Krijimtari

Nata e vajzave - Tregim nga Faruk Myrtaj

Gjithnjë është thënë se luftrat janë e keqe e madhe, por tashmë jemi mësuar me to. Prej tyre duket se vijnë edhe pasoja të mira, përderisa njerëzimi nuk rri dot pa to. Kemi shpëtuar nga luftrat botërore duke sajuar herë-pas-here luftra të vockla, lokale, mbase me të njëjtën logjikë që hapim shtëpi publike për të shmangur prostitucionin.

Sekush zuri ngoje diferencën në kulturën e të dashuruarit dhe, si ta mezi-kishin pritur këtë përmendjeje, në Tv-të e faqet e para të gazetave u shfaq rreziku i një lufte. Nuk u pa të nevojshme të hyhej në detaje, për shembull, të bënte publik të vërtetën se në Kolonë s’e dinte kush termin kulturë të dashuruari. As fjalën dashuri nuk e zinte ngoje kush. Edhe nëse shkohej ndërmend.

Kolonasit bënin jetën që u kishte rënë në hise, pjesë e natyrës. S’dinin fare ç’bëhej përtej maleve. Asnjë gazetë e huaj nuk hynte aty dhe, po të organizohej ndonjë nga sondazhet që rëndom mbaheshin atje përtej, Kolonasit do pohonin se nuk e ndjenin mungesën e tyre. Ata rrëmihnin, mbillnin e vilnin tokën, u gëzoheshin frutave të pemëve, siguronin drutë e dimrit, gjuanin shpezët e kafshët në pyjet që nisnin pranë shtëpive të tyre, të cilat i mbushnin me fëmijë. Në këmbët e Kolonës rridhte një lumë që s’dihej nga buronte dhe në cilin det shkonte të derdhej. Bota e tyre i kishte kufijtë atje ku arrinte syri dhe horizonti pritej nga kurrizet e maleve. Jeta aty kjo kishte qenë. Aty s’vinte asnjë rrugë ku mund të shkelte ndonjë makinë, as edhe lufte. E vetmja gjë që lëvizte në sy të tyre ishte lumi.

Kolonasit u gdhinë të habitur atë mëngjes. Në bregun matanë të lumit, ku niste lëndina e vogël me diell më shumë se kudo, u shfaqën tri radhë çadrash gri. Gjatë natës, u pa të digjen zjarre të mëdhenj. Vendasit do çapëlenin sytë po të dëgjonin si përflitej në pjesën tjetër të botës ardhja e kësaj ushtrie aty. Do ngrinin supet, po të dëgjonin për luftën që thuhej se kishte nisur aty. Pa mend do mbeteshin, po të dëgjonin se diku andej qenë shqetësuar për kulturën e dashurisë së tyre. Gratë do ngjetheshin nga rrëfimet për gratë andej. “Të lira, deri në dëshirën e tyre më të fundit”? “E gëzojnë jetën në mënyrën e tyre”?! “Me pëlqimin e vet jepen, pa detyrim, kur ua do qejfi”? Mjerë burrat e tyre! Po ç’burra, kur s’dilnin zot për gratë e tyre?! Mos e prish o Zot, s’ka si në Kolonë!

Edhe këto farë lajmesh do fillonin të vinin, me shfaqjen e çadrat të ushtrisë në breglumë? I sillte lufta? Apo ato sillnin luftën?

Burrat e Kolonës nuk donin t’ja dinin fare për këto muhabete. As për t’i dëgjuar. Kurrën e kurrës për t’i pranuar. Aq më pak në sy të grave e vajzave të tyre. Në Kolonë të gjithë dëgjonin me veshët e burrave dhe mendonin me trurin e tyre. Ishin ndarë prej fillimit gjërat. Nderi i shtëpisë strehohej te gruaja, si kështjellë që ruhej nga burri.

E vetmja kohë ndryshe për femrën në Kolonë ishte fundjava e mbrame para se bëhet nuse. Ato dy a tri ditë tek dera e babait dhe atje ku shkonte, femra respektohej si dërgesë e shenjtë, por pa e zënë ngoje këtë fjalë. Ato ditë bëhej gjithçka për shpalljen me ç’mund edhe të bukurisë së saj. Ishin ditët kur askush s’e merrte për keq kujdesin e vajzave për bukurinë e tyre. Sidomos të Shtunave mbrëma, duke u gdhirë të Dielat. 24 Orësh që njihej si “Nata e Vajzave”.

Më vonë do të vërehej ngjashmëria, sado e brishtë e këtyre orëve kur vajzat e Kolonës shëmbëllenin si-do-si me femrat e matanë-maleve. E vetmja kohë kur në Kolonë nuk e shprehnin frikën nga bukuria e femrës. Vetëm gjatë Natës së Vajzave ata vinin re hiret e vajzave të tyre, pothuaj mburreshin me to. Dhe, për më tepër, bënin ç’mund që kjo bukuri të shkonte sa më dukshëm dhe sa më e plotë tek shtëpia e krushkut dhe gjer atje brenda te oda e fshehtë e dhëndërrit. Velloja e bardhë, e fundmja gjë që hidhej mbi shtatin e saj të bërë gati për tu gëzuar vetëm nga burri. Megjithatë, as këtyre orëve të Ditë-Natës së Vajzave, në Kolonë nuk bëhej fjalë për “kulturë dashurie”, që tashmë radiot e televizionet e rrëfenin si shkak përplasje dhe qëllim ndryshimi. Mos o Zot!

Pas atij 24 orëshi, vajzat shndërroheshin në nuse, tërë femrat e Kolonës e dinin se për vite të gjata u duhet të bënin gruan dhe, më tej- deri në fund të jetëve, përgjithnjë nënën. Sa më shpejt të pillnin, të rrisin fëmijët, sa më shpejt t’u ikte bukuria, t’u rreshkej e t’u rrudhosej fytyra e balli dhe të gërmuqen paksa, sa më shpejt…të provojnë se janë kolonase të vërteta.

Burrat e Kolonës e dëshmojnë pa fjalë këtë procesion jete. Njëlloj si diellin në qiell, nga mëngjesi në mug. Ndjejnë lodhjen e grave, sidomos mbrëmjeve, kur të shkretat as orën e vetmisë me ta s’kanë fuqi ta gëzojnë. Venë kokën në jastëk dhe i jepen gjumit më shpejt se burrave të vet në krevatet e kujdesur. Eshtrat e duarve dhe ato të shpinës, u çajnë, u dhembin nga lodhja, pëllëmbët e duarve u janë ashpëruar, gjer edhe fytyra. Sikur nuk kanë qenë kurrë ato fiksuar në fotografitë e vetme të Ditë-Natës së Vajzave. Por s’kanë nge e as u falet të trishtohen, përkundrazi gëzohen, që vjen një kohë kur mezi dallohen prej burrave të tyre...

Kështu ka qenë gjithnjë në Kolonë. Nuk e shkojnë ndërmend ta zgjasin Natë-Ditën e Vajzave, as edhe me një tjetër njëzetë e katër orësh. Tërë ato rroba, ato ngjyra bojarësh për buzët e faqet, gjerdanët e byzylykët hiqen në orën e ditës së caktuar, me to mbaron Ditë-Nata e Vajzave të bëra nuse dhe mbyllen në ca baule të qëmotshme gjyshesh. Zor shkohet ndërmend t’i përdorin më. Megjithatë, si tërë stolitë, si armët e burrave, kujdesen e mbahen pastër, që t’u rrëfehen më pas kunatave e krushkave, më vonë vajzave e mbesave, që do të lindeshin e do të lindnin për të përshkuar të njëjtën udhë në jetë, si dielli mbi Kolonë. Vetë Kolona shëmbëllen si shtëpi pa dritare. Nuk vështron ç’bëhet përqark. “Përqark”, s’ka tjetër kuptim veç atë të pyjeve pafund, maleve të pakapërcyeshëm, lumit që merrte me vete hedhurinat e vendasve e kushedi ku i nxirrte.

&

Ushtria e huaj kishte ardhur natën, duke u gdhirë. Në mëngjes ishin gratë e Kolonës ato që vunë re, përtej çadrave të kampit të ushtarëve të huaj, përqark tyre, ca fije telash zgjatur, lidhur në trungje drurësh. Në telat, nderur rroba. Rroba të bardha, çarçafë të bardhë, të sa-larë...

“Kanë sjellë edhe gra, moj qyqeni!” i pëshpëritën tek çezma njera-tjetrës.

Nuk ua thanë burrave. As merrej me mend të ndodhte kjo!

Bota Andej, Bota pa Kolonën, duke parë në ekrane çarçafët e bardhë nderur, bëhej kështu me dije se vendasit më në fund po ngrinin flamujt e bardhë. Gjithnjë sipas kronikave televizive, zjarret e kazanëve në kamp dhe ata të djegies të të lashtave nëpër rriponjat e kodrave, e patën krijuar ndërkaq idenë e rezistencës së Kolonasve, që tashmë ishte duke shterur.

Të ardhurit atje poshtë kishin punën e tyre, teksa burrat e gratë e Kolonës vazhdonin të punonin e mbillnin tokat, prisnin dru, kujdeseshin për gjënë e gjallë, ktheheshin në shtëpitë e tyre, prisnin sa errej dhe binin të flinin.

Fëmijët e tyre, megjithatë, zbritën deri pranë çadrave. Të huajt u dhuruan lodra, pastaj ca rroba, më në fund ca gazeta e revista me ngjyra. Në faqet e tyre dukeshin pallate të mëdha, rrugë të gjera, vargu i makinave si i milingonave, rroba e veshje të shumta e të ndryshme që ah, vajzat e Kolonës nuk i kishin ëndërruar as për Natën e Vajzave…! Në fotografitë e revistave dukeshin femra me lëkurë të shndritshme, veç sythin e gjinjve mbanin mbuluar, si majëmalet e Kolonës skalpin e tyre ku nuk shkrinte dëbora kurrë. Syri i Kolonasve pafajshëm zbriste më poshtë, tek këmbët e atyre bukurosheve, edhe këto zbuluar aq sa s’merrej me mend çfarë hiqnin në orën që shkonin me burrat e tyre që s’dukeshin kurrkund në ato fotografi revistash, si të ishin të panevojshëm për to…

Veç pak ditë më vonë, nëpërmjet fëmijëve që venin e vinin, të ardhurit përcollën dëshirën për të vizituar Kolonën. Ata bënë të ditur se sigurisht do të vinin pa armë. Për aq sa mbahej mend, në Kolonë lufta ishte pritur pa pushim, por kurrë nuk kishte ndodhur. Dukej se nuk do të ndodhte as kësaj here.

&

Ditën e ardhjes së Të Huajve zgjimi u bë herët. Të tërë dolën në ballkonet, sofatë e ledhet e shtëpive, për të bërë sehir.

“Ja edhe ato...”, pëshpëritën gratë e Kolonës për Të Huajat.

Shtatlarta, të bardha, të qeshura, derdhnin dritë. U zbardhën rrugët e fshatit. A thua rrëzohej një si borë e shkrifët, e pluhurt, si miell që shkundej prej rrobave. Lindte muzikë prej lëvizjes së tyre? Prej çapit që hedhin? Se si përshëndesnin, me duart e lehta, pa asnjë rrudhë në fytyrat, pa asnjë vrajë në ballë...Se ç’thoshin me njëra-tjetrën, për Kolonasit apo gratë e tyre? Mbase për të dy bashkë.

Vendasit rrinin e vështronin. Pak nervozë, mbase jo bezdi, por endè s’kishte ngritje dore, përshëndetje. Si të mos e vinin re këtë bosh midis, gratë e huaja, mbretëresha të bardha në të gjelbër, i gëzoheshin afërsisë me vendasit. S’e fshihnin dëshirën të afroheshin edhe më. S’lanë rrugë pa shkelur, qëmtuan monopatet e udhëzat për t’u gjendur sa më pranë kullave, rrugicat midis shtëpive.

Ecejaka e tyre do ishte e pafund, kur më plaku i Kolonës i ftoi të huajat që u ndodhën pranë shtëpisë së tij të hynin aty. Në çastin tjetër, tërë kolonasit bënë të njëjtën gjë, si të mezi-kishin-pritur gjestin e të moshuarit të tyre. Asnjeri nuk shkoi ndërmend se ky ishte çasti kur bota do njoftohej që lufta e adresuar në trojet e tyre kishte përfunduar. Sipas atyre lajmeve, siç edhe kishte ardhur, paevitueshëm, historikisht e pashmangshme, përballje midis kulturave të dashurisë, edhe kjo luftë lokale ishte shuar duke imponuar edhe aty paqen.

&

Një gazetare televizioni të huaj, në kronikën direkte nga brenda njerës prej shtëpive në Kolonë, nisi të shpjegonte hollësisht termin “Nata e Vajzave”, që as si fjalë as si përmbajtje dukej sikur s’kishte pikën e lidhjes me luftën që nisi të trumbetohej si e fituar. Tingëllonte më shumë si ndonjë kuriozitet jetësh të njerëzimit të hershëm.

Më në fund gazetarja e reshti fjalën, mori frymë thellë e pasigurt në përshtypjen te shikues i kanalit për të cilin punonte.

“Eh, ne s’gëzojmë më për gjëra të tilla, të vjetra. Na duken gjëra të vjetërsuara. Tek ne s’ka më vajza si këtu dhe s’ka si të ketë Natë Vajzash... Madje tek ne, ka kohë, duket se është e kotë të mbetesh vajzë...”, shkroi në ditarin e asaj dite. Qeshi me vete, teksa drejtuesi i emisionit në lidhjen direkt e prezantoi edhe në mbyllje si “gazetare lufte”. Sigurisht bëri mirë që këto rreshta ditari s’e pa të udhës t’ia përcillte edhe ekranit. Duke menduar edhe më tej kështu, shtoi edhe më në mbresat aty. “Liria e Madhe e ka edhe ajo një pjesë prej vesi. E kufizon aq shumë robërinë, i vogëlon aq shumë privimet, sa pa e kuptuar na shndërrohet në mungesë. Ngaqë asgjë nuk zhduket në këtë botë, vet liria prodhon anti-trupa, trajta të reja të pa-lirisë...Si i bëhet...?!”

Kronika që përcolli me figurë ishte marrë në njerën nga shtëpitë. Në atë më të vetmuarën kullë, mbi një breg dheu të bardhë, ku gazetares i ndodhi të hynte e vetme. Ajo e ndjeu menjëherë se i zoti i shtëpisë ishte ndjerë pak ngushtë, nuk diti ç’të bënte, tek pa të huajën që ndodhi të drejtohej për në shtëpinë e tij, të pa shoqëruar me askënd prej të sajëve. I uroi mirëseardhjen, megjithatë, fillimisht tek porta e oborrit, pastaj edhe tek pragu i shtëpisë dhe, për së treti, kur e huaja hyri në odën e miqve. Ndjehej i qetë, sido si, gjatë gjithë kësaj mirëseardhjeje, një hap pas burrit, zhvendosej gruaja e tij.

E huaja iu binda shenjave të njerëzve të shtëpisë, zuri vend në njerin nga divanet dhe kollajshëm ftoi zonjën e shtëpisë t’i ulej pranë.

Burri ndenji vetëm pak çaste në dhomën që tashmë kundërmonte aromë femre ndryshe. E la të huajën të rrinte në shoqërinë e gruas e fëmijëve të tij. Doli dhe u ulë atje jashtë, te sofaja me pamje nga lumi. Po buzëqeshte me vete, duke tundur kokën, si i zënë në një faj të çuditshëm: për herë të parë ishte duke vrarë mendjen për llojet e grave të kësaj bote.

“Kjo dreq tollovitje, kështu!”, ia bëri me vete.

Hodhi një sy përqark, gjithandej në rrugët e sokakët ndjehej, dukej e kumbonte një si lëvizje e ethshme, ritmin e së cilës tërë Kolona e vuante si një i sakatosur i ftuar në valle rioshwsh pothuaj të dehur.

U ngrit, s’kishte kuptim të rrinte aty, hyri në koridor, pastaj deri tek dera e dhomës ku dihej se ishte tashmë edhe një femër, e huaj, por nuk guxoi të hynte aty. Pa kuptuar përse, ndjeu një kureshtje gërryese për të dëgjuar bisedën e gruas së tij me të huajën që qenkej gazetare. Dinte edhe prej gjuhës së tyre. Vuri veshin tek brima e çelësit të dhomës, i ndjerë në faj, ndonëse tërësisht i dëlirë. S’kishte pikën e lidhjes me atë që tjetër herë mund të quhej përgjim. Desh të dëgjonte zërin e së shoqes në bisedë me të huajën. Vetëm kaq.

Bëhej i tëri sy e vesh kur fliste e huaja. Edhe zërin, ajo djallushe, e kishte të lirshëm, si trupin, fjalën e nxirrte siç hidhte hapin, pa asnjë drojtje...Eh, po kjo pikë e zezë kështu!

Duke përgjuar më shumë veten se zërat andej, as që i ndjeu hapat nga brenda dhomës.

Gruaja hapi derën dhe u trondit, e zënë edhe ajo në befasi, thuajse klithën nga pak të dy, sa nuk përplasën kokat me njeri-tjetrin. Mbetën për një çast të ngrirë. Asaj nuk i erdhi mirë për veten, por as keq për të shoqin. E ç’kishin gratë në Kolonë për tu përgjuar?! As edhe një gjë të vetme! Se, dihej, secila prej tyre përgjonte veten. Nëse vinte puna të përgjoheshe nga burri në Kolonë, për gruan kishte mbërritur vdekja.

Qeshën të dy, si për ta harruar menjëherë këtë çast, ai i preku lehtë flokët dhe ajo, e përskuqur lehtë në fytyrë, iu lut atij të rrinte ai, pak, atje brenda. Sa ajo të përgatiste diçka për të ftuarën. I shoqi iu bind, hyri, u ulë përballë së huajës, me shpresë që e shoqja të kthehej shpejt, sa më shpejt…në çastin tjetër ndjeu vonesën. E shoqja duhej të ishte kthyer, një shekull i u duk vonesa e saj, më në fund edhe shekulli ia le vendin tjetrit. Gruaja erdhi, hutuar, me faqe që digjeshin në zjarrmi të pashkak, që atij-të shoqit, pra, kujt tjetër- i ngjau si e mbetur prej Natës së Vajzave...

Ishte skuqur edhe ai, i tëri. Si në një furrë ku piqeshin bukë.

Gruaja po ngulmonte në qerasjen për të huajën dhe ai gjeti rast për të dalë. Në korridor mori frymë. Thellë, me tërë shpirt.

“O Zot...ç’është kjo? Ti na e dërgove këtë? Dhuratë a...çfarë?”

E shoqja s’vonoi të dilte. E pa të shoqin në korridor. Vente e vinte, sikur pas pak do binte në gjunjë e do rrëfehej.

“Ç’ ke kështu ti?!” pyeti gruaja. Si duke pëshpëritur.

“Nuk rri dot aty brenda...!”

“Është zonjë...” tha e shoqja. Si për ta trullosur deri në fund.

“Për të zotin e vet...” arriti të thoshte ai.

“Unë thashë është e bukur, s’fola për zotin e saj...” Foli rrëmbyeshëm. I merrej fryma si pas një vrapimi të gjatë. Asnjeri nuk nxitonte për tu kthyer brenda.

Ai po e ndiqte me sy. Ia dëgjoi fjalët, duke menduar tjetër gjë. Prej sa kohësh nuk e kishte vështruar fytyrën e gruas? Edhe fjalët e saj, se si iu dukën kësaj dite. Nuk e kishte dëgjuar zërin e saj kështu? Kurrë?!

Po, kurrë s’kishin folur për gjëra të tilla. Për gra të tjera. As për bukurinë e saj. Prej kur kishte qenë vajzë, prej natës që ishte bërë nuse për të. As atëherë ajo s’kishte pritur që i shoqi t’i thoshte, qoftë edhe pa vërtetë, që ajo kishte dalë më e bukura e nuseve të asaj fundjave.

“E mbajnë veten...”, tha ajo.

Ai po e vështronte. Nuk donte të ndjehej i befasuar.

Tani që kishte hyrë në shtëpinë e tyre bukuria e një gruaje tjetër, e një gruaje të huaj, po flisnin edhe ata për bukurinë.

Ajo, e huaja, vazhdonte të ishte atje brenda. Me fëmijët. Në shtëpinë e tyre. Ata të dy, zot e zonjë shtëpie, rrinin aty, në korridor. E ndjenin vonesën për tu kthyer te ajo, por s’ishin në gjendje për ta shkurtuar atë. Si të dëbuar prej strehës së vet, edhe pse s’kishte asnjë shenjë përzënieje, asnjë gjurmë dhune...Por Ajo, e huaja, dukej si kishte okupuar njërën dhomë të kësaj shtëpie.

“Mos u bëj budallaqe, shko dhe rri me të!” për pak sa urdhëroi.

Jo, nuk po e urdhëronte. Më shumë po lutej. Po i lutej gruas së tij, Edhe ajo e vuri re këtë ndryshim. Nuk u ndjej mirë që burri i saj t’i drejtohej në këtë mënyrë.

“S’mundem...Më duket sikur...Eja hymë bashkë...”

Ai u ndje më keq. Jo vetëm i hutuar. I ishte errur vështrimi, i uturonin veshët. Ndjehej i prekur. Edhe në sedër. Kurrë nuk i ishte përgjëruar gruas. Si gjithë burrat e Kolonës, pra, edhe pse i donin gratë e tyre. Edhe kur i ndëshkonin, edhe kur u kërkonin bindje pa kusht, edhe kur ua nxinin jetën, edhe kur…, gjithnjë i donin, si në çastet e shkurtër kur binin në shtrat, në të njëjtin kurth, dhe bashkonin trupin me shpirtin e tyre...

“Hajde pra, hyrë! Të kam...ty…unë!”

Kurrë s’i ishin thënë fjalë të tilla. Asnjë gruaje në Kolonë, deri atë ditë. Po ndodhte vetëm ditën e ardhjes së femrave të huaja. Për shkak të bukurisë së atyre grave, Kolona ndjehej e shprehej ndryshe.

Që andej brenda, vinte zëri i shpenguar, e qeshura e shlirshme e së huajës. Luante dhe gëzonte me fëmijët e tyre.

“Më lehtë do ta kishim pasur me Të Huajt sikur të kishin kërkuar të hynin me armë...”, po thoshte me vete Kolonasi.

Që të mos turpëroheshin në sy të botës, nuk i lut më gruas. Priu për të hyrë. Në shtëpinë e tyre, por tendosur, si në një fushë beteje të vërtetë. Gruaja e ndoqi pas. Më shumë se çdo herë tjetër dele. As ajo nuk dëshiroi të ishte e vetme përballë me femrën që i priste brenda. Ndjente nevojë praninë e një burri. Aq më mirë që ishte burri i saj, si tërë burrat e Kolonës, i thatë prej etjes së shkëmbinjve, qenie lindur e rritur në natyrë, i fuqishëm. Ç’tjetër mund të kërkohej prej tyre? Tjetër gjë u kërkohet grave...

Bluante për herë të parë me mendje të tillë. Për shkak të së huajës. Ndjehej dëshiruar që femra tjetër, E Huaja, t’ia shihte të shoqin si mashkull?! Në rrekje të dallonte o të tërhiqte vëmendjen e tjetrës, zbuloi tek i shoqi tipare që, a thua, sapo ishin krijuar në këto pak orë të kësaj dite të marrosur?!

“Ne gratë e Kolonës s’jemi dot si ju, por kemi burrat!”, thoshte pamja, sytë e buzët e nxehta, me vështrim nga i shoqi.

E huaja i vështroi edhe ajo duke qeshur, por I lehtësoi teksa zgjodhi të fliste për fëmijët e tyre.

“Janë si engjëj! Të dy kanë hijen e babait!” tha.

“...që t’i marrësh të ligat!”, shkoi nëpërgojë gruaja e shtëpisë. Krejt e krejt tjetër nga çfarë kishte menduar pak më parë.

Mos o Zot, kurrë s’e bëri zëshëm. Luftrat nisin mes grave, burrat vriten dhe as gratë nuk fitojnë.

I shoqi u ngrit, një lëvizje e pakuptimtë dore u end në ajër teksa madhoi hapin. Sikur po i çahej koka nga lukunia e keqkuptimeve të mundshme, kraharori i gjëmonte si kambanë e shurdhër, sytë duhej t’i flakëronin, por arriti dhe e gjeti derën.

Nuk iu ndenj në koridor. Doli në ballkon. Pa asnjë shkak, u ndje i pa fat. Hodhi një vështrim të fluturimtë mbi Kolonë. Iu duk se kishte marrë zjarr e tëra. Si shtëpia e tij. Duket se askush nuk e vinte re zjarrin. Askush nuk kërkonte ndihmë…

Ndjeu hapat e gruas, mund t’ia lehtësonte boshin e shfaqur befasisht, por nxitoi t’i ikte afërsisë. U drejtua për nga pjesa e prapme e shtëpisë, si për t’ju shmangur syve të saj. Të dy ndjeheshin më mirë së largu. Përderisa ajo tjetra ishte aty. Gruaja e arriti, ai ndjeu dorën e saj që i rrëshqiti tek parakrahu. Përpara ardhjes së të huajës, do të kishte sjellë furtunë ky gjest.

“Gratë e Kolonës sonte ndjehen në faj...”

Këto fjalë, që mbase i pëshpëriti ajo, dukej se endeshin kudo në ajrin e Kolonës.

Ai tërhoqi derën, jo doemos për ta mbyllur deri në fund, e mori për krahu gruan dhe, si me një përdhunë të ëmbël, bëri bashkë me të për nga dhoma e gjumit. Në rast tjetër do ta ndëshkonte gruan. Ose do të bënte mashkullin me të...

Nuk kishte pikën e energjisë për të përsëritur veten e deriatëhershëm. Tek e ndara prapa shtëpisë, aty ku vareshin vargjet e duhanit të shkuar në spango, ndjeu dëshirën për të zgjatur dorën drejt flokëve të saj. Kështu mund të fillonte edhe ndëshkimi, por kësaj radhe ndjeu joshjen e afrimit të trupit. E ftoi veten t’i kërkonte buzët, t’i shihte fytyrën. Gruas së vet.

Ishte aq mug sa syri mund të shikonte vetëm duke ndjerë. Dhe ishte aq e pamundur të mos shikoje dhe ndjeje veten…deri në skutat më të fshehta e kurrë të rrëfyera.

“E ç’faj na kanë neve të gjorave, ato?”

Si për ta bërë më të lehtë monologun, ajo kishte folur në shumës. Për gjithë gratë e Kolonës.

“Mirë de mirë, po përse u ndjeve ngushtë…edhe ti?”

E mori përqafe gruan. Si ta kishte motër. Motër të pafat, përdersa fati e kishte sjellë tek ai. Më tej ngaqë, si e pafat e tij, i ishte dashur të shkonte jetën me të, këtu...

“...edhe mua më vjen keq...”

“...?” pyeti ai.

“Është aq e bukur...më vjen keq...”

“...?!”

Eh, kjo grua...Gruaja e tij.

Sikur po ndryshohej, po zbulohej shpejtazi, si krejt e panjohur, edhe pse aty kishte qenë një jetë të tërë. Po i bëhej më e bukur, në sytë e tij, në duart e tij. S’ishte se po lindej prej mungesës. Bukuri e hershme, që shfaqej rishtazi. Rastësi që ndodhte në prani bukurie. Aty kishte qenë, fshehur diku, së paku prej Natës së Vajzave, mbetur strukur, e pa cenuar. Neglizhuar nga mëria e paqëllimtë e jetës së vrazhdët. Prej burrave e maleve të pandryshueshëm...

Do të mbytej në lotë, ai burrë, në ngashërime gruaje do të shkërmoqej e do shkrihej, sikur të arrinte të zbulonte se në këto çaste gruaja po i lutej në heshtje Zotit të Madh t’a falte zotin e saj, të shtëpisë.

“Nëse sonte ka ndërmend edhe atë tjetrën...mos e bëj me faj...të lutem...”