Konfuz - Nga Artan Gjyzel Hasani
Absurdi filloi me gjuhët e shumta që shpikëm
kur nga pasthirrma e rënkime të njëjta
krijuam fjalë dhe këngë të ndryshme...
pastaj secili zgjodhi kopenë e vet
dhe gurin e shpellës e bëmë derë
dhe dyert i bëmë gardhe të pafund
krijuam himnet, piedestalet dhe flamurët
për t’u fshehur pas guackës së tyre si kërminjtë
e për të dëshmuar dobësinë me të cilën ushqehemi
në përvjetorët modernë të frikës sonë…
këto budallallëqe po mendoja pak më parë
ndërsa u ndjeva i paqëllimtë si ajri
kur një ketri i dhashë lirinë
e humbur rastësisht në çarkun
që unë i kam ngritur botës
diku në një cep të verandës sime…
tre gardhe kapërceu ketri drejt lirisë
tri herë më mohoi vetja…
vetja ime është kurthi ku unë bie cdo ditë...
çarku që më ngre bota...
© artangjyzelhasani



