bërë shollë

si hije e një shenjtori të dyshimtë të ferrit

hyj e dal i padukshëm në këtë dhomë

ku e nesërmja aq shpejt bëhet e djeshme

dhe mbi muret ku tradhëtohen blasfemitë

ngul një gozhdë për të varur lëkurën time

ndërsa kryej pjesën e mbetur të dënimit

në burgun e vërtetë të parajsës së rreme…

(nga vëllimi poetik “OPIUM” 2025)

© artangjyzelhasani