Krijimtari

Fqinja ime e bukur - Novelë nga Përparim Kapllani (2)

Mbase duhet ta filloj nga më e thjeshta, nga diçka që e prek dhe e shoh: letrat e saj. Hap dosjen ngjyrë hiri, mbi të cilën kam shkruar vetëm një germë: “M”. Hap letrën e parë. Dëgjoj një fëshfërimë fustani. Ndjej frymëmarrjen e saj. Ndoshta është truri im i lodhur. Arsenalit tim të armëve i kam shtuar një aparat modern fotografik, një videokamera xhepi dhe një kompjuter laptop. Sot bleva edhe një revolver të tipit TT, që ta kem në rast nevoje. Më kushtoi dyqind dollarë amerikanë. Është i mbajtur mirë, madje i vajosur së fundi. Ulem para Macintosh-it tim të vjetër dhe hap një dosje me emrin “Miranda”. Gjithë paraditen e shpenzova në Spitalin numër 2 të Tiranës, konkretisht me ekspertët mjeko-ligjorë të morgut. Duhet patjetër të hapet edhe një herë varri për të kaluar një për një të gjitha eshtrat e brishta, që ndodhen në atë arkë të drunjtë.

Një goditje ciflore në kafkë do të më ndihmonte shumë të krijoja hipotezën e një vrasjeje apo një rrëshqitjeje të befasishme. Mbase më duhet një leje e posaçme nga Prokuroria e Tiranës dhe Gjykata e Shkallës së Parë. Duhet parë, nëse ka vërtet eshtra dhe si mund të bëhet identifikimi i tyre. Mos vallë Miranda është gjallë, shëndoshë e mirë, diku me të dashurin e saj dhe të gjithë e dinë të vdekur, për kushedi se çfarë loje që mund të luhet me drejtësinë? Mos mbahet peng diku, për t’i shitur trupin e saj padronëve të seksit?

Shtrëngoj tëmthat. Të njëqind hipotezat ma sjellin kokën e lodhur vërdallë. Sa pikëpyetje ngre, po aq rrëzoj, i paaftë për të mbajtur një bosht timin, ku të përqëndroj hetimet, përpjekjet e mia prej fillestari. Nuk e kuptoj përse familja nuk e ka denoncuar rastin në gjykatë? Përse kjo dosje nuk është hapur për hetim? Kush i dërgoi të njëzetetre vajzat shqiptare në Qipron e Veriut? Ministria e Punës dhe e Përkrahjes Sociale? Zyra e Marrëdhënieve me Jashtë firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit, apo dikush tjetër? Dhe përse të gjitha u zgjodhën vajza, pothuajse në të njëjtën moshë?

Futem në internet. Klikoj në “Google” dhe ja ku gjendem në faqen elektronike të Qipros Veriore. “Hoshgeldiniz!” “Njatjeta!”.

“Në këtë minirepublikë prej 3355 kilometra katrore dhe dyqind mijë banorë, gjysma e popullsisë është në moshën tridhjetë vjeçare. Gjysma e popullsisë, sipas burimeve zyrtare janë vetëm 30-vjeçarë. Në vitin 1992, në brigjet e këtij ishulli misterioz lëshuan vezët e tyre ekzaktësisht 1500 breshka uji.” Lë mënjanë shifrat zyrtare të hedhura në internet e ngulem përsëri mbi letrat e Mirandës.

“E dashur mami! Sot mbërritëm në Qipron Turke. Në fillim shkuam në Ankara e që andej një avion i linjës Turkish Airline na solli në aeroportin Erkan të Girnesë, ose siç e quajnë grekët, në aeroportin e Kirenias. Për çudi, ngaqë kishte stuhi, i kaluam disa orë në një aeroport ushtarak. Sapo mbërritëm në hotel “Simena” që ndodhet në perëndim të Girnesë, vendosa të të shkruaja këto dy rreshta. Mami, mos ki merak për mua. Këtu është shumë bukur. Mendoj se javën e ardhshme, të hënën, do të filloj punë. Këtu paguajnë me lira turke, por qarkullon edhe paundi anglez, si dhe euro. Të puth me mall. Herë tjetër do të të shkruaj më gjatë. Puthe babin për mua!”

Ndërpres për pak leximin. Hap frigoriferin dhe pi një gotë ujë me akull. Kjo kaligrafi e mrekullueshme më ngjall etje. Etje për lexim, ujë dhe seks. Përfytyroj buzëqeshjen e saj vrasëse. Kam përshtypjen se në skajin më të largët të apartamentit tim ndodhet dikush që përgjon të gjitha lëvizjet e mia. Regjistron gjithçka, të gjitha detajet e parëndësishme: uljet dhe ngritjet nga karrigia ime rrotulluese, flirtimin e gishtave me shishen e birrës “Budweiser”, hedhjen ngandonjëherë të ndonjë vështrimi të beftë televizorit. Bie zilja e telefonit. Telefonin e kam në ngjyrë të zezë, ka të bashkangjitur një makinë të regjistrimit të mesazheve. Në një dritare plastike më tregon se nga cili numër i kanë rënë telefonit. Më marrin nga një kabinë telefonike në kryeqytet.

“Alo, zoti Gentian! Albin Veliu ju shqetëson.”

Është babai i Mirandës. Kërkon të dijë se çfarë bisedova me ekspertin mjeko-ligjor. A duhet hapur varri dhe të bëhet edhe një herë ekspertiza?

I jap një përgjigje të thatë e zhytem përsëri në detin e pikëpyetjeve të mia. Të hapet një herë varri e pastaj të shkoj në Qipron Veriore? Po atje, çfarë të bëj? Të zë një hotel, të marr dhe një makinë me qira. Ah, një makinë me qira, “Opel Astra”. Makinat në ishull e kanë timonin në krahun e djathtë si në Angli, e saktë?! Pastaj të marr ngadalë rrugën drejt rrobaqepësisë, ku punoi Miranda. Mbase jam me fat e takoj ndonjë shoqen e saj shqiptare a turke, nuk ka rëndësi. Do të pi kafe në kafenetë rrotull. Do të hiqem si turist kanadez, meqë kam pasaportë kanadeze, pa e treguar kombësinë time shqiptare. Mbase nuk duhet ta marr revolverin me vete, që të mos krijoj as dyshimin më të vogël, kur të kaloj doganën. Mjafton një aparat fotografik. Fo.to.gra.fi? Plaka e shtëpisë duhet të ketë patjetër ndonjë fotografi të së bijës, ku mund të ketë dalë me një shoqe të ngushtë, a me një shok?!

Fik të gjitha dritat e shtrihem përmbys. Fytyrën e kam ngjeshur fort mbi nënkrejsë e gati sa nuk shpërthej nga emocionet. Ndjej një dallgëzim të brishtë të ajrit, një zë që përhumbet në erë.

Është ajo, Miranda. Ka ardhur në dhomën time në formën e një vegimi të gënjeshtërt e kërkon të flasë.

Ngrihem në gjunjë mbi krevatin dopio, ku shpesh bie të fle i vetmuar. Nuk vuaj nga haluçinacionet, nuk besoj në shfaqjen e fantazmave. Hap sytë i çakërdisur për të kuptuar diçka. Miranda është e veshur në një fustan të tejdukshëm nate. I dalloj trupin e bukur përmes asaj dallge mëndafshi. Kam frikë se jam i sëmurë nga nekrofilia. Më lind dëshira për të bërë seks me një vajzë të vdekur.

“Si të dukem? Ti gjithmonë më ke dashur. Ke dashur të bësh seks me mua, sa herë që shkoje në mëngjes në punë. Jam gati të ta plotësoj dëshirën tani, pas vdekjes!”

Më merret fryma. Jo, nuk jam djalë i ndershëm, që respekton ligjet e shoqërisë, moralin dhe edukatën. Duhet të kem pësuar ndonjë thyerje nervore diku, në cipën encefale. Këtë çrregullim duhet ta tregojë patjetër encefalograma.

“Përse nuk flet? A nuk është e vërtetë se doje të bëje dashuri me mua? Ti vdisje për mua, rrënqetheshe! Ja, ku më ke, në dhomën tënde. Vetëm për vetëm!”

Miranda më afrohet. Unë mbyll sytë. Ndjej të më lagen buzët, gusha! Është djersa ime e ankthit apo njomështia e qenies së saj?

“Kush të vrau? Pse? Prindërit kërkojnë një përgjigje”, - them shpejt e shpejt.

“Kërko dhe gjeje! Kush kërkon, gjen!”

Vegimi i veshur në të bardha largohet. Ndez dritën. Më ka ikur gjumi i natës dhe më ka hyrë frika. Vishem nxitimthi. Më duhet të shkoj përsëri në shtëpinë e Mirandës, ku do të më presë një grua e veshur me të zeza. Një qyqe, një kukumjaçkë që qan nga hidhërimi dhe ligështia e botës. Atje duhet të ketë patjetër ndonjë fotografi, ku Miranda mund të ketë dalë me të njohurit e saj të rastësishëm, që mund të jenë personazhe kryesore a figurante në krim. Më duhet dhe një analizë ADN-je për kockat.

Jam krejtësisht pa mbështetje. Kam ndihmës dy pleq që nuk dinë asgjë rreth fatit të vajzës së tyre dhe një numër letrash, të shkruara shkurt dhe thatë. Nuk më mungojnë idetë, imagjinata. I shtyva të dy pleqtë të organizonin një ceremoni përkujtimore për Mirandën dhe ja, tani fotografoj të gjithë pjesëmarrësit në takim. Fytyra të zbehta, të mpira. Të kallura nga frika dhe duhani i fortë. Videokamera e xhepit regjistron gjithçka. Ja një vajzë kaçurrele që thotë se ka qenë me Mirandën në Qipron Veriore. Ndoshta ajo duhet të dijë diçka.

(Vijon)

Tagged under Perparim Kapllani