Krijimtari

Kaos urban aspak i sofistikuar (ish poezi) - Nga Artan Gjyzel Hasani

shpërthimi i radhës mbaroi dhe asgjë s’ishte si më parë.

majë vullkanit u shua flaka,

qytetin e mbuloi hiri

besimtaret ngatërronin përsëri udhën

por jo besimin...

formën e ballit të menduar u dha llava

rrugëve që çonin te katedralja

si parfume lëneshash të sapomartuara rrëzoheshin

shirat që tashmë nuk binin…

era nuk frynte, por mbillej në vazo

ashtu siç kish qenë të fundit herë

flokëkuqe dhe e çmëndur…

në luftë me hijet...

në vend të hashashit vetëtimat

për të vënë në gjumë fëmijët …

Hëna ishte rrëzuar dy herë brenda javës së fundit

por nuk ish vrarë shumë nga kjo anë

se Hëna rrëzohet vazhdimisht në anën tjetër

atje ku ne vetëvritemi shkujdesur…

padashje …

pafaj…

e kish gjetur një endacak në anën këndej të rrugës…

i kish veshur mbathjet e Maries

dhe ashtu gjinjzbuluar

ia kish dorëzuar një prifti të verbuar

që mes ethesh priste rrëfimin e saj…

virgjëreshat mblidhnin lule-pritjeje

mbi gjethet e tyre fallxhoret vizatonin atë që s’dukej…

ajo që dukej nuk i interesonte më askujt

as kronikanit plak…

peshkatarët peshkonin stinë të mbytura

dhe i fusnin në shishe shkume

ua ofronin si akullore më të rinjve….

të porsalindurve si një kafe me pak…

çelësi i Solit ishte thyer duke hapur gabimisht

derën e një shurdhi

e po atë natë

Ora e Madhe e Qytetit kish mbetur

shtatzëne me një kalendar pa fletë…

të nesërmen mora një letër prej teje

nuk e lexova...

nuk kishte datë…

(nga "Erotika", 2007)