Krijimtari

Më quajnë Luna - Nga Flurans Ilia

Nuk e di se kush më pagëzoi me këtë emër. Në jetën time, e gjithë raca mashkullore që kam ndeshur, kanë qenë të hipnotizuar nga fakti se sytë e mi përngjajnë me shkëlqimin dhe formën e plotë të hënës mbi dy liqene alpinë në zemër të universit.

“Ka diçka misterioze që më vështron nëpërmjet syve të tu Luna.” Më thoshte shpesh Roni, dashuria ime e parë. Roni u vra nga sinqeriteti dhe besimi i tij i verbër që kishte tek njerëzit.

“Sytë e tu Luna kanë kthjelltësinë e një mëngjesi alpin mbi ujra të kthjellta. Sa herë shihem aty bëhem njësh me zgjimin.” Më thoshte Xhordi, një nga dashuritë e mia më të rafinuara. Një fisnik i vërtet. Njohës i akordeve dhe kohëve muzikore. Elegant në komunikim. Elegant në të ecur. Chic style! Të cilin e humba në një nga ato ditë para Krishtlindjeve ku notat muzikore dhe tingulli i copave të akullit në gotën e kristalit i jep aromën e drurit të djegur bisedave ndërmjet njerëzve të biznesit dhe problemeve aktuale financiare të tregut. Atë fund viti, në kohë Krishtlindjesh e humba Xhordin. Me shpresën se viti që po vinte do ishte një vit i qëndrueshëm për tregun dhe njerëzit e shifrave.

Por, si çdo gjë tjetër që ka ulje ngritjet e saj, ndodhi pikërisht ajo që thoshte im atë. “Luna kur mendon se të gjitha portat të janë mbyllur dhe nuk ka më shpresë, dije pra, se një portë tjetër do të të hapet.” Ashtu ndodhi. U njojta me Rokin.

Roki ngjan me tim atë.

“Luna sytë e tu përngjajnë me dy trofta që lundrojnë kundra rrjedhës.” Më thoshte Roki, tashmë babai i krijesave të mia. Ishte mendjendritur dhe krejt babaxhan. Alkimist i ndjenjave. Ekuilibrist mahnitës. Fantastik. Jepte një siguri që asnjë racë mashkulli nuk ta jep. Roki ishte Great kisser! Eksplorator i ndjenjave. Një poet i prekjes dhe kontaktit trupor. Ai krijonte ura midis të shkuarës dhe së tashmes sime me një humor të admirueshëm.

Sot kur e kujtoj, them se qysh kur Roki e humbi jetën në një aksident tragjik, së bashku me të humbi për mua «e qeshura». Por me vete kisha tashmë fëmijët e mi, fëmijët tanë, të cilët së bashku me kujtimet përbënin formën ngushëlluese të mbijetesës, gjer sa një ditë, m’i shqitën nga gjiri.

Ata ishin për mua ngushëllim edhe mbijetesë. Arsyeja e vetme për të konsideruar «të qeshurën si shërim». Asnjëherë nuk kisha për t’ia falur botës këtë që bëri me mua me një thjeshtësi makabre sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Sikur të kishte qenë një akt i thjeshtë dhe krejt i pavlerë. E humba besimin tek njerëzit. Natyrisht ajo çka më ka mbetur për më tej është thënia e babait me dyert dhe fatin, si edhe mikja ime më e mirë Greta.

I love Greta! Greta është qënia më e sinqertë në botë. Të paktën gjer tashti sa pa u rritur ende. Është nxënësja ime dhe jam fulltime tutorja e saj. Roli im është ai i mbrojtësit, edukatorit, dhe natyrisht roli i zbavitësit kur jemi me të mira që të dyja. Të gjitha këto i japin shkëlqim pamjes së syve të mi seriozë. Me pak fjalë, jam kandidatja e vetme për të fituar rolin e babyssiting që është profesion të cilin e adhuroj sepse më afron me diçka krejt thelbësore, natyrën time të pandryshueshme.

Kështu, me atë çka më kishte ngelur nga vitet, Greta rritej së bashku me mua dhe bëhej një vajzë e bukur.

Njerëzit jetojnë në bashkësi me njëri-tjetrin në nivelin dhe rregullat e diçkaje që ata e quajnë ligj.

Kjo është veçse pjesa e dukshme e kësaj fasade që kemi ballë kopështit të shtëpisë ku jeton zoti Xhem. Një zotni i sjellshëm, që na shoqëron shpesh përgjatë shëtitjeve tona në pyll teksa mbledhim kërpudha. Ai është një njohës i shkëlqyer i tyre. E kam fjalën për kërpudhat jo për ligjet.

“Luna, më thotë ai një ditë me zagushi, mbaji erë kësaj! Thithe fort! Ashtu bravo!”

Më zgjat një lloj kërpudhe që nuk e kam parë asnjëherë më parë. E nuhas me vëmendje! Disa prej tyre kanë një efekt magjik në aromën e parë. Disa vijnë erë të rëndë si djathë i mykur. Disa kanë një efekt supershplodhës muskulor, gati gati paralitik. E ndajnë trupin nga mendja. Disa i japin një hov të paimagjinueshëm instiktit. Disa kanë një tul mishtor. Disa të tjera bëhen supë e mrekullueshme. Disa të çojnë në Disneyland. Hahahahaaa!. Disa të mbartin në orbitë. Ooopalaj!, planeti ka një pamje të hatashme nga sipër. Pooo!. Disa u japin lartësive një tjetër përmasë. Disa të bëjnë të harrosh lavjerrësin dhe dhimbjen. Disa u japin mikrogjallesave të pyllit përmasat e një përbindëshi. Morri i pyllit. Miu i pyllit. Skuthi i pyllit. Njeriu i pyllit. Përbindëshi i pyllit.

Përballë ndodhet hëna. Me sytë e ngulura në të vështroj ekzaktësisht ditën kur më hoqën nga gjiri fëmijët e mi. Besoj se ka qenë dita më e dhimbshme për mua përgjersa më është ngulur si piketë sinjalistike orientimi. Majtas. Djathtas. Lindje. Perëndim. Lart. Poshtë. Veri. Jug. Tabelë, mu në mesin e një shkretëtire virtuale ku veç rrugë të detajuar nuk ka. As e mira as e keqja nuk kanë rrugë. Ato janë virtyte që shëmbëllejnë me kërpudhat magjike. Mund të krahasohen me gjendjen e ngrirjes dhe të shkrirjes ku gjithkush në një çast të caktuar, ose krejt jetën e vet, është i kapur në to duke u përpjekur të gjejë natyrën e vet të mirfilltë së cilës i përket. Me ose pa vetëdije. Varet se kush është kahu yt i orientimit. Varet se në çfarë çasti të lëvizjes së lavjerrësit po ndodh e gjitha kjo. Përsa më përket mua, nuk kam kohë të hamendësoj më gjatë. Edhe me kaq u zgjata shumë. Me vështrimin shtizë. Drejt e mbi objektin e shënjuar. Aty ku vjen zëri i Gretës.

“Luna! Luna!”

Hidhem duke u gërricur nëpër ferrat e pyllin. Duke shqyer pendimin tim që kullon gjak nga zëri i Gretës që kërkon ndihmë. Zëri i Gretës është për mua pika e orientimit. Është ajo çka jam në thelb. Ai zë është fati im të cilin lavjerrësi i kohës e ka mbërthyer prej fyti.

Hidhem mbi gjoksin e zotit Xhem i cili befasohet nga kjo ndërhyrje mbinatyrore e imja me dhëmbët e ngulura në grykën e tij që fillon të kullojë nuhatje. Sepse për mua të gjitha ngjyrat janë njësoj. Gjaku fillon dhe rrjedh mbi gjoksin e njeriut që po tërheq zvarrë, larg Gretës. Gjaku fillon të lerrosë këmishën e tij, përherë aromë hekuri të nxehtë, jaka e së cilës shfaqet mbi një jelek të kopsitur me qostek, i cili u ndal në atë çast, papritur, duke ngujuar lavjerësin e tij njëherë e përgjithmonë te as një sekondë më tej; I pashë sytë e tij teksa shuheshin. Kishte në to një pyll të errët përmes të cilit, askush tjetër nuk mund të nuhasë (përveç meje) rropatjen e tij mbinatyrore për të qenë dikush tjetër. Asnjëherë nuk i kam kuptuar tërësisht njerëzit.

Po ua them këtë nga grimasa e këtij çasti të ngujuar pambarimisht në kohë dhe hapsirë. Pas këtyre kangjellave prej hekuri prej të cilave jam e dënuar të vështroj botën përpara se të më injektojnë lëngun magjik dhe nisin drejt gjumit të madh. Pas kësaj dere me dryn poshtë së cilës ka një të çarë katrore ku më sjellin ushqimin sikur të isha një qen.

Në fakt, jam një qen.

Po.

Më quajnë Luna.

Kush je ti që më ke pagëzuar me këtë emër?

Montréal, 2017