Krijimtari

Zoti në gjyq - Nga Marelba Fushekati

- Cilat janë akuzat?

- Vrasje, bashkëpunim, vrasje!

Legjendë apo e vërtetë – një grup hebrenjsh të mbyllur në kampin e Aushvicit gjatë luftës së dytë botërore, krijuan një gjykatë rabinësh brenda barakave mizerabël, e ndërsa prisnin radhën për në dhomat e gazit, hodhën Zotin në gjyq.

Dhe e shpallën Zotin FAJTOR!

Historia është dramatizuar në filmin “Zoti në gjyq” në vitin 2008, një film i rëndë e me subjekt me po aq peshë.

Një gjykatë të burgosurish që përpëliten t’u japing përgjigje pyetjeve thelbësore, nga përgjigjet e të cilave frigohen. Pse Zoti e theu besëlidhjen me ta? Pse nuk dërgon engjëllin e vdekjes mbi persekutorët e tyre si dikur, kur i shpëtoi nga zgjedha e faraonit në Egjipt? Pse e vë një baba para një prove duke i dhënë mundësinë të shpëtojë vetëm njërin nga fëmijët e tij, ndërkohë që ka edhe dy të tjerë? Pse…?

Dhe përgjigjet që secili mundohet të japë ngarkohen me doza sinqeriteti, marazi, lotësh dhe përpëlitje që enden mes jetës e vdekjes. “Zoti po na teston besimin. Ja, të shohim anën e mirë: nëse nuk do të ishim komb pa atdhe, do të kishim mbetur në mes të shkretëtirës e nuk do të kishim pasur mundësi të shpërndaheshim nëpër botë, t’u jepnim njerëzve njohuritë tona e t'u mēsonim Torah-un. Zoti është i drejtë, ne patjetër diçka e kemi bërë gabim….

***

Është pastruar qielli i Torontos këto ditë. Edhe yjet duken më afër. Problemet e “botës së parë” ku qumështi i mëngjesit nuk shkon me ngjyrën e drithërave, kur qeni i komshiut vuan nga ankthi, një garderobë e mbushur me rroba dhe prapë nuk ke ç’të veshësh, kur të takon të ulesh në aeroplan afër vendit ku rrinë fëmijët që qajnë, e shumë të ngjashme duken tashmë larg. Avionët kanë fikur motorrët, autostradat janë bosh, distanca një metër është kthyer në normë dhe paranoja e afërsisë fizike në publik lexohet në shikimet që njerëzit iu hedhin njëri tjetrit.

Këto ditë i ngjajnë përrallës së iriqëve, kur në një natë dimri, që të mos ngrinin nga i ftohti, u afruan me njëri-tjetrin e u shpuan gjembash, arritën më në fund të gjejnë distancën e duhur që edhe të mos ngrinin, edhe të mos dëmtoheshin.

***

Filmi është në të mbaruar. Zëri i doktorit të gestapos thërret numrat e të burgosurve. Baraka fillon zbrazet.

- Zoti është fajtor! Po tani?

- Tani, të lutemi!