Krijimtari

Mustafë Ismaili – Fragment nga romani ‘Në mes dy shekujve’

Fati tërë natën nuk vuri gjumë në sy. Para imazhit të tij si hije e gjallë i rrinte nëna përpara si statujë, ku e pyeste por nuk merrte pëgjigjen e duhur…

Të nesërmen në mëngjes mori autobusin e parë dhe shkoi ta vizitojë nënën. Gjatë udhëtimit gjumi e mashtronte herë pas herë, mendja i fluturonte gjithandej dhe idetë i shëndrroheshin në ëndërra. Ai, pa mbështetje, ishte askund, i dëshpëruar, i lodhur psiqikisht dhe fizikisht. Nga autobuzi zbret i përgjumur. Pas ca minutave arrin në spital! Informohet për vendndodhjen e nënës. Dhoma numër 31, i bën me gisht në drejtim të derës personi në hyrjen kryesore të spitalit. Ai vazhdon në drejtimin e duhur. Sytë e tij të përlotur ngulen në shifrën 31 dhe këmbët shtangen e nuk lëvizin sikur ia këput dikush gjunjët. Për një moment konsultohet me intuitën e tij dhe troket në derë dhe futet rrëmbyeshëm brenda. Aty e gjen nënën të shtrirë në njërin nga tre shtretërit. Me emocione i afrohet, e përqafon butësisht me një ngrohtësi, sikur një foshnje që nuk do ta lëndojë. Ajo, edhe pse e sëmurë befasohet kur e sheh të birin përqafuar me trupin e saj të plogësht e gjen forcë dhe e pyet:

- Pse erdhe biri im, unë nuk kam dashur të të shqetësoj dhe të të pengoj nga studimet.

-Jo, nënë, mos ki merak se nuk i ndërpres studimet, por erdha të të shoh ty.

 Ajo i lexoi ndjenjat e djalit dhe iu mbushën sytë me lotë. Nuk foli asgjë, nuk deshi ta mërzisë. E dinte se po i mbyllte sytë me shumë dëshira të parealizuara. Iu lut të birit të afrohej edhe një herë. E tërhoqi, e përqafoi, e shtrëngoi aq fort, sa nuk donte ta lëshonte nga duart.E shtrëngoi me gjithë forcën e saj të fundit, sikur donte ta merrte me vete e  filloi të qajë me zë ... I tha:

-Unë po shkoj para kohe. Po ju lë vetëm…Të lutem, mos i merr gjërat seriozisht dhe shpirtërisht nga babai, edhe pse ai është shkaku që unë po vdes! Mos kundërshto! Vetëm vazhdo e mbahu i fortë!  Mbahu me dajat, se ata më kanë premtuar që do të të ndihmojnë. Fati me emocione i dëgjonte fjalët e nënës dhe i regjistronte në kujtesën e tij.

Duke e liruar nga përqafimi i tha të birit me butësi të hapë sirtarin e komodinës së vogël që kishte afër krevatit. Aty kishte ca biskota dhe i tha merrte me vete se nuk po mundej t’i hante.

Fati i mori e i futi në xhepin e palltos. Pastaj nëna ia mori dorën e para se të fliste, i rrodhën lotët e i dolën fjalët me vështirësi, sikur ia kishin zënë grykën e tha:

-Po të lë amanet, shkollën mos e ndërpre!  Mbaroje se për ty kam vuajtur të zitë e ullirit!

Fatit tundi kokën në shenjë pohimi. I mbeti fjala në fyt dhe u ngulfat. Nuk mundi të nxjerrë asnjë fjalë përveçse lotë e lotë. Qëndroi duke shtrënguar dorën deri sa erdhi mjeku kujdestar dhe infermieri që ia ndërprenë vizitën. Duke u largua i tha:

- Nënë, ti do ta përballosh, je e fortë. Ke kaluar furtuna e rrebeshe dhe kësaj radhe do ta mundësh edhe sëmundjen.

Ajo, me një buzëqeshje të plogësht, thuajse u ndje edhe më e lodhur nga fjalët e të birit që po i jepnin kurajë dhe shpresë. Lëvizi kokën në shenjë gjysmë pohimi dhe lëvizi gishtat e dorës në shenjë përshëndetje duke lëshuar një frymë nga mushkëritë. Mezi i doli ajri nga goja. Ai u nda nga nëna me një vështrim prapa duke mos ia ndarë sytë e shkoi në Prishtinë për të dhënë provimin që e kishte përgatitur për mrekulli. Për fat të mirë, e kaloi provimin shkëlqyeshëm, por mendja i rrinte te nëna e sëmurë.

U nis ta vizitonte dhe t’i jepte të paktën lajmin e shumëpritur që e dëshironte ajo. Pasi u fut në spital, hyri drejt e në dhomë dhe pa që krevati i saj ishte i zbrazët. I vajti mendja për keq. Doli dhe takoi mjekun kujdestar. I dëshpëruar e pyeti:

-Ku e kam nënën? Ku është nëna ime?          

Mjeku u ndal për një moment. Mendoi pak dhe i hodhi dorën e majtë mbi supe. Me dorën e djathtë i shprehu ngushëllime dhe shikuar orën e dorës i tha:

-Nëna të ka vdekur para gjashtë orëve!

Lajmi ishte shumë i hidhur.   I erdhi diçka si vetëtimë në kokë. Iu morën mendtë. Nuk e mbajtën këmbët. Ra si një cung në dysheme.  Pas pak e mori veten dhe duke u ngritur tha:

-Dua ta shoh trupin e nënës!

 Këtë e bëri me këmbëngulje. Ia mundësuan kërkesën. Një infermier e përcolli deri në morg që ndodhej në katin e nëndheshëm. Fati e përcillte infermierin korridoreve të nëndheshme, deri sa ai hapi një derë të gjërë. Në hyrje të morgut, e hapi regjistrin dhe e orientoi Fatin te trupi i nënës. Aty kishte disa kufoma. Ai i tha:

-Nuk është vetëm nëna jote që ka ikur nga kjo jetë, por ka edhe të tjerë, bile më të rinj se ajo. Të gjithë këta kanë vdekur brenda këtyre ditëve.

Ia bëri me dorë në drejtim të kufomave dhe thua se e ngushëlloi Fatin me këto fjalë.  Ai ngriti çarçafin e bardhë me të cilin ishte mbuluar trupi i pajetë i nënës. Sytë e saj në fytyrën e zbehtë nuk ishin mbyllur mirë. Fati mbeti i shtangur para saj dhe në heshtje i tha:

-E di pse të kanë mbetur sytë gjysmë të hapur. More me vete brenga shumë të mëdha.  Nuk munde asnjë dëshirë dhe ëndërr të realizoje.

Fati tani i kishte kuptuar të gjitha ato vuajtje dhe ndjenja që i mori me vete nëna. Ai e përqafoi dhe u betua si një burrë i pjekur duke i thënë fjalët e fundit mbi trupin e saj të pajetë:

-Nënë, pusho e qetë, sepse punët dhe hallet e kësaj bote nuk do t’i mbarojë askush.

E përqafoi duke e larë me lotët që i rridhnin rrëke mbi fytyrën e saj të ftohtë. Trupi i pajetë ishte pushtuar nga i biri që donte ta merrte me vete. Ai qëndroi ashtu për disa minuta deri sa u qetësua dhe i tha:

-Lamtumirë nëna ime për herë të fundit!

Kur u shkëput nga trupi i pajetë i nënës, ia mbylli sytë me kujdes, ktheu kokën mbrapa dhe u nis në drejtim të gabuar deri sa gjeti derën e daljes. Mërmëriti:

-Lamtumirë, moj e mira nëna ime, ike pa e parë pranverën e 43-të! Sa qenka e vështirë t’i thuash përgjithmonë nënës lamtumirë … ia tha të gjitha ato të pathëna që nuk ia kishte thënë për së gjalli.