Krijimtari

Artan Gjyzel Hasani – Fragment nga romani satirik 'Republika e Semaforëve'

Dje mora një telefonatë nga Akuariumi Poetik, një grupim gazplot emigrantësh të apasionuar pas ekuacioneve poetike me një ndryshore, një zhanër tepër elitar i ligjërimit poetik në Diasporë. Lexuesit ishin përshtatur aq mirë me këtë martesë të pafajshme të artit poetik më shkencën e algjebrës, fizikës dhe biokimisë, saqë e kishin pothuajse të pamundur të shprehnin ndjenjat e tyre, madje edhe dashurinë, pa pasur pranë një tabelë shumëzimi apo të Mendelejevit.

Grupimi më bëri një ofertë bashkëpunimi. Të parapërgatisja zgjidhje të mundshme të poezive të tyre dhe pastaj një short i përmuajshëm do të zgjidhte versionin përfundimtar të shpjegimit të poezisë, një verdikt të cilit duhej t’i nënshtrohej edhe vetë autori.

Oferta dukej e leverdisshme nga ana financiare, dhe unë për pak sa nuk e pranova. Por pastaj u kujtova që në treg qarkullonin tekste interesante si “Manuali i Muratorit”, “Urbanistika dhe Arti Poetik”, apo “Pandehmat Poetike të Një Gjeologu”, e kësisoj, konkurenca do të ishte e madhe dhe fitimi i dyshimtë.

Në fund të bisedës, zonja nga ana tjetër e linjës u hargalis më shumë nga ç’duhej kur, në një konfidencë të çuditshme, më kërkoi ndihmë për diçka përtej ofertës: Ajo shkruante poezi në anglisht dhe kërkonte dikë që t’ia përkthente ato në gjuhën amtare, pasi ajo e kishte të pamundur ta bënte vetë këtë gjë pas shumë vitesh jetesë në vendin e bekuar përtej oqeanit.

Hë për hë, si përkthyes i saj shërbente një pastor amerikan që fati e kish hedhur prej disa vitesh në anët tona.

I sugjerova që nuk do ishte keq të kërkonte ndonjë peshkatar nga Groenlanda si përkthyes të poezive të saj në gjuhën e mëmës. Vërtet ekzistonte një dallim fonetikor mes dy gjuhëve dhe dy vendeve, por kjo vështirësi dukej e papërfillshme, nëse do konsideronim faktin që prej mijëra vitesh banorët e planetit ushqeheshin me të njëjtët peshq.

********************

Për të shmangur vëmendjen e mediave nga realitetet satelitore dhe paniku, Presidenti vendosi të organizohej ceremonia e Çmimeve të Mëdha të Artit.  Do të ishte rasti i fundit kur banorët e Republikës së Semaforëve do shfaqeshin në gjendjen e tyre natyrale si njerëz pa brirë dhe pa fjalën “kurvë” të shkruar mbi ballë. Kuptohej që do të ishte një moment historik i papërsëritshëm paskëtaj.

Tradita e çmimeve dhe e medaljeve përbënte një nga vlerat më të mëdha të republikës. Banorët e saj vdisnin për dekorata.  Pak rëndësi kishte se për çfarë jepej ky çmim. Rëndësi kishte që secili të kishte në shtëpi një çmim a dekoratë për t’ju mburrur komshiut.  

Ceremonia u zhvillua në “Stanin e Dy Çobenëve”, një auditorium i stërmadh në formë shpretke që ishte selia qëndrore e “Klubit të Bastardëve”. Ky klub përbëhej nga një mori njerëzish që e kishin humbur atdheun e tyre në ecje e sipër. Në fakt   pjesa dërmuese e tyre nuk e kishin pasur kurrë një të tillë. Paradoksalisht këta njerëz pa atdhe kish vite që përbënin të ashtuquajturën Elitë të Kombit. Sa më shumë copëza atdheu të humbisnin, aq më elitarë konsideroheshin nga të ngjajshmit e tyre tutje dhe tëhu kufijve të Republikës.

Studiot televizive nuk mund të kuptoheshin dot pa praninë e tyre. Krenoheshin për emërtesën dhe ndiheshin keq sa herë që ajo fjalë përdorej për qentë e rrugës. Madje kish pasur edhe nje proces të gjatë gjyqësor mes tyre dhe shoqatës “Qeni pa Zinxhir” në lidhje me pronësinë mbi emrin “bastard”.  Pasi kish shqyrtuar imtësisht provat e paraqitura nga të dyja palët, drejtësia kish vendosur që ajo emërtesë duhej t’i takonte “Klubit”. “Stani” përbënte të vetmin atdhe të tyre.

Të gjithë të mëdhenjtë e Republikës ishin aty në gjendjen e tyre natyrore: të shumëfishuar.

500 Prozatorët e Mëdhenj të vendit, në krah të tyre 1000 Poetët e Mëdhenj të Diasporës e perzierë me ta piktorë, gurëgdhendës, skulptorë, këngëtarë, balerinë, kuratorë (kjo racë postmoderne artistësh e kish shkaktuar shpesh të vjella Presidentit që në kohën kur ishte klient varfanjak i Klubit të Xhakos), gazetarë, analistë, shkrimtarë, historianë, politologë, si ç’mund ta ketë marrë lehtësisht me mend lexuesi, që të gjithë Të Mëdhenj.

Dukej sikur jo vetëm fjala “madhështi”, por edhe vetë madhështia si nocion ishte krijuar enkas për një ceremoni të tillë. Megjithatë binte në sy mungesa e Ambasadorit të Madh, i cili atë mbrëmje e kish parë të arësyeshme të ndiqte një pjesë nga tetatri amator i kukullave në një lagje të përmbytur nga shirat e fundit. Madje, disa informacione akoma të pa konfirmuara bënin me dije se ai do luante edhe vetë rolin e iriqit.

Sapo hyje brenda në sallë të binte në sy një nudo e madhe e Nënë Terezës, shenjtores së famshme që kish dalë nga gjaku i kombit. Anash saj ishte një variant hipotetik i një si punë flamuri kombëtar, ku në vend të shpendit me dy krena ishte vënë një V e madhe që, më shumë se sa me simbolin e fitores, ngjasonte me dy shalë të ngritura përpjetë. Shalë femre apo mashkulli kjo linte vënd për hamendësime.  Një tabllo murale e cila tregonte një grua buzë një deti të shkumëzuar që po i jepte cicë një shtataniku të veshur me paliçeta marinari, kishte si diçiturë “Skënderbeu i vogël në plazh”.

Në krye të sallës gjëndej një presidium gjigand në të cilin do ulej juria e Çmimit të Madh, e përbërë si përherë nga të njëjtat fytyra të vetëkënaqura që Presidenti i kish parë në çdo eveniment të tillë, madje disa syresh ish klientë të dikurshëm të “Shkrimeve me Porosi”.

Nuk kishte artist të Republikës së Semaforëve që të mos mbante mbi supe një çmim, titull apo dekoratë…

Por gjithësesi, mes jurisë dalloi edhe ca fytyra të reja, mes të të cilave binte në sy një krijesë anemike me mjekër dhe me syze, që kish botuar një libër voluminoz i cili ishte botuar vetëm në një kopje.

Postmodernistët ishin të shumtë dhe shtoheshin çdo ditë si gay-t dhe lepujt. Dalloheshin lehtësisht, sepse hiqeshin si të çmendur, vishnin pantallona të kuqe dhe shall pink në fyt në mes të gushtit, flokët i kishin gjithnjë të shqetësuar, pothuajsemajakovskë, pinin nga pak alkool e me raste edhe marijuanë, në periudhat mes sukseseve dhe dështimeve deheshin dhe rrihnin të dashurat lesbike, dhe për t’u dukur më trendy zakonisht i vishin çorapet një ndryshe e një ndryshe…

“Të paevitueshëm dhe epidemikë si gripi i derrave”, kish menduar Presidenti, kur një folës i ekzaltuar kish prezantuar hyrjen në auditorium të fituesve të vitit të kaluar, Guinsbergut nga Ballshi, Blake nga Kuçova, Platt-it nga Erseka dhe Atwood-it nga Bradasheshi. Në fakt këto ishin veç disa nga epitetet me të cilat ishin vetëpagëzuar yjet letrare të Republikës.

“Pordha e madhe gris brekët e të zotit”, kish menduar Presidenti duke parë atë tufë që përbënte elitën letrare të kombit. Shumica e femrave të atyshme, ndryshe nga gratë e bëshme të politikanëve, ishin thatanike dhe syperënduara. Indiferenca që rrezatonte qënia e tyre të krijonte përshtypjen se nevojën e papërmbushur për të pasur një  të dashur pranë,  ua kompensonte  prania e një liste të pafund  ish-dashnorësh.

“Por ndoshta gaboj, dhe është thjeshtë çështje imazhi artistik”, kish menduar me një dashamirësi që në pamje të parë nuk dihej se nga i buronte.

Si një ish-letrar i famshëm i Republikës, Presidenti e kish parë të udhës të ndiqte vetëm dhënien e çmimeve letrare dhe pastaj të largohej nga “Stani i Dy Çobenëve”, enkas për një mbledhje me Eunukët. Çmimin e Madh të Letërsise e shpalli Çel Çuli, një fytyrëzymtë me syze pa numër dhe me një diplomë uzbeke në xhep, 39 herë fitues çmimesh dhe 44 herë anëtar jurie.

“Të dashur zonja e zotërinj artdashës! Fleksibiliteti kordial i vokacioneve poetike të pashpallura në terminalet e katër vargjeve të para te poetit tonë të shquar Remzi Damllaja deklamon densitetin asocijativ të kushtëzuar nga metaforat subakute përgjatë një implementimi transversal të fonemave intrasigjente te cilat bashkë me trashendencën e nënkuptuar te vargut neojambik sensibilizojnë për një risi të re te niveleve botërore poetike. Por, megjithatë, sivjet, ndryshe nga vitet e mëparshme ku tradicionalisht ne shpallim fitues të Çmimeve të Mëdha të Letërsisë ata autorë që fatkeqësisht nuk kishin mundur të ishin anëtarë jurie, fitues i Penës së Artë nuk u shpall autori i librit fitues, por redaktori i tij Filip Kotruvja. Penën e Argjendë e fiton lexuesi Banush Vëra me motivacionin “Për leximin më të mirë të mundshëm të vëllimit poetik “Një leckë e thatë në fund të detit” duke e rikrijuar atë. Jemi në epokën e vdekjes së autorit. Rroftë lexuesi! “

 Me çmim inkurajues juria nderonte edhe autorin e librit në fjalë me motivacionin “Për bashkëpunim modest në shkrimin e poezive fituese.”

(2013 – Albtipografia)