Krijimtari

Përballë kemi vetëm veten - Nga Faruk Myrtaj

Qetësia përtej Portës së Ligjit, thashë me vete, teksa u gjenda i vetëm.

Në këtë botë, gjithnjë, dikujt i duhej të presë përpara dyersh të mbyllura. Ose të trokasë në to. Asnjë rëndësi s’ka, nëse i duhet të trokasë nga brenda apo nga jashtë, përderisa në të dy variantet, dyert mund të vonojnë të hapen ose nuk hapen kurrë.

Ose nuk janë fare dyer. Edhe pse provojmë gjëra të njohura, të ditura e të ndodhura më parë, sërish, rrekemi të besojmë e të presim të ndodhin gjëra që dëshirojmë, jo ndodhi që s’mund të ndodhin. Dhe, deri në fund, shpresojmë të jemi pikërisht ne rasti i parë i ndodhjes së asaj që ëndërrojmë, rasti “për herë të parë” jemi ne, si fat dhe si fatalitet. Secili prej nesh i duket se është njeriu i parë i botës...

Për pak minuta, duke udhëtuar, gjithnjë brenda një hapësire të mbyllur s’di për ku, një tjetër ballkanas, më vështronte duke qeshur.

"Në këtë botë ne jemi vetëm gogla, na rrotullojnë si në ato globin e lojrave të fatit dhe dikush fiton. Mos e vri mendjen se, mbaron gugllimi dhe të gjithë dalin duke qeshur, se jetë lodrash është..."

Nuk më dukej fare problem që s’po shihja gjërat e njohura, hartën e SouthLand, skedat, gruan...fëmijët.

Franz Kafka s’ka qenë...

Vërtetë qesharake kjo që ndodh, mendova, për të sajtën herë.

Meditoja me zë tashmë, se më në fund isha absolutisht vetëm, hapësirë e njëjtë si ajo në pallatin ku prej vitesh endesha dhe s’prisja të kishte më skuta të panjohura. E vetmja zonë në qytetin ToroLand ku s’mund të ngatërrohesha, edhe sikur të doja. Një mjedis të cilin e njihja si atdheun e mëparshëm, në mos më imtësisht, mund të lëvizja symbyllur, si ai i verbri që e shihja magjepsur në rrugën përballë, teksa mahnitesha se si e gjente vendin ku shkelte me anë të një shkopi, duke trokitur në trotuar si xhenieri që verifikon praninë e minave.

Tina s’takohej me askënd tjetër prej mëmëdheasve, s’kish si ta merrte vesh mbylljen. Do priste sado gjatë t’i rishfaqesha befas, pas disa muajsh apo vjetësh, siç ndodhi edhe pas ardhje/ikjes së saj në kryeqytetin dikur ku nuk ia mundësova dot ekspozitën me korniza boshe, ose thjesht si pas ndonjë ngatërrese time të zakonshme, klasike, në urbanët apo subway.

"E rëndësishme është të arrijmë të njohim veten, do thoshte Tina. Përballë kemi vetëm veten, vetëm vetja na ndjek pas, ajo na vëzhgon, s’kemi asnjë problem tjetër veç vetes, në tërë jetët që na duhet të bëjmë për të kompletuar ciklin e përplotjes dhe përsosjes..."

Më në fund m’u bë mbarë ta shkoja ndërmend dhe ta përjetoja vetëtimthi tërë këtë periudhë të emigrimit të vetes që më ish dukur si trupi im, por qenkej thjesht shpirt. Pafundësisht i qetë në tërë ç’ndodhte me mua pa dijeninë time, isha gati tua dorëzoja menjëhershëm e përgjithnjëshëm atë që kërkonin prej meje:

Kontrollin mbi trupin tim. Këtë doni? Merreni! As mua s’më duhet më, mjaft kam shpirtin tashmë, shpirti më është aq mjaft sa të mos shkoj ndërmend asnjë lloj refuzimi ndaj veprimeve tuaja uniforme. Emigracioni është veç një copë herë e shkurtër e kësaj ikjeje të papushimtë, të cilës i isha dorëzuar prej kohësh, ikje që po arrija ta përshkoja përgjatë një hapje-mbyllje-sysh në terr, brenda kësaj hapësire të limituar, si në një shfaqje filmi me shpejtësi drite në një ushtrim ëndërritjeje. Më rezultonte i kotë interpretimi i të jetuarit thjesht në atë mënyrë siç bënim për trupat tanë, apartamente marrë me qira e kredi afatgjatë për jetët këtu...Pt-hu!

S’ja vlente analiza, por edhe hamendjet do ishin fluturake nëse duhej ta ndjeje veten endè në këtë konvejer...

S’e kisha idenë e kohës, mbase s’kish fare sistem kordinativ kohor aty ku u gjenda. Ose Atdhe Tjeter, sistem kordinativ Tjeter...Zero-ja, nje Zero, sigurisht ishte diku aty...

Nuk doja të mendoja, për asgjë. Një uniformë u shfaq tek sporteli që hapej në kuadratin e derës dhe për habinë time, edhe të tijën natyrisht, e luta për një libër. Ishte kërkesë absurde, që as vetë s’do kisha menduar ta bëja në këto rrethana. Më vështroi hulumtues, prej sportelit midis.

"Një libër çfardo...", i thashë, si për tu tërhequr paksa. Qoftë edhe nga ata librat që lexonim në atdheun e izoluar prej botës, s’ka asnjë problem, mu bë se shtova, kur kuadrati ishte bosh. Mjaft të lexoja diçka, ishte mirë të harrohesha pas të shkruarave, rrëfimeve të të tjerëve, në vend të branisesha mjegullimës së hamendësimeve për atë që, megjithëse s’kish ndodhur, pat shërbyer si shkak i mjaftueshëm të isha këtu ku jam. Ku erdha vetë.

Uniforma, si për të më ndihmuar të vazhdoja të mendoja pozitivisht, u shfaq sërish. Tri libra. M’i kish sjellë. Mu gjendën afër, depërtuan në hapësirën time, nëpërmjet sportelit. Uau! Gati sa nuk thirra prej gëzimit. M’i la aty dhe e mbylli sportelin, pa pritur ta falenderoja. Nuk mundi të vërente këputjen që mbase ra në fytyrën time, teksa u kujtova se nuk kisha syzat me vete. As mund të lexoja, dhe ashtu si kish ardhur hera, nuk shkohej ndërmend t’i kërkoja...

Njeri nga librat ishte i Tolstoit, Haxhi Murati. Munda të dalloja titullin dhe autorin, me shkronja të mëdha, edhe tek libri i dytë, i një autori të panjohur për mua si lexues i vendlindjes dikur. Por arrita të lexoja shënimin në faqen e parë:

"Nëse sherifi i qytetit ka ndonjë problem të vetin, sigurisht ka për ta nxjerrë mërzinë tek dikush tjetër në qytet...". Libri i tretë, i vetmi i shtypur me shkronja të mëdha, të lexueshme edhe pa syze, ishte në frëngjisht. Mos, thashë, mos...sikur ende të më duhej të mbijetoja në Atdheun Dikur...

Edhe në grinë e shurdhët të vetmisë së atyshme, thashë “mos...,” për këtë libër në gjuhën që vazhdova ta paragjykoja edhe pse mu gjend në këtë lloj vetmie, pa nevojë përkthyesi midis. Në momentin tjetër, si një lloj ndjese, nisa të shfletojë pikërisht atë, të parin ndër tri librat. Si një fëmijë që rrekesha pas një lodre që nuk ia di funksionimin, a si një hulumtues krejt papërvojë mbi një dorëshkrim të vjetër, pa kodin e shpërfaqjes.

“Unë s’kam pasur asnjëherë avion në dispozicion,” kishte bërë humor gaz-a-vajshëm presidenti i parë jo i bardhë. E qeshura që i nisi prej buzëqeshjes, kish diçka prej nurit të nënës së tij dhe po aq prej seriozitetit gati dramatik të të atit, rrodhi lehtë afër tij, për tu bërë falë e plotë e pastaj dallgë shkumbëzuese në tërë sallën ku mbahej ceremonia e betimit të tij. Presidentit gjithashtu, do t’i duhej kohë e gjatë, më e gjatë se jetët tokësore, për të kuptuar e çmuar atë që kishte ndodhur me të. Nisur për udhë dikur në trupin e të atit nga brigjet e Afrikës, skllavi për të cilin besohej se ish shliruar tërësisht në këtë truall dhe ishte ngjitur deri në Shtëpinë e Bardhë, mund të shfaqej sërish, edhe aty, duke hyrë vjedhurazi në sallën e vendimmarrjeve më të thekshme, për ta këshilluar që asnjë wrong-skin tjetër të mos caktonte në kabinetin e tij...

Mbase mendja e rritur nën dyshime bridhte në shtigje absurde që s’ishin të këtyre viseve. Ideja se kudo në këtë botë ndodhte e njëjta histori, që shkruhej ndryshe, më rrëmbente mundësinë e përsëritjes së asaj që kishte ndodhur në UnderLandin tim: një ish i burgosur, në sy të kamerave të pushtetit të ri, ish caktuar në zyrën e diktatorit, ish ulur në karriken e tij dhe prej aty, siç e kishin porositur, shpalli realizimin e ëndrrës së të gjithëve. Të nesërmen, disa shokë burgu kishin kërkuar prej tij t’i ndihte ta rihapnin burgun dikur, që ata të mund të ktheheshin sërish atje…

Njeriu shkon drejt mbylljes, sapo pushon së kërkuari, por hijen e pa-lirisë e ndjen kur i kufizohet hapësira. Pa syza s’mund të lexoja, por ma kish ënda ta mbaja librin para syve. Pak më parë, kur kisha zënë ngoje nëse ndonjë libër gjendej aty rrotull, s’kisha patur ndërmend leximin. Vetëm një trushkulur, fantaksur për aventura a histori me mosketierë dhe abat Faria, përfytyrohej duke lexuar në kësi mjedisesh.

Më duhej para syve një libër, diçka e shkruar, të harrohesha si të isha duke lexuar.

Nuk shihja mirë, por ashtu vagullt, si mes mjegullës në erë, bëra ç’ish e mundur të rrëmbeja formën e ndonjë shkronje, më tej, andonjë trajtë tjetër shembëllese me ndonjë shkronjë, provova të nxirrja diçfarëlloj kuptime rrokjesh klasike, prej një-pas-njësë së këtyre gërmave të peshkuara në ujë të trubullt, dhe këtyre bashkimrrokjeve, përftuar në këtë mënyrë, u rreka tu korespondoj kuptim fjalësh, si mundësi të kuptuari, pavarësisht prej gjuhës së shkruar.

Bëja të nxirrja doemos kuptim prej shenjave grafike të shtypura në faqet e librave që mu avitën si ëngjëj shpëtues në vetminë time largnjerëzore, u rreka përtej të pamundurës të merrja me mend ndonjë rregull apo përkim përcaktues, ndonjë lloj pse-je në renditjen gërmave në fjalë, të fjalëve në fjali, e bëra këtë madje edhe në gjuhën e dytë zyrtare të këtushme, paragjykuar prej kohësh në pafajësinë e saj.

Thjesht të mos mbetesha midis gurëve të mokrës së përsiatjeve për situatën qesharake e njëherësh të rëndë (jo vrastare sa ajo ndaj akademikëve të Kuçit, por po aq absurde sa ajo), provoja të merrja me mend, dhe kështu arrita të harrohesha, të humbja në troje të tjera, në thellësinë e një pylli gjuhe që nuk e kisha vënë re, s’di kush dhe as përse ma kishin privuar ta vëreja dhe t’i gëzohesha, si gjithë gjuhëve të tjera...

Mosnjohja, padija në këtë gjuhë, padrejtësia ime e pashkak ndaj saj, dyshimi profan ndaj mistereve të shenjtë të përcjelljes së ideve dhe ndjesive të lirisë, aq të përkora nëpërmjet asaj gjuhe, kodi fisnik i emetimit të shpirtit të një populli që kishte paguar çmim për lirinë e qytetërimit botëror, po më kthehej në atë hapësirë të kufizuar, në mundësi relaksi të pafundme.

"Oh, gosh, thanks...!", disa prej shenjave grafike, sidomos ato të cilat ishte thuaj e pamundur t’i perceptoja në gjuhë të tjera, më silleshin e shfaqeshin si rrokje klasike e fjalëshprehje të gjuhës së vendlindjes... Më ndjè Zot, që dëgjon përpara se të shprehemi veç gjuhës së të besuarit me të cilën merremi vesh me Ty, nëse bëj mëkat kur pyes: a thua vetëm një gjuhë tjetër, ajo e mëmës, ekziston që njeriu të ndjejë e të shfrejë lëndimin e vërtetë? Edhe moskuptimin a keqkuptimin shkaktuar në gjuhë tjetër?

Nuk pyesja, s’kërkoja përgjigje. Më qè shndërruar në mjegull gjithçka, ku kolovitesha fëmijë që të ardhmen e pret fëmijërisht, pa asnjë rè në qiellin e syrit. S’kish pse vrisja mendjen, as të shpjegohesha. Për asgjë, në asnjë gjuhë...

Franz Kafka, sipas kuptimit të krijuar e mbetur tek unë, lexuesi i vonuar i tij, me pasivitetin e heronjve predikonte kotësinë e mbrojtjes përballë ligjit dhe autoriteteve; sugjeroi heshtjen përpara akuzës, pranoi pafuqinë përballë së keqes zyrtare, duke sugjeruar si paralele vetëndjerjen fajtor pa faj, si pamundësi të gjuhës së dytë, gjuhë emigranti por edhe si mërgim brenda dheut të lindjes, një lloj negri i bardhë i shekullit më parë, i tillë ish njeriu i shfaqur drojtur në librat e tij.

"I wish to had a dream...", jo "I Have a Dream...".

Mbase prandaj ai, Franc Kafka, nuk u nis dot për në tokën e premtuar. Madje, tërë sa kishte hedhur në letër, la porosi t’i digjnin.Të mos botohen, la amanet, shërbim biri, përunjur ndaj autoritetit të babait që mezi e duronte, shtova unë.

Ndjej mëri të transferuar tek ai, tashmë. Shkrimtari që zgjedh heshtjen për heroin e tij, heshtjen kur duhet folur, duhet lënë heshtur përgjithnjë. Së paku ky farë shkrimtari s’duhet lëvduar për çfarë u privoi heronjve, personazheve të tij.

“Uniformat s’kanë punë me ty...E tëra është lojë, besomë. S’ka ndodhur asgjë e keqe...bëj sikur s’e merr vesh lojën...”, ka gjasa t’i jetë lutur Kafka personazhit të Procesit të vet. “Do kalojë pak kohë dhe, bashkë me uniformat, do t’i kujtosh duke qeshur këto orë...S’ka ndodhur kurrgjë...”

Tagged under Faruk Myrtaj