Krijimtari

Një gjysh ‘ndryshe’ - Tregim nga Vangjush Saro

Bashkë me “D’Ardanjanin”, ne bëheshim katër. Ai quhej Landi, por ne e thërrisnim kështu ngase gjithnjë na përralloste sikur gjyshi i tij paskej qenë mosketier dhe pat luftuar krah D’Ardanjanit. Atje, në Francë. I dyti ishte Byreku. Babai i tij punonte në një mulli dhe me sa dukej, aty gjithmonë tepronte diçka për trastën e tij. Në shtëpinë e tyre gatuhej përherë byrek, të paktën njëherë në dy ditë. I treti, isha vetë. Ngaqë bëja vjersha dhe recitoja në shkollë, shokët më thërrisnin Poeti. I katërti, por jo i fundit, vinte Dinshumi. Në të gjitha klasat, kishte qenë i pari... Këtu, si të thuash, mbyllej rrethi.

Ne gjithnjë rrinim e loznim bashkë. Lojërat ishin me sezone, por edhe sipas filmave që shikonim. I rëndomtë dhe i përhershëm, ishte vetëm futbolli. Por ne pëlqenim edhe historitë, sidomos kur ato ishin të mbushura me aventura. Zakonisht pas lojës, dëndeshim me ujë te Çezma e Kondës*. (Më parë, sokakëve të qytetit tim kishte kudo çezma.) Pastaj mblidheshim te porta e shtëpisë së Dinshumit. Ishte një gur shtufi i stërmadh atje, kishte vend për të gjithë. Këtu buisnin historitë. Dhe të tilla tregonte pa fund Landi-D’Ardanjani. Edhe unë nuk mbetesha pas, por ai kishte dhuntira të çuditshme. Kur tregonte, lëvizte i gjithi, sikur do të xhironte ndonjë skenë filmi; ulte dhe ngrinte duart, i grahte kalit, godiste “me shpatë”, mbrohej, përpiqej të ngjitej te muri i avllisë. Dhe gjatë gjithë kohës fliste. More, na e bëri mendjen dhallë: gjyshi i tij kishte qenë në Francë, kishte qenë mosketier, madje kishte luftuar krahpërkrah D’Ardanjanit.

-Atëherë gjyshi mbante një kokore me pendë palloi, - tregonte Landi. - Shpatën e kishte kaq të gjatë, po kaq të gjatë, sa që i takonte në tokë. Mirë që edhe vetë ishte naaa... dy metro. More, s’kishte burrë t’i afrohej.

-Po a nuk ishin njësoj shpatat në atë kohë? - e pyeti Byreku.

-E si mundet? - s’përmbahej Landi - Ai e kishte porositur në një punishte në Spanjë. Ç’them edhe unë, porositur... Atij ia kishin dhuruar kur shpëtoi mbretin e Francës. Ishte luftë e madhe ajo, djemaaa...

-Fijet i luante Kardinali Rishëlje, - ndërhyri Dinshumi.

-Fiks, - vazhdoi nipi i mikut të D’Ardanjanit. - Gjyshi im edhe sot e kësaj dite e mban në brez atë shpatë... Tani, ai rri në fshat - e mbylli rrëfimin duke tundur kokën si për të thënë më tej: “O nëne, o nëne!”

Kështu. Nuk kishte rast që të luhej me shpata dhe të mos zihej goje gjyshi i Landi-D’Ardanjanit. Sapo që uleshim për t’u çlodhur pak, ai ia fillonte nga e para.

-Njëherë këta të Roshforit iu kishin zënë pusi pranë një ure. Gjyshi sapo kishte dalë nga një pijetore. Ai dhe D’Ardanjani pinin shumë verë. Por si e pinin?... Me kotruve, jo me shishe. Gjyshi edhe sot e kësaj dite, vetëm verë pi. Vetëm verë. Edhe kështu, siç po ju thosha, dolën nga shkurret këta... Nja dhjetë a pesëmbëdhjetë po.

-Me sa? - e pyeta unë.

-Si me sa? Po dy more, sa thua ti? Dy. Gjyshi dhe D’Ardanjani.

-Mosketirët ishin tre, - tha Byreku.

-Me gjithë D’Ardanjanin, bëheshin katër, - shtoi Dinshumi. - Atos, Partos, Aramis dhe... D’Ardanjan.

-Ashtu ashtu... por kjo ka ndodhur më vonë, - u përdrodh D’Ardanjani ynë. - Pra, siç po ju tregoja, dolën këta nga shkurret. Më të ka filluar një përleshje - më të filloi edhe vetë ai duke u hedhur sa andej këtej - Prau! Përtau! Bam! Bim! Hooou! Gjyshi im luftonte me dy shpata. Pastaj hoop (!) i ngatërronte ata me pelerinën e vet... Dank (!) njërit me shkelm, dënk (!) tjetrit me bërryl. Shpata heu... dy-tre figura në ajër dhe veç t’i shikoje kundërshtarët se si shtriheshin sa andej këtej. Pastaj një t’i hipur kalit nga mbrapa. Hajde, hajde! Atë kalin e ka edhe sot e kësaj dite më duket.

-Po pse, kaq shumë rrojnë kuajt? - deshi të dinte Byreku.

-Mund të jetë nga ajo racë, e kam fjalën... - s’pushonte Landi - He he! Po kur i ndoqën tek ura... D’Ardanjani vinte këtej; një tufë me kundërshtarë e kishin rrethuar. Të mos kishte qenë gjyshi... oho vate puna. Një të kërcyer ai përmbi parmakë, nja katër a pesë prej tyre, bëlldumb (!) në ujë... Ehe, e mori veten D’Ardanjani, hopa! I flaku edhe ai nja katër a pesë në lumë. Djemaaa, vetëm ta mendonit...

E çfarë të mendonim! Ne kishim parë skena këso në të gjithë filmat e kohës: “Tre mosketierët”, “Kartush”, “Fanfan Tulipan”, “Kapiteni”, etj. Mirëpo kur ai tregonte, na dukej sikur gjithçka kishte ndodhur dje. Dhe gjyshi i tij erdhi e u bë një çudi e madhe për ne. Punë kalamajsh!

Kaloi një kohë e gjatë kështu, me historira dhe aventura të sajuara. Një mbrëmje vere, ishim ulur si përherë përpara portës së Dinshumit. Kur papritur, ia beh aty një plak i shkurtër, i dobët, një fshatar i rrëgjuar që mezi mbante për kapistalli një gomar të leqendisur. Edhe qaset te ne. Na përshëndet:

-Si u ngrysët, o djema?

-Mirë, gjysh. A u lodhe? - ia ktheu Byreku.

-Lodhur, thua? Ky budalla mezi mban veten tani... Të shumtën e kohës, më këmbë, që nga Drenova këtu...

-Drenova është fshati i Asdrenit, - tha Dinshumi.

-Kurse unë jam gjyshi i Landit, - shtoi plaku.

Ne ngrimë. U shushatëm. Vështronim njëri-tjetrin dhe nuk flisnim. Gjyshi çapiti ngadalë-ngadalë për te Çezma e Kondës. (Tani, më duket, ajo nuk është më). Hapi rubinetin e çezmës, zgjati dorën që e kishte të lirë dhe u përkul e piu ujë një copë herë të gjatë. Pastaj ia liroi disi kapistallin gomarit të lodhur më keq se i zoti. Edhe e vuri të pinte ujë te baseni, aty ku derdheshin tepricat.

-Bëfshi natën e mirë, o djema! - na tha plaku pas pak.

Dhe u kthye e mori përpjetë rrugicës. Drejt edhe te shtëpia e Landi-D’Ardanjanit. Nuk ishte i gjatë. Nuk kishte shpatë. As kalë. Dhe piu ujë sa u shemb.

Një copë herë, pllakosi një heshtje e trishtë. As flisnim, as lëviznim. Na vinte inat jo aq pse ishim gënjyer, se sa që historia e bukur ishte mbyllur me kaq. Nuk mbaj mend sa kohë qëndruam ashtu të nemitur. Qejfmbetur. Edhe pse e dinim që një ditë “D’Ardanjani” do të fillonte të sajonte ndonjë tjetër histori. Sigurisht, jo atë mbrëmje. Mbase as të nesërmen. Një ditë kur të ishte bindur se ne e kishim harruar... gjyshin e tij nga Drenova.

*Kështu quhej çezma, sepse ishte në cep të shtëpisë së historianit të njohur Spiro Konda.