Dy poezi nga Vangjush Ziko

SIMFONI MEMECE
Shfletoj albumin,
datat mjegulluar
si boja e dorëshkrimeve,
kanë mbetur siluetat,
buzëqesh naive fëminia,
trimëron djalëria
me harkun e përkulur
të vetullave,
rudhat skicojnë
llogoret me tym baruti
që kapëceu jeta,
m'i rrëzoi flokët vjeshta,
ato që mbetën
m'i thinji pranvera dimërake,
simfonia memece e shpirtit
është inçizuar
në sytë e mi me perde.
..........
BLUZ PRANVEROR
Drurëve ende s'po u çelin
shqisat e blerta
që të nuhatin flladin,
kandrat e përgjumura
nga dimri i thellë
provojnë gjymtyrët e mpira,
zogjtë me barin
e djegur ngricave
thurin djepin e cicërimave,
gjethin e ndryshkur
(që as tufani dot s'e shkundi)
e vu në buzë dushku,
këndon me zë të çjerrë
bluzin e pranverës.



