Krijimtari

Mosha - Nga Kristaq Turtulli

Një thinjë, dy, njëqind, njëmijë,

Të shihja doja, çunakun kur luante me cingla,

Ajri e treti frymën e çiltër të fëmijërisë,

Pëllumb i bardhë i nënës u bë puthja.

Në pyllin e jetës ra bryma e parë,

E ëmbla guguftu, humbi në ahishta,

Herë më bëhej flutur dhe, herë thëllëzë,

Dhe tok me të rinia, e bukura e brishta.

Pishat e rralla u mbuluan nga bora e rëndë.

Grindet hëna, numëron yjet me gishta,

Rrjedh mosha, mbijeton në detin me dallgë.

Në nënkresë të memories më cytin kujtimet e trishta...