Krijimtari

Parada - Tregim nga Faruk Myrtaj

Ai ishte gjykatës. Diplomuar diku në Europën Qendrore. Tërë jetës më pastaj kujtonte se, mbrëmjeve të atjeshme, duke dëgjuar muzikë, mbyllte sytë e ëndërronte që edhe vendi i tij, më në Jug, të bëhej e të ngrihej me ligje.

Me fat që shërbeu për Republikën e Lushnjës, pastaj u thirr të bënte në mungesë gjyqet e të ikurve bashkë me Qershorin, më pas të atyre që ikën me shirat e Dhjetorit, por ai e quante veten me fat që arriti t’u mbetej sa mundi korrekt atyre ç’kishte mësuar, deri në fund të Luftës së Dytë.

Sidomos në paqen pas kësaj gjakderdhjeje, kur vuri re se kudo në Europë, fituesit dhe humbësit iu gëzuan fundit të masakres, besoi se kështu do ndodhte edhe në vendin e tij: do thirrej që të mund t’i shërbente ligjit.

“Të Hënën, pas Paradës së Madhe, që mbahet të Dielën, hapet Gjykata”, - i tha njëri nga Fituesit e Luftës.

“Atëherë shihemi të Hënën”, - tha ai.

“Më parë është e Diela!” - e kujtoi tjetri. “Në Paradë duhet të vishemi si për festë. Në Tribunë do ngjitet Qeveria e Re...”

“Ne jemi gjyqtarë, s’na lejohet të nderojmë publikisht zyrtarët që, nesër-pasnesër, mund të jenë të pandehurit tanë.”

Tjetri mbase nuk e dëgjoi. Mbase e dëgjoi, por nuk e kuptoi o, mbase e dëgjoi, por e kuptoi krejt tjetër...

Atë të shtunë pasdite, vonë, e arrestuan, por të hënën i dëgjoi, prej kthinës ku ishte izoluar, marshet e fanfarës së Paradës.

Me hapjen e Gjykatës, të Hënën, ia artikuluan akuzën: aludime të liga ndaj pushtetit të ri, prova të mjafta këto edhe t'ja nxirrnin të pavlershme diplomën.

Kur doli nga burgu, vite më pas, mori vesh se ia kishin hequr të drejtën për pension pleqërie, për shkak se ishte dënuar me heqje lirie pikërisht kur të tjerët e kishin fituar lirinë.

Megjithatë, deri në fund të jetës, vazhdoi të dëgjonte muzikë klasike, si të viteve studentore. Teksa dëgjonte muzikë, mbyllte sytë dhe ëndërronte si dikur.

Ndërroi jetë me bindjen e palëkundur se çfarë ëndërrohet s’mund të mos ndodhë.