Krijimtari

Arkat me vaj - Tregim nga Zeqir Cama

Gati sa s’mu ça zemra, sa më hante syri u shndërrua në terr, veshët m’u taposën sikur përpëlitej brënda një flutur. Blerësi ma ktheu të gjithë mallin, siç ma kishte marrë dy ditë më parë, m’i “pllëci” arkat e vajit te dera e pasme e fugonit, që e përdorja si banak, larushur nga dielli. “Piu lëngun” më tha, dhe më mbërtheu nga gryka, gati të shpërthente si eksploziv. Gërr-vërret e tij inatçore i artikulonte belbër, sikur zbrazte me dhëmbë një automatik me breshëri. M’u afrua te fryma, sa më stërpiku me pështymë. Isha i tëri nën trysni, s’pinte ujë që isha dy herë më i bëshëm, ngjante si skelet karkaleci, thatanik, gati të më mbetej në dorë. Një nishan dhjamor si vath te llapa e veshit kur mënjanonte qafën i cikte damarin e fryrë. Fytyrëbaltë e i hakërryer, sa herë që përplaste qepallat, xhest, që e bënte parreshtur, më fuste shtatë pashë nën dhe. Nuk e bëja me faj, qe në të drejtën e tij, po të isha unë, mund të vija më dhunshëm.

Kur ndjehesh fajtor, s’të hyjnë në punë muskujt, bëhesh frikacak. E humba toruan, kisha shitur pjesën më të madhe të mallit dhe mendoja se po e mbyllja birinxhi. E kundërta e asaj që themi, se dielli duket që në mëngjes, më zi s’bëhej. Ç’kisha përreth, sikur më tregonin me gisht.

“Ja, i thoshnin njeri-tjetrit, i humbi pordha vërën.” Ndonjë polic që sillej vërdallë për punët e veta, më bënte me hije, imagjinata m’i ndezi fake news-et e para: “te tregu ushqimor, u kap një fallsifikator ushqimesh… janë në kërkim bashkëpunëtorët e tij.” I vija kapak jetës time, s’qe gjë hiç “mëkati” i të qënit ish-anëtar i partisë së përmbysur, në fund të fundit, isha si gjithë shokët, i zhgënjyer nga idealizmi. Socializmin s’e kishim prurë dhe as e përzumë ne, i kishin dalë rrënjët me kohë si ajo pema që thahet nga të paushqyerit.

Isha bërë mospërfillës ndaj preferencave politike, nuk debatoja me asnje sepse nuk ua dilja dot ca sojsëzëve që e bënin të bardhën të zezë. Kuturisa disa herë t’u mbushja mëndjen, se komunistët nuk kanë qenë njerëz pa vlera e pa virtyte, si i bëjnë sot, po kujt t’i thoshja. Kapeshin te ndonjë gozhdë e ndryshkur se kishte dhe komunistë pleh. Mirëpo s’mund ti futje të gjithë në një thes. Nga krahu i tyre, kishte mysybetër. Ndonjë rrëmbythje si Doshkardh Flama,që hiqej si tregtar, më nxirrte sytë me gishta. Ishte anëtar i partisë në pushtet. Na lodhte me gënjeshtra nga mëngjesi në darkë vetëm për fëmijërinë e tij nuk gënjente, e pohonte me plot gojën që ishte përkundur në samar të mushkës prandaj fytyra i kishte marrë ngjyrën e mbetjeve të kashtës që mbushin samarët. Sajonte lloj-lloj paudhësish që na i faturonte ne të mundurve. Edhe pse e dinin që ishte mbartës i njëmijë e një të zezave, strukturat e partisë në pushtet, e përkrahnin, nuk gjënin më adapt për të lehur. Ta kishte marrë vesh se ç’më ndodhi, kushedi çdo më punonte, ishte i vetmi rast që e vërteta do të qe me të. Shans që s’e lidhte gjë me klientin tim sepse ky, nuk pirdhte për politikë; politikën e quante fabrikë gënjeshtrash, partitë i urrente, i quante shtëpi publike që mblidhen politikanët si prostitutat që xhelozohen kur s’ua var njeri dhe mallkojnë: “U zëntë buka sytë, plaçkën njësoj e kemi, por ju jeni qorra?...”…

Vrisja mendjen, si dhe pse rashë në atë batak, ndjesia e turpit më bëri meit. Arkat e mallit të kthyer, plot pesëmbëdhjetë, me nga dymbëdhjetë shishe secila, i kisha sira para këmbëve, si arka municioni që do t’më hidhnin në erë. I kisha vënë re ca shishe të pambushura mirë, por s’më shkonte mëndja për keq. Isha në një botë ireale, si fëmijtë. Atëhere bëheshin çudira te tregu me shumicë, si një geto e vërtetë, mallra të skaduar, false, pa adresë prodhimi, ekspozuar vënd e pavënd, mbi fletë të pista plasmasi e shtretër të sajuar, me copa llamarinash e dërrasa të vjetra. Një tablo kryefund rrëmujëhane, shitës e blerës me fytyra të lyrosura, nga pluhuri dhe djersa, bërtisnin e shaheshin edhe pa konflikt, tregu i zi lulëzonte, mashtruesit vishnin uniforma identike me inspektorët tatimorë dhe ia behnin kohë e pakohë, i hynin tregut mbarë. Duhet t’ua lyeje gishtin trashë se nuk të ndaheshin. Por dhe të vërtetët e drejtorisë së tatimeve, një surrat kishin. Megjithatë, qenë nur i perëndisë, nga ky gjarpër që më kishte zënë prej gryke.

E humba fillin, harrova emrat e pronarëve, s’dija të shpjegohesha në se më merrnin në pyetje.

-Jetojmë me djersë dhe blejmë lëtyrat tuaja, më kumbonte zëri i klientit tim. Zhu-zhu-ja, e fluturës nisi prap përpëlitjen brënda veshëve. Iu luta blerësit ta sqaroja sa dija, po kujt t’ i flisje, e kishte në majë të hundës. Më kërkoi lekët e mallit dhe, “mos ua pafsha më bojën”, më tha. S’dija ç’të bëja, xhepin e kisha plot nga shitjet e ditës po s’ishin të mijat. Të mos ia jepja, më denoncononte, sekuestrohej malli dhe më rrasnin në qeli. Fotografia ime do të bënte xhiron e lajmeve të ditës si fallsifikator ushqimesh. Ata që s’më donin do të fërkonin duart, dashamirët do çmeriteshin: “nuk e kishim njohur të tillë”. Sa të mësohej e vërteta, turpi më mbetej mua dhe familjes që në darkë u çoja vetëm hakun dhe këllirën e tregut, më duhej e tërë depozita ujore dhe dy kallupa sapun për t’a shkrifur. Të komunikoja me pronarin s’kisha celular, ndaj desha s’desha, i ktheva paratë. Me blerësit shkoja mirë, e kisha mësuar të vërtetën e tregëtisë, shpirti i saj, është blerësi. S’më duhej çertifikata e mallit, si prodhohej e ku merrej, isha një shitës i rëndomtë tek tregu i shumicës, i punësuar nga dy çuna të rinj që lija kokën për ta.

Kisha dalë i papunë nga riorganizimi i ushtrisë, kërkova punë tjetër po kudo që trokita mu përgjigjën:” E ke ngrënë çairin.” Dhe isha vetëm 44 vjeç. Më quanin të mbaruar, domethënë të plakur. Kështu më quajti dhe një i afërmi im, që ishte me pushtet. “Mirë të thonë, s’e kupton që je pjerdhur?” Bëra kërkesë në drejtorinë arsimore meqë m’u ndodh një diplomë mësuesie.

-Mund të japë gjuhë letërsi në ndonjë shkollë në periferi, u thashë, mbase më ndihmon fakti që shkruaj …Po s’e mbarova deri në fund se zunë të qeshnin. E pashë që e kisha djallosur, s’ma quajtën plus siç e mendoja por të kundërtën.

-Kush pyet se ç’shkruan, më thanë. Ja dhe Fatushi shkruan poezi, vetë i reciton, vetë i komenton. Ishte inspektor te zyra e personelit, një ish-ushtarak që gati s’i pëlcisnin faqet si tullumbace, i kishte prirë fati, ishte gjëndur një mik nga pushtetarët e rinj, që e rregulloi shef të dëshmive për mobilizim-çmobilizimin e ushtarëve në një qytet të jugut. Bëri lekë sa deshi, i jepte vërtetimet e mbarimit të ushtrisë pa veshur asnjë ditë uniformë, me pesë mijë euro në dorë. S’bënte punë tjetër, u jepte pjesën atyre që e vunë dhe shkruante çdo ditë vargje. Do të ishte dhe sot e kësaj dite po të mos kapej me presh në dorë nga një emision investigativ, por si hyri gjëmb në këmbë. E fitoi gjyqin në të gjitha seancat ndaj shpoi deri këtu.

Me mua u tregua babaxhan, më afroi një shkollë tetëvjeçare në fshat. Duhet të rrija atje gjithë javën. Fillova pa entusiazëm. Të premten e rrumbullakosja në një orë të vetme dhe nisesha pasdite në qytet. Të hënave kthehesha nga dreka. S’më ngashënjente asgjë, s’e shtyva as pesë muaj. Qe fat që takova Ziko Shtëllungën, një djalë i shkathët, i orientuar për kohën që kishte ardhur. Ndër të fortët e lagjes, kishte kontribuar në ndërrimin e pushteteve, socialistët nuk i shikonte dot me sy. E kisha patur ushtar në një repart ndihme për bazën e aviacionit në fund të pistës së aeroportit “Nënë Tereza”. Për shkathtësi, s’gjëje të dytë. Mbasi përfundoi kursin e telegrafisë, e vura centralist, kryente dhe detyrën e fillrojtësit. Linjat telefonike ishin ajrore, këputeshin sa herë bënte furtunë, fijet e telave mplekseshin dhe bisedat bëheshin lesheli. Zikua ua kishte marrë dorën, i ndreqte shpejt.

Për një periudhë defektet u shpeshtuan dhe u bënë shqetësim për bazën ajrore. Nga zanati s’dija, kisha shkuar për të kryer stazhin. Një profesionist më tha: “defektet mund t’i provokojë vetë topashi, këtë nofkë i kishin ngjitur Zikos ngaqë luante portjer dhe hante shumë gola. Më të shumtat e rasteve, ndodhnin në orët e pasditës. Zikua s’përtonte, edhe nëse kishte turnin e gjumit. E vura në vëzhgim dhe e kapa në flagrance. Ishte njohur me një gjimnaziste dhe e priste kur kthehej nga shkolla. Nuk e bëra të gjatë, e thirra në zyrë dhe i hoqa veshin. Nëse e denoncoja, bëhej miza buall dhe i hante ca vite burg si sabotator i gatishmërisë.

Pasi u lirua nga ushtria, qe e para herë që e takoja. Sa më pa, më thirri nga larg : “O komandant, ku je o flori.” Shënd e gaz nga fytyra, i qeshnin dhe leshrat. E pashë që ishte në qejf. Më ktheu te një restorant. Nuk m’u bind, unë i kërkova vetëm një kafe. “ç’kafe o komandant, do pimë një pllëckë o tu mbylltë, se na ka marrë malli.” E kishte qejf dialektin korçar, megjithse lindur e rritur në Tiranë. Pllëckë i thoshte kanës me verë, dy kilshe, që servirnin në restorant. Ma dinte huqin. Të jam mirënjohës më tha, më shpëtove nga burgu. Jo, i thashë, ti s’ishe për atë derë. – E ç’thua bre, atëhere pillte dhe mushka, po ti ishe flori, nuk na shite. Biseda rrodhi natyrshëm dhe vazhduam me humor. Më shumë foli ai për aventurat rinore që kishte bërë. -Të punonte mendja ndryshe nga të tjerët, i thashë, e sheh sot, iu fute tregëtisë, njeriu me ide s’del i humbur.”

Kishte filluar te tregu ushqimor me shokun e ngushtë. E nisën me çanta, bënë lekë dhe blenë një furgon, e mbushnin me mall dhe e përdornin si dyqan. Fillimisht shitën vetë, më pas donin ndonjë të besuar. - Nuk duam të ngatërrohemi me tanët, më tha. As ai, as unë. Ti je adapt, të njoh mirë. Ju ushtarakët, jeni me kryq në ballë. Hezitova nëse e bëja. Do ta mësoj unë më tha, hajde nesër dhe shikomë. Ashtu bëra. Ia mora dorën shpejt. Shisja dhe fitoja. Plus rrogës, më mbeteshin dhe bishtra. Shisja me shumicë e pakicë, jo vetëm vaj por dhe çikërrima, mbi njëzet artikuj. Të pakicës i mbaja më shtrenjtë dhe lekët i ndaja nga togu, në një kavanoz qelqi. Kur bëmë bilancin e ditës së parë, Zikua u habit, ishin mbledhur goxha. “As për këto nuk ditke, o komandant, ka në dorë e nëndorë zanati”. E kishte fjalën për shitjet e “pakicës”, që ia numërova qindarkë për qindarkë.

***

Atë pasdite, kur erdhi të merrte fugonin, e kuptoi që s’isha në terezi. S’e bëra të gjatë, i thashë ç’më kishte ndodhur. -Mirë bëre, më tha, kur të ndodh kështu, mos bëj sherr, merr mallin dhe jepi lekët. Nuk dija ç’t’i thoshja. Që kishte kleçkë, kishte! Vendosa t’ia them troç: “Ti më njeh…. s’më mban vëndi…. nëse e keni praktikë, hiqni dorë. Me ushqime s’bëhet shaka” S’më la të mbaroja, me sytë përdhe bëri të paditurin: “Zagari… prandaj ma jep më lirë se të tjerët” nuk e zgjata, ajo lojë bëhej, tregëtarët, ia futnin njeri-tjetrit, mileti mpinte dhëmbët.

Të nesërmen nuk vajta dhe nuk u pamë. Më pas ika në emigrim e për të s’kisha informacion. Këtë verë qe erdha me pushime, më pëlqeu një dyqan veshjesh në qëndër dhe u futa. Më tërhoqi një këmishë dhe po e kundroja nga afër i befasuar nga çmimi i lirë. Shitësja më përshëndeti me një përkulje të lehtë të kokës dhe buzagas, me një zë të kthjelltë e të butë më pyeti -Do ta bleni? -Po shoh njëherë, i thashë. E pa që iu sevdallesha dhe m’u afrua me sytë prush - provoje, ja dhoma, është firmato dhe s’e gjen kund me këtë çmim. Pa pritur përgjigje e hoqi nga varësja dhe ma qasi tek pasqyra për t’më treguar ç’kombinohej me pantallonat që kisha veshur. I kapte imtësitë si rrobaqepse klasi. “Po kjo ç’mu qepë me bukë në trastë, o merre o s’ka.” Nuk i vura më shumë se pesëdhjetat, me një qeshje të hareshme që të zinte në befasi, sytë e mi mundeshin sa herë ajo vinte buzën në gas, s’ia ktheja dot mirësinë me buzëqeshjen time të rrudhur. U binda që më rrinte mirë po derisa nuk e bleja, e kushtëzova për ta zënë ngushtë: -Po të bëni ulje mund ta marr- i bindur se do të qe e pamundur, njësoj sikur ta bleja falas. Prit një minutë më tha. Mori dikë në telefon dhe për pak më befasoi dalja e Ziko Shtëllungës përpara. U gëzuam që i kishim shpëtuar harresës edhe pas njëzet e ca vitesh. Thashë se e harroi këmishën për t’i mbajtur këmbët në ndonjë kafene por Zikua e mori shtruar. Shitësja, qënkesh gruaja e tij. Nuk e di pse m’u qasë ndjesia e të zënit në faj dhe falenderova veten që isha vetëpërmbajtur, pa i dhënë fantazisë komplimenta të tepërta sepse çdo mashkull mund të gënjehej nga ca thërrime dashamirësie të saj.

-Këtij jepja me 50 përqind zbritje- i tha të shoqes dhe më shkeli syrin, - ma ka lënë kaparin, kur s’lihej, ndërkohë më qarkoi krahun, për të dalë. Për dreq mu kujtua blerësi që më ktheu arkat e vajit dhe shfryrja e zemërimit të tij: “zagari, prandaj ma jep më lirë se të tjerët”. U luta në heshtje që t’mos më dilte ndonjë kleçkë si atëherë por gjithsesi u qetësova se nuk qe produkt ushqimor t’më rrezikonte jetën.