Një dackë... në gjuhë të huaj - Tregim nga Vangjush Saro
(Tregim i jetuar, shumë pak i stilizuar)
Në gjimnaz bënim dy gjuhë të huaja, rusisht dhe anglisht. Rusishten na e jepte Bozhidari... Ishte shqiptaro-malazez. Kur ne e pyesnim për ndonjë fjalë a fjali (nga ç’kishim parë mbrëmjen e shkuar në TV-të e Shkupit apo të Sarajevës) ai ngrinte supet. Dhe thoshte se nuk ishte gjuha e tij; ato (gjuhët) ndryshonin nga njëra-tjetra. Ç’mund të na shpjegonte më tepër!… (Kohë më pas, në udhëtimet për shkak të detyrës si gazetar te Dhomat e Tregtisë, teksa dëgjoja çu çu çu maqedonasit, malazezët, boshnjakët, serbët, kroatët, që pavarësisht nga ndryshimet, merreshin vesh për bukuri me njëri-tjetrin, më ndërmendeshin shpesh këto episode.)
Profesori ishte një burrë i gjatë dhe i fuqishëm, me hundë të madhe dhe me fytyrë të kuqe. Shpirt njeriu. E dinte që unë shkruaja nga pak - sapo kisha filluar të botoja te “Hosteni” e “Fatosi” vjershat dhe skicat e para - dhe më thoshte gjithnjë: “Vangjush, mësoi ti rusisht, lexoi Tollstoi origjinal.” Ai nuk e fliste mirë shqipen. Edhe pse isha një nxënës relativisht i mirë, prapë më rrinte te koka. “Pëlqej Çehovi ti lexon Vangjush…” (Kur shkova në universitet, doja s’doja, i lexova disa autorë në origjinal e disa të përkthyer, pasi çdo dy javë duhej të paraqisnim përpara pedagoges së rusishtes 30 faqe. Dhe me pedagogët dhe punët e shkollës, atëherë nuk bëhej shaka. Në ato kohë, lexova shumë nga poezitë e Eseninit dhe të Majakovskit, Nerudën, Kuazimodon, novelat e Çehovit, tregimet e Gorkit, Hashekut, të Heminguejit, madje edhe romanin “Tre shokët” të Remarkut.)
Por le të kthehemi te Bozhidari. Ne i thoshim Bozha. Këmbëngulja e tij për të na ftilluar nga pak në lidhje me rëndësinë e gjuhëve të huaja, shkonte pothuaj kot. Në të vërtetë, mësimi i rusishtes, jo për faj të tij, ishte i mërzitshëm, nuk ofronte pikë suspansi; shumica e teksteve flisnin për Marksin, për Themelimin e Partisë, e të tjera tema këso pa bereqet. Kjo ishte Lindja.
-E di ti që Bozha ka frikë?… - më tha një ditë Llaqi, një nga shokët e mi më të ngushtë. (Tani ai është bërë mjek; më duket, jeton në Amerikë.)
Në ato kohë, ne mësonim edhe për mesataren; pa atë, nuk shkoje dot në shkollë të lartë. Llaqi e kishte pikë të dobët mesataren. Mirëpo nga ana tjetër, edhe rusishten s’e hante fare.
-Bozha ka frikë… - përsëriti ai. - Më ka thënë vëllai.
I vëllai i Llaqit ishte në maturë.
-Nga se ka frikë? - e pyeta unë.
-Po ja... nga këto gjërat me politikë - ishte shpjegimi i tij disi mistik. - Po ia kujtove atij Partinë, bëhet naaa, një dorë. Nuk e beson?
Edhe e besoja, edhe jo. (Kohë më pas, do të lidhja si detaje Bozhidarin me fatin e një futbollisti korçar që quhej Milutin Kërçiç dhe që shkurtazi i thërrisnin Mili. Ai ishte mbase një nga futbollistët më të mirë që ka pasur vendi ndonjëherë. Një djalë elegant, triblues dhe gjuajtës shumë i aftë; talent i lindur. Për shkak të mbiemrit dhe të origjinës, Kombëtarja e Futbollit e grumbullonte vetëm kur kishte ndeshje brenda vendit. Kur ekipi kombëtar luante jashtë shtetit, Mili rrinte te “Skënderbeu”.)
Kështu, pra. Bozha kishte frikë… Ky ishte konkluzioni i Llaqit.
■
Ditë pas dite, mblidhej lëmshi dhe mësimet bëheshin më të vështira. Kur kishim hartim, një ditë më parë, Llaqi i hipte biçikletës dhe vinte në shtëpinë time; t’i bëja ndonjë hyrje a mbyllje, ndonjëherë krejt hartimin… Nuk ia prishja dot, ishim shokë; pastaj, në shtëpinë e tij mblidheshim për mbrëmje vallzimi, ndonjëherë për të dëgjuar Radio Pragën apo Hit Parade. Mirëpo ai s’e donte dosido hartimin. Kur e shikonte që unë thosha gjëra të rëndomta, fjali pa shumë ngarkesë emocionale, ai ngrinte kokën nga fletorja dhe më thoshte: “Po mirë, ti frymëzohu pak, bëj ndonjë pyetje retorike. Për shembull: Po pse vallë, në këtë mëngjes të bukur…”
Kështu bëheshin hartimet atëherë. Gjithë eufori. Në hartimin e fundit, numri i pyetjeve retorike arriti një kulm. Gjashtë të tilla brenda dy faqesh. Të fundit, Llaqi e sajoi vetë.
■
Kështu shkonte semestri dhe jeta në atë qytet të dëborës, serenatave dhe thashethemeve.
“Po po. Bozha ka frikë, ta them unë - më pëshpëriti prapë ai, teksa i hipte biçikletës - Po ia kujtove atij Partinë, naaa bëhet, një grusht. Ika.”
Në një prej ditëve të vështira atje në shkollë, në një nga orët e rusishtes, disa kishin ardhur pa detyra. Ndër ta, edhe Llaqi. 'Presor' Bozha kalonte bankë më bankë duke kontrolluar detyrat dhe duke bërë vërejtje. Gjithnjë me atë shqipen e vet copë-copë. Po pse shkurtër? Shum shkurtër… Mirë. Po kjo kush e ka? Po. Aaa, të lutem, mbaje fletorja pastër. Ashtu!
Ashtu ashtu, por papritur ai ishte ndalur te banka jonë. Dhe Llaqi kishte filluar të dridhej. Unë thosha me vete... po na bie ndonjë tërmet. Edhe në prag ishte tërmeti. Llaqi, i bërë piper në fytyrë, u ngrit në këmbë dhe filloi të shpjegohej kështu:
-Unë...
-Ti...
-Unë, presor.
-Ti, djali...
-Nuk i kam bërë detyrat.
Me të dëgjuar këto fjalë, Bozha u vrenjt.
-Po pse nuk bëj ti detyrat?
-Ashtu pata një hall, presor…
-Ooo, shumë keq, djali. Katër!
Dhe u nis të kthehej në katedër edhe t’i këndonte katrën shokut tim të pafat. Hëm, u menderos puna. Një katër tani në fund të vitit, ishte grusht i rëndë për mesataren. Të shkretin Llaqi s’po e zinte vendi. Ai filloi të dridhej. U skuq. U zverdh. U skuq prapë. Dhe në një moment që s’ta priste mendja, iu drejtua Bozhidarit si në të kërcënuar:
-S’na mëson kështu Partia, presor...
Ligjërata ishte e drejtpërdrejtë dhe e rëndë. Epo kishte kaq kohë që ngarkohej me këtë shoku im i bankës. Njëherë do ta zbraste ai ngarkesën. Ja, kishte ardhur dita... Siç doli më pas, në vetëm një sekondë heshtje dhe pritje, ne të gjithë kishim performuar me mendje atë që mund të ndodhte. Pandehmat tona ishin nga më të çuditshmet. Rasti fliste kaq shumë. ‘S’na mëson kështu Partia, presor...’ Bozha mund të lëkundej nga këto fjalë dhe ndoshta bishtnonte; kushedi, mbase i thoshte Llaqit: ‘Mirë, nuk vë katra, por hera tjetër kujdes...’ Ose mund të kërkonte ndonjë rrugëzgjidhje nga klasa: ‘Po ju si mendon, merr detyra shtëpie notë?’ Një tjetër variant, mund të ishte edhe mbledhja e organizatës së rinisë, në të cilën... gjithsesi... apo jo...
Përkundër gjithë këtyre skenarëve, Bozha e bëri fërtele atë sekondën e pritjes. Një të kthyer kokën, pastaj edhe atë trupin e tij kaba, bëri edhe një hap përpara drejt nesh, u pozicionua për ‘luftë’ edhe ktheu këtë përgjigje:
-Ashtu? Ta mësojem unë Partia…
Edhe përtauuu (!) një shpullë të mirë të shkretit Llaqi, aq sa lëvizi banka dhe kërcitja u dëgjua paq. Ca libra ranë tej me rrapëllimë. Një ouu (!) rendi në ajër krejt në akord me atë zhurmë. 'Presori' u kthye dhe çapoi me ngut për atje ku ishte nisur, domethënë te katedra; dhe drejt e në regjistër. Katër! ‘Tregojem mua Partia...’ vazhdonte të thoshte me vete, gjithë buba. Në klasë, asnjë nuk pipëtinte. Llaqi derëbardhi kishte ngrënë edhe katrën, edhe dackën. Ecë e gjeje tani, kishte apo s’kishte frikë Bozha! More, nuk kishte më duket…
Mund të them vetëm që ajo orë shkoi shumë keq. Nga fundi i saj, ‘presori’ po na lexonte një pjesë nga romani “Si u kalit çeliku” i N. Ostrovskit; personazhi kryesor i librit, sadoqë një njeri fatkeq, ishte njëlloj Lej Feni (ai i kohës së kinezëve të Revolucionit Kulturor). Ideologjira. Bozha lexonte, ne dëgjonim. Dhe nga njëri vesh na hynte rusishtja, nga tjetri na dilte.
Përtej dritareve, kish zënë e binte një dëborë e shtruar, e imët dhe aq e bardhë; sikur ta kishte dërguar dikush që ta dritënonte sadopak atë episod të errët...



