Krijimtari

Fqinja ime e bukur-Novelë nga Përparim Kapllani (3)

Ja varri i saj! Një varr i thjeshtë, me një pllakë guri në krye. Një fytyrë e ëmbël që më qesh që nga pllaka. Kam përshtypjen se zotëroj fuqi telekinetike për të lëvizur objektet në ajër me forcën e mendjes. Me valët elektromagnetike të trupit hap varrin ngadalë. Më shfaqet kafka e saj e goditur në pjesën e prapme. Afroj lupën dhe këqyr me kureshtje. I ngjan vërtet një goditjeje të shkaktuar nga ndonjë levë hekuri. Po përse vallë, përse?!

“Është e vërtetë! Më qëlluan me levë pas kokës! Rashë pa ndjenja mbi dysheme e aty mbeta, gjersa erdhi Vjollca nga turni i natës. Nuk e di se ku kërkon të dalësh? Kërkon të gjesh vrasësin? Më mirë kujdesu për kokën tënde. Ke rënë në sy dhe një ditë do të të vrasin!” – Është përsëri Miranda, hija e saj që nuk më ndahet. E lë për pak çaste vetëm atë dallgë ajri e i ngjitem pas vajzës me kaçurrela. Ajo duhet të jetë Vjollca.

“Më falni, ju keni qenë bashkë me Mirandën në Qipron Veriore? Më duhet të flas me ju patjetër!”. Vajza me kaçurrela më vështron e frikësuar. I shpjegoj se jam një hetues privat i punësuar nga prindërit e Mirandës.

Vajza shpejton hapat dhe futet në makinën e saj “Toyota Corola”, në ngjyrë të zezë. Hap derën dhe pa pyetur, ngjishem në sediljen e krahut të djathtë. Vjollca ndez makinën dhe vështron përpara.

“A kishte ndonjë të dashur, Miranda?”, - pyes nxitimthi, por fjalët më treten në ajër.

Vajza duket se ka frikë. Ndalon makinën në anë të trotuarit e shpërthen në të qara. Ndjehem gushtë. I përkëdhel paksa flokët që i kanë rënë mbi ballë. Ajo e mbledh veten e nis të më rrëfejë, duke hedhur vështrimin diku, përmes xhamit të përparmë të makinës.

“Ishim të gjitha vajza. Kujtuam se gjetëm një zgjidhje për jetën. Gjetëm një punë si rrobaqepëse në Qipro, por gjithçka ishte gënjeshtër. Jeta na u bë skëterrë nga pronarët dhe menaxherët turq të rrobaqepësisë. Mirandës i binte në qafë një turk me emrin Rauf Ozal! Ai tipi ishte burrë i martuar. Kishte edhe tre fëmijë, por iu qep keq asaj. Miranda ia bënte të qartë se nuk donte të kishte lidhje dashurore me kolegët e punës, por ai nuk i ndahej. Raufi kishte një ves të keq që pinte shumë. Një ditë erdhi në dhomën tonë dhe shpërtheu derën. Iu sul Mirandës si i ndërkryer dhe kërkoi të bënte seks me të me forcë.”

Vjollca ndërpret rrëfimin e saj nga ngashërimi.

“Ti? Ishe aty? Pe gjithçka? Atëherë çështja qenka e thjeshtë.”

“Nuk isha aty, por e kisha parë Raufin të eglendisej pas saj. Miranda vetë më kishte thënë se ishte shumë e mërzitur, madje donte të kthehej në Shqipëri, që të shpëtonte nga Raufi, por ai nuk i ndahej. E shprehte hapur që i kishte rënë në kokë, që ishte i dhunshëm dhe pijanec. Kishim dëgjuar që kishte përdhunuar edhe tre vajza të tjera shqiptare. Pas vrasjes së Mirandës, Raufi u arrestua, por u lirua pas dy ditësh për mungesë provash. Kjo është historia!”

“Rauf Ozal! I martuar! Me tre fëmijë! Me banim në Qipron Veriore! Më duhet ta takoj këtë njeri në Qipro!” – mërmëris më vete, duke skërmitur dhëmbët. Vjollca më ngul sytë me dhembshuri. Më duket sikur vështrimi i saj më qorton për vendimin e marrë me shpejtësi. Më pëlqejnë sytë e saj sterrë të zinj si nata. Buzët që i dridhen nga emocionet, por unë kam një mision tjetër sonte. Më duhet të gjej vrasësin e Mirandës, turkun Rauf Ozal. Me hir ose me pahir! T’ia vë revolverin në lule të ballit e ta shtrij përtokë të shembur nga grushtet e mi të fuqishëm. Ajo fytyrë vemje më jep forcë për të urryer dhe për ta çuar misionin deri në fund. Më lind një dëshirë e egër dhe e përbindshme për t’ia ngjeshur turinjve me sa më hanë krahët e ta plandos përdhe atë qenie që drejtohet nga instinktet më të egra. Po çfarë kujton ky Rauf Ozal, se Miranda ishte një njeri pa njeri dhe pa përkrahje?

“Zoti Rauf, ju keni nevojë për një leksion të rëndë, që nuk do ta harroni sa të keni jetën. Drejtësia po ringrihet nga varri për t’ju goditur ju.”

Përshëndes Vjollcën dhe mbaj frymën në Agjencinë e parë të Udhëtimit, që më del përpara. Prenotoj biletën vajtje-ardhje për në Ankara. Do të kaloj disa ditë në Ankara e më pas do të vazhdoj itinerarin e zi në drejtim të Girnesë.

Ndez cigaren! E thith tymin thellë! Befas më shfaqet përsëri ajo: Miranda Veliu e veshur në të bardha.

“Mos shko, të thashë! Do të të vrasin! Ata nuk kanë mëshirë! Janë një grup i tërë që merren me prostitucion.” – më thotë Miranda. “Më shumë se gjysma e vajzave shqiptare u përdhunuan. Askush nuk denjoi të merrej me ne…, askush. Ishim qenie të dobëta. Të pambrojtura. Të para me përçmim përreth, megjithëse kishim ardhur për të nxjerrë bukën e gojës në rrugë të ndershme. Zoti që është atje lart duhet të urdhërojë ndëshkimin e të godasë fajtorët. Po çfarë faji kishim bërë, që na trajtuan ashtu? Përse na shihnin vetëm si objekt për seks? E di, unë isha thjesht një vrimë seksuale! Nuk vleja për më shumë. Kur guxova dhe nuk ia realizova dëshirën asaj kafshe me fytyrë njeriu, atëherë më vranë. Ata ishin tre! Rauf Ozal, Hysein Olldun dhe Amir Salin. Këta të tre kishin bërë mend të më dënonin në mënyrë kolektive për kryeneçësinë time. Më përdhunuan të tre, me radhë, njëri pas tjetrit. E pastaj më goditën me levë në kokë dhe më lanë të vdekur.”

Fantazma e saj vazhdon të flasë, ndërsa sytë e mi përskuqen nga zemërimi i verbër. Më frikëson e vërteta e saj. Më rrënqeth si një korrent qindra mijëra voltësh. Ndoshta kam nevojë për pakëz pushim, që të shpëtoj nga shfaqja e mirazheve të rreme dhe biseda imagjinare me fantazmat. Për herë të parë ndjehem i lehtësuar disi. Tani hetimet e mia kanë ku mbështeten: Miranda është përdhunuar dhe vrarë nga Rauf Ozal. Këtij njeriu më duhet t’i vë prangat! (Vijon)