Për kë bien kovat? - Nga Artan Gjyzel Hasani
vrasim njëri tjetrin me raketa
pozojmë me koka të prera
selfie
belfie
pelfie
shesim drogë dhe blejmë armë
për të mbjellë lule tymi
në mushkëritë e ndërgjegjes
së atyre që do mbeten gjallë...
kërcejmë ndopak hip hop
ia hipim njëri tjetrin vetet
ndërsa hijet bëjnë sehir aktin e parë
kur aktori shndrrohet në spektator...
pastaj në shenjë proteste
zhvishemi lakuriq shesheve,
për të shpëtuar kastorë e balena
dhe qershia mbi tortë
nuk qënka Big Brother
por kovat plot me akull…
por një kovë akull mund ta ndryshojë botën,
veç kur hidhet në kokën e duhur…
hiq dorë nga iluzionet,
o njeri i turmës gazmore!
ta dhanë kovën e akullit ndër duar
të ftuan edhe ty
që të mos ketë më kush të dëshmojë..
"eja dhe ti në skenë", të thanë
"ndjehu i lirë të bësh si ne
bëhu si ne edhe ti për pak çaste
kur vetes ia lejojmë të jemi një prej jush!"
dhe ky është akti i fundit i komedisë
metamorfoza
jo e njeriut në insekt,
por shndërrimi i spektatorit në palaço...
(nga "OVAL", 2016)



