Krijimtari

Njerëz që kthehen vetë në burg - Tregim nga Faruk Myrtaj

Ndryshe nga të burgosurit e tjerë, madje edhe nga shumica e klerikëve të burgosur politikë, Haxhi Hafizi s’donte të dëgjonte për politikën. Edhe pse i akuzuar, edhe ai, si person anti-sistem, ngaqë mendonte se njeriu s’është zot i vetes kur s’e ka pronën dhe as fenë e tij, Haxhi Hafizi s’kishte shprehur më parë, as në burg, ndonjë ndjesi urrejtjeje të shpenguar apo neveri të thellë, qoftë edhe për fotografitë e Njëshit të Shtetit, që aty shfaqeshin kudo. Teksa i duhej të kalonte përbri të padëshiruarit të tij, thjesht mbyllte sytë, lëshonte një si pëshpëritje “Hiqmu mënjanë rrugës sime, të kam rixha...”, dhe bënte përpara.

“Ai është si ne, është njeri prej nesh, të gjithë bëjmë gabime, ai është vëllau ynë në gabime, jemi të Zotit, mëkatarë e të falshëm, në mos në këtë jetë në tjetrën”, thoshte, edhe kur e pyesnin me ngulm për fotografinë e atij që e mbante në burg pa faj, atë dhe të tjerët.

Mbase kështu ia donte puna të fliste, teksa shëtiste në “Dy Orët e Diellit” përgjatë oborrit të burgut të sigurisë së lartë. Bënin kujdes, të gjithë aty brenda, përveç Kristo Minoritarit, arrestuar për të pestën herë, me të njëjtën akuzë: tentativë arratisjeje. Minoritari e thoshte hapur, sërish do nisej për andej. E lironin dhe ai prej portës së burgut merrte rrugën për nga kufiri me atdheun e origjinës. Numri i vigjilentëve ishte zmadhuar aq shumë sa Kriston e kapnin shumë kohë përpara se të arrinte në kufi, e kthenin sërish aty, në burgun e sigurisë së lartë, ku gjithashtu kishte sy dhe veshë që, sipas Haxhiut “atë punë kishin”.

Edhe Haxhi Hafizi i dinte. Pa dëshirë, ua kishte dëgjuar emrat.

“Bëjnë atë çfarë janë sjellë në këtë jetë të bëjnë. Tërë sa themi, mendojmë e bëjmë ne këtu poshtë, të gjitha ndodhin në sy e në vesh të Atij atje lart. Jemi dëshmitarë të tij. S’ka gjëra të fshehta në këtë jetë! Gënjejnë veten, të gjorët që besojnë se lajmërojnë. S’ka nevojë të rrëfesh tjetrin, rrëfe veten më mirë. Ai i di të gjitha! Ai na di të gjithëve!”

“Këta dëshmojnë në komandë, jo tek Ai atje Lart, Haxhi Hafiz!”

“Edhe ata të komandës, punën e Atij të Madhit bëjnë”, - ngulte këmbë ai, si për t’i lënë të tërë të pakënaqur, ata brenda burgut dhe ata të komandës.

Këto lloj fjalësh tha edhe kur mbeti vetëm me të burgosurin që ndërroi jetë në qeli një natë më parë. Tërë natën, te kryet. Ata që i bënë shoqëri, të nesërmen tregonin se e dëgjuan që Haxhi Hafizi e luti të vdekurin të ikte i gëzuar.

"Po nisesh për te Ai që na ka krijuar sipas dëshirës së tij. Nesër në mëngjes ti bëhesh i lirë, del nga rrethi i parë i kësaj jete...” i kishte thënë të vdekurit.

Edhe pse ndërroi jetë, ai do të mbetej i burgosur, deri në fund të kohës së dënimit. Ndryshimi i vetëm qè se varrin do ta kishte përtej telave, në cep të varrezave të Fshatit, afër burgut. ndaj dhe Haxhi Hafizi e ftonte të vdekurin t’i gëzohej faktit se po ndodhte dalja prej rrethojës së kampit.

Pak punonjës të reparteve të jashtëm lejoheshin të shkonin në varreza, me autoburg. Pasi kryhej varrimi, në prani të forcave të sigurisë, me të njëjtin autoburg ktheheshin sërish në kamp.

Haxhi Hafizi kreu ritualin, ngriti duart paksa lart, si për të bërë shenjë se një tjetër ishte nisur për atje. Duart, më shumë se t’i ngrinte lart, sikur i shtriu për nga varrezat e lira të fshatit, por edhe me kujdesin të mos mërziste zotërit e burgut, gardianët dhe policët që në detyrë, por edhe në heshtje, për të vdekurin ishin aty si Haxhi Hafizi, të cilit i duhej të bënte edhe të burgosurin edhe njeriun e Perëndisë.

"Njeriu, atë punë që kërkon, atë leje pune merr nga Ai Atje Lart. Të shumtë, si puna ime, pranojnë të bëjnë të burgosurin, disa marrin përsipër gardianin apo policin e burgut, më pak akoma bëhen komandantë a komisarë dhe kështu me radhë. Sa më lart shkojnë këto punë, aq më të paktë janë njerëzit që i kërkojnë këto lloj punësh... Zoti i dëgjon lutjet dhe kërkesat e njerëzve dhe ua plotëson, një për një. Secilit atë peshë që mund ta mbajë, aq sa mban...Të gjithë jemi në shërbim të Tij..."

Këto tha Haxhi Hafizi, edhe atë natë vonë, te guri që u vendos në krye të varrit anonim. Se, anonim do mbetej, deri në ditën e fundit të dënimit. Më pastaj, njerëz të tij mund të kërkonin në komandë adresën e saktë dhe të merrnin eshtrat. Njerëzit e fshatit aty pranë vinin mbi të varrosurit e vet një gur, më pastaj u shkruanin atyre edhe emrin, sipas takatit, në ndonjë pllakë guri a mermeri, me fotografi, o u gdhendnin buste.

Haxhi Hafizi thoshte se edhe këto dallime ishin gjëra koti në sy të Atij Atje Lart. Edhe të gjallë, edhe të vdekur, edhe në burg, edhe jashtë tij, jemi të Atij Atje Lart.

Tërë sa ishin aty, s’po merrnin vesh në ai fliste me të vdekurin, me ata që ishin lejuar ta shoqëronin me autoburg, apo me Zotin që mbase e shihte vetëm ai. Nuk po e ndanin dot, policët e as gardianët aty, nëse vërtet edhe ata, siç thoshte Hafizi, i ishin lutur Perëndisë, fshehurazi, në momente dobësie a frike të paditur, s’kujtoheshin dot kur i kishin kërkuar Zotit pikërisht këto punë që u ndodhte të kryenin, gardianë, policë, forca speciale të autoburgut...

"Tek e fundit, mirë e thotë Hafizi, jemi njerëz, kemi gra e fëmijë, s’është e thënë të kërkojmë të gjithë të burgosemi...!"

“Të Zotit, s’na harron e kujdeset për ne, edhe kur zgjedhim gabim, na fal e na jep mundësi të kthehemi në rrugën e Tij”, shtonte Haxhi Hafizi si t’i dëgjonte edhe mendimet pa zë të tyre.

S’ishte e lehtë ta dëgjoje këtë njeri, më mirë të mbyllje veshët e të largoheshe një çikë më tutje, të mos bëheshe dëshmitar...

Njerëzit e Qeverisë e lanë vetëm me të vdekurin dhe, pa e kuptuar, një nga një, hipën në autoburg e, për pak minuta, u gjendën te Porta e Madhe e burgut. Roja aty, siç e kishte detyrë, i numëroi një nga një, të burgosur e gardianë dhe ngriti alarmin.

“Mungon numri i njerëzve që dolën...Haxhi Hafizi u ka ikur...!”

Kësaj here vetëm policët e gardianët, vetëm të armatosurit, u lëshuan për nga varrezat. Në kërkim të Haxhi Hafizit. Kudo të kishte shkuar, do ta gjenin, s’kishte zot a shejtan ta ndihte të ikte atë njeri që ua kishte hedhur sirën si ujku deleve, mbase u kishte bërë edhe magji prej fjalëve dhe ata e kishin harruar në varrezat. Do ta gjenin dhe do ta pyesnin mos Ai Atje Lart, Zoti i Tij, i kishte premtuar ikjen sipas kërkesës së tij apo ishte gënjyer pa dashje, pa e ditur se dënimit në emër të popullit s’i shpëton kush...I gjori Haxhi Hafiz, ç’kishte për të hequr...

Aty, më tej, pak minuta në rrugën që sapo e kishin përshkuar, e panë tek po kthehej. Ecte kryeulur, jo si një i harruar prej tyre jashtë burgut, por si një njeri i mbushur me paqen e vet.

U befasua kur pa armët drejtuar nga ai, dhe aq më shumë kur dëgjoi urdhrin për të ngritur duart lart.

Kërkesës së fundit, iu bind menjëherë. Veç krahëve e pëllëmbëve të lakuara lehtë, ngriti pak edhe vështrimin, si t’u linte të kuptonin se Tjetërkujt i dorëzohem...